“Po synojmë që kjo gjë të restaurohet”; “s`mund të ndaj detaje”: Çka po bën Qeveria për zhbllokimin e Dialogut Strategjik me ShBA-në? - NACIONALE

“Po synojmë që kjo gjë të restaurohet”; “s`mund të ndaj detaje”: Çka po bën Qeveria për zhbllokimin e Dialogut Strategjik me ShBA-në?

9 muaj më parë

nga NACIONALE

Qeveria e Kosovës deri me tani nuk ka dhënë detaje nëse është duke punuar me ShBA-të për zhbllokimin e Dialogut Strategjik. Kanë kaluar dy javë kur ShBA-ja ka njoftuar pezullimin e këtij procesi dhe qeveria ka lëshuar vetëm një komunikatë zyrtare për këtë çështje. Në anën tjetër, disa zyrtar qeveritar kanë tentuar të thonë se qeveria po punon në këtë drejtim.

I fundit që ka folur për këtë çështje është zëvendësministri në detyrë i Drejtësisë, Vigan Qorrolli.

Megjithatë, ai nuk ka treguar asgjë konkrete se çka është duke bërë qeveria për këtë temë.

“Siç e ka bërë të qartë kryeministri dialogu strategjik është proklamua si tillë, por nuk ka filluar së zbatuari asnjëherë, po ka pas një pezullim… Po synojmë që kjo gjë të restaurohet sa më shpejtë që mos të ketë një momentum tjetër që do ta vështirësonte komunikimin, nuk ka asnjë vështirësi komunikimi mes ShBA-së dhe Kosovës, besoj që raportet bilaterale janë shumë të rëndësishme”, ka thënë ai në emisionin “InfoNata” në Tëvë1.

Tutje, ai ka shprehur dëshirat e tij personale në raport me këtë proces.

“ShBA-të janë aleati jetik i Kosovës. Shpresojmë që këto çështje që mund të jenë keqkuptime të momentit të tejkalohen sa ma shpejtë dhe të kthehemi në binarë të duhur”, ka thënë Qorrolli.

Ditë më parë, për këtë çështje është pyetur edhe ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati.

Në një konferencë për media, ai ka thënë se ka takime në mes të dy qeveria, por nuk ka tregua se për çfarë takimesh bëhet fjalë.

“Siç e tha kryeministri ka takime. Sa i përket takimeve, nuk mund të ndaj detaje, sepse nuk është se marrë pjesë në të gjitha takimet që janë. Megjithatë, çka mund ta ritheksoj atë që tha kryeministrit. Pra, ne vazhdojmë të bashkëpunojmë në fusha të caktuara siç është fusha e mbrojtjes dhe bashkëpunimit ekonomik”, ka thënë Murati.

Pas njoftimit të ambasadës amerikane në Prishtinë për pezullimin e Dialogun Strategjik me Kosovën, kishte reaguar Qeveria e Kosovë.

Përmes një reagimi, qeveria ka vlerësuar se Kosova gjithmonë është mirënjohjes për kontributin dhe angazhimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Kosovën.

Në reagim thuhet qeveria i mirëpret kritikat e ShBA-së.

“Ne i jemi gjithmonë mirënjohjes për kontributin dhe angazhimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për vendin tonë dhe i falënderojmë Shtetet e Bashkuara të Amerikës për mbështetjen dhe ndihmën ndaj shtetit të Kosovës dhe popullit tonë në aq shumë fusha. I mirëpresim edhe kritikat. Kurdo që janë konkrete përpiqemi maksimalisht të përmirësojmë dhe korrigjojmë hapat e veprimet tona”, është thënë në reagimin e Qeverisë.

Lajme të ngjashme