“Po presim rezultatet përfundimtare”: Stano s’i komenton dëshmitë e reja të Policisë së Kosovës për grupin terrorist
Në lidhje me dëshmitë e fundit të publikuara nga Policia e Kosovës rreth formacionit paramilitar terrorist – ku u tha se synimi ishte “Aneksimi i plotë i veriut” dhe që sulmi të kryhej nga “37 pozicione” – është pyetur edhe zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, i cili tha se presin deri kur “të verifikohen dhe zbardhen të gjitha faktet”. Zëdhënësi tha se “BE nuk i komenton” secilën dëshmi të re që del secilën ditë deri kur të konkludohen rezultatet përfundimtare.
“Secilën ditë dalin dëshmi të reja. Nuk i komentojmë, por presim rezultate përfundimtare që i sqarojnë të gjitha rrethanat e sulmit terrorist. Presim bashkëpunim të plotë nga Serbia. BE ka thënë qartë se jemi gati të vendosim masa edhe ndaj Serbisë, nëse vendet anëtare vlerësojnë se kanë dëshmi të mjaftueshme“, ka thënë Stano në konferencën e tij të përditshme për media.
“E kemi parë se çfarë ka thënë Radoiçiq. Të gjitha faktet duhet të verifikohen dhe të zbardhen. Presim bashkëpunim të plotë nga Serbia. Ne nuk e bëjmë angazhimin tonë përmes mediave, por përmes kanaleve tona“, ka thënë zëdhënësi i BE-së, siç e citoi REL.
Pyetur rreth deklarimeve serbe se EULEX-i nuk është lejuar nga autoritetet kosovare që të marrë pjesë në hetime, Stano u shpreh se “EULEX-i nuk ka nevojë për zëdhënës që flet në emër të këtij misioni nga ana tjetër, por e ka zyrën e vet për këtë“.
Policia e Kosovës ka mandat të plotë hetojë rastin, ka thënë Stano, sepse sulmi terrorist ka ndodhur brenda territorit të Kosovës, teksa shtoi edhe se Serbia e ka për detytë të bashkëpunojë në këto hetime.