Po shkon Lumezi, por s'po vjen Elezi! Pse? - NACIONALE

Po shkon Lumezi, por s'po vjen Elezi! Pse?

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Emri i tij u bë i njohur tek pasi e lëshoi Kosovën. Por, më pas, prokurori Elez Blakaj do të kthehej jo vetëm në një emër të njohur për sistemin e drejtësisë në përgjithësi, e sistemin prokurorial në veçanti, por edhe për politikën. Madje, Elezi u kthye edhe në parullë politike para zgjedhjeve të 6 tetorit 2019 të cilat i fitoi Lëvizja Vetëvendosje. “Shkon Lumezi, vjen Elezi”, sigurisht të gjithë e mbajnë në mend!

Sikur t’i dëgjonte thirrjet e ftesat e kryeministrit të vendit Albin Kurtit, Elez Blakaj sot do të kishte një proces të rëndësishëm para vetes. Ai do të intervistohej nga komisioni i Këshillit Prokurorial në garën për Kryeprokuror të Shtetit. Por, një gjë e tillë nuk ndodhi.

Pavarësisht pritjes nga KPK-ja për aplikime me postë, asnjë nuk arriti në zyrat e këtij institucioni. Blakaj që ishte simbol i Vetëvendosjes për reformimin e sistemit të drejtësisë, nuk i hyri kësaj gare. Pas një kohe të gjatë, Elez Blakaj u përgjigj direkt nëse ndihet i anashkaluar nga qeveria e Kurtit.

Duke iu përgjigjur një komentuesi në rrjetin social facebook, Blakaj tha se pozita e Kryeprokurorit duhet të zgjedhet me meritokraci, e jo në bazë të preferencave politike. Megjithatë, nuk e tha troç pse Elezi që e përmendte Kurti, nuk synoi t’ia zë vendin Lumezit.

“I anashkaluar është ai i cili pranon të anashkalohet, unë nuk e pranoj një gjë të tillë! Do të ishte e dinjitetshme që të gjitha partitë politike të reagonin me një zë në lidhje me rastin tim, por zgjidhja mbetet e tyre dhe nuk ia vlen ta komentoj! Asnjëherë, nuk më kanë bërë përshtypje ngjyrimet politike, por, çdo herë, në çdo kohë, secili nga ne duhet të jetë i gatshëm ta përkrahë dhe ndihmojë një projekt/program, nëse ka për qëllim reformimin dhe përmirësimin e drejtësisë!”, ka shkruar Blakaj në facebook.

Në këtë postim Blakaj i doli në përkrahje publikisht kandidatit Armend Hamiti, duke e vlerësuar si prokuror me vlera të larta profesionale e njerëzore.

Elezi si parullë politike

Para zgjedhjeve të 6 tetorit 2019, emri i tij dominonte tubimet e Lëvizjes Vetëvendosje. Por, ndryshe nga tubimet në një komunikim virtual me ndjekës në facebook, Kurti aso kohe kandidat për kryeministër, dha një zotim jo fort të zakonshëm. Premtoi që Elez Blakajn do ta kthejnë në Kosovë, pavarësisht ndarjes së pushteteve.

Duket se një nga detyrat e para që do ta bëjë Lëvizja Vetëvendosje është ta kthejë prokurorin Elez Blakaj në Kosovë. I cili i iku sepse e përndoqqën nga Kosova, ndodhet në SHBA. Pas zgjedhjeve, me qeverinë tonë të re, do të mund të kthehet në vendin tonë”, kishte thënë Kurti më 22 gusht 2019.

Ngjashëm në një tubim me qytetarët llapjanë në Podujevë, Kurti sërish e kishte bërë të njëtjin zotim.

“Prokurorin Blakaj do ta kthejmë në Kosovë. Atë do ta bëjmë Kryeprokuror të Shtetit dhe nuk do të guxojë askush që ta kërcënojë”, kishte thënë Kurti më 15 shtator të vitit 2019.

Emri i Blakaj nuk rreshti së përmenduri nga Lëvizja Vetëvendosje. Madje, edhe në Kuvendin e Kosovës. Në një fjalim në vitin 2019, Kurti kishte kritikuar qeverinë Haradinaj, duke përmendur emrin e Elezit.

“Njerëzit ikin nga ky shtet sepse iku edhe prokurori si puna e Elez Blakajt nga kryeministri e qeveria. Kosova është një vend nga ku nuk po ikin kriminelët, por prokurorët”, kishte thënë Albin Kurti më 11 prill 2019.

Vetëvendosje në pushtet – harrohet Elezi

Por, gjërat ndryshuan pasi Vetëvendosje preku pushtetin. Për gati një vit në qeverisje, emri i Elez Blakajt nuk u përmend shpesh. Prioritet i VV-së në qeverisje, mbeti drejtësia. Por, kryeministri ose ministrja e drejtësisë, për Blakajn flisnin vetëm kur pyeteshin nga gazetarët.

Megjithatë, komunikime mes Blakajt e pushtetit aktual u konfirmua se ka pasur. Albulena Haxhiu tregoi se çka i kishte thënë Elezi nga Amerika.

“Nuk duhet t’i harrojmë ato që i kemi thëne në të kaluarën. Arsyeja pse ka thëne shkon Lumezi, vjen Elezi, ka dashur të thotë që gjatë qeverisjes tonë s’do të ketë prokuror që kërcenohen. Unë kam pasur komunikim me Blakajn, e kam ftuar që të vijë në Kosovë. Por nuk e di në çfarë shkalle e kanë kërcenuar atë dhe familjen. Më ka thënë shohim në të ardhmen”, kishte deklaruar ministrja Haxhiu.

Por, për konkursin për Kryeprokuror i ndryshoi fjalët me kalimin e kohës vetë kryeministri Kurti. Ai tha se nuk ndërhyn në këtë proces.

“Ne jemi shtet demokratik ku janë të ndara pushtetet, dhe rrjedhimisht në shkeljet eventuale të ligjit e të Kushtetutës në Kosovë nuk ndërhyn Qeveria e Republikës së Kosovës. Kjo është një detyrë që e zbaton prokuroria, gjyqësori dhe mekanizmat e tjerë zbatues”, kishte thënë Kurti.

Pos Vetëvendosjes, Blakajn së fundi e përmendi edhe opozita. Por, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj këtë e bëri me ironi.

“I pari kryeministër që dha kaq shumë pare për rrymën në veri, me dhjetëra milionë i ka çu në veri. Pastaj, e ka pagu diferencën e çmimit, prapë me pare të buxhetit. Unë po e thirri Elez Blakajn, hajde denoncoje Albin Kurtin sot që ia shkaktoi kësaj Kosove mbi 100 milionë euro humbje, e çite në dy gujt këtë vend”, kishte thënë Haradinaj.

Kush është Elez Blakaj?

Elez Blakaj për një kohë të gjatë kishte qenë pjesë e sistemit prokurorial të Kosovës. Por, ai u kthye në një nga më të famshmit e sistemit, pasi vendosi të largohet nga Kosova. Këtë e kishte bërë me arsyetimin se e kanë kërcënuar pas hetimeve në rastin Veteranët. Madje, në letrën e tij kishte përmendur emrin e Aleksandër Lumezit e Blerim Isufajt.

“Në kulmin e këtyre hetimeve, gjatë intervistimeve, Kryeprokurori i Shtetit z. Aleksander Lumezi urgjentisht me fton në zyrën e tij dhe kërkon llogari pse e kam ftuar në intervistim z. Kadri Veselin (madje edhe si dëshmitar) për rastin e “Veteranëve”, duke u arsyetuar “SE ATA KANË IMUNITET NUK KA NEVOJË MI THIRRË”, ani pse për këtë çështje ia kam bërë të qartë se Gjykata Kushtetuese në interpretimin e saj “asnjëherë, askujt, në asnjë rrethanë apo cilësi nuk i ka dhënë imunitet kur bëhet fjalë për vepra penale”... Po ashtu, i njëjti e ka hapur edhe temën e rastit “Pronto”, i cili ka provuar të më frikësoj se nese nuk rishikohet aktakuza e dërguar në gjykatë, do të me dërgoj në komision disiplinor... ndërsa unë iu kam përgjigjur “Lirisht të parin dërgom mua, se kam problem fare”, kishte shkruar Elez Blakaj.

Pas kësaj, nuk kishin munguar as protestat ku u kërkua dorëheqje e Kryeprokurorit, Aleksandër Lumezi.

Gjithsesi, të drejtën që nuk e shfrytëzoi Blakaj, e bënë 5 ish-kolegë të tjerë të tij: Kujtim Munishi, Blerim Isufaj, Armend Hamiti, Lulzim Sylejmani e Shqipdon Fazliu.

Lajme të ngjashme