Po përzihet Vitia: Një pjesë e shërbyesve civilë mbesin pa rroga, kryetari i Komunës e akuzon Qeverinë Kurti
Komuna e Vitisë, për dallim nga të tjerat komuna, nuk i ka ekzekutuar pagat ende për të gjithë shërbyesit civilë të sekrotir publik. Sipas Ministrisë së Financave, kjo komuna nuk e ka siguruar buxhetin e nevojshëm, prandaj pagat “ekzekutohen vetëm për një pjesë të punonjësve të komunës”. Ndërsa një rrëfim më ndryshe e ka kryetari i Vitisë. Çka po ndodh?
Dje Ministria e Financave njoftoi se pagat janë ekzekutuar vetëm për një pjesë të sektorit publik në Komunën e Vitisë. Arsyeja, gjithnjë sipas MF-së, ishte e thjeshtë: nuk janë siguruar paratë nga ana e Komunës së Vitisë.
“Komuna e Vitisë nuk siguron buxhetin e nevojshëm, pagat ekzekutohen vetëm për një pjesë të punonjësve të komunës.
Përkundër që buxheti për paga ndahet asisoj që të mbulojë shpenzimin për tërë vitin, si pasojë e rasteve përmbarimore, disa komuna kanë filluar të kenë mungesë buxheti në kategorinë e pagave qysh tani.
Thesari i Kosovës ka njoftuar me kohë komunat të cilat janë ballafaquar me këtë problem që të bëjnë korrigjimet dhe përshtatjet e nevojshme për të siguruar buxhet të mjaftueshëm për ekzekutimin e pagave të muajit shtator, dhe të gjitha komunat e kanë bërë përpos njërës” – shkroi dje Ministria e Financave në Facebook.
Megjithatë, kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, ka një tjetër rrëfim. Duke folur në Klan Kosova në lidhje me këtë temë, Haliti ka deklaruar se vendimi i MF-së është i padrejtë dhe i çuditshëm.
“Kjo vazhdimësi e vendimeve të padrejta, e çudirave mund të them që një kohë të gjatë, por edhe nga dje… Sot natyrisht kemi pasur prejudikime më të hershme nga segmente të caktuara të VV-së, nga dy zëvendësministra marioneta të politikës aktuale, të cilët në të vërtetë më shumë i bëjnë dëm në ato pozicione dhe me ato vetura që shëtisin kot, harxhojnë naft në dëm të shtetit, përndryshe asnjë punë nuk e kryejnë” – tha ai, shkruan Nacionale.
Tutje, Haliti, që vjen nga radhët e LDK-së, është ankuar për qasjen e Qeverisë së Kosovës, të udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti.
“Zani i Asociacinit të Komunave nuk është dëgju asnjëherë. Katër kryetarë të komunave edhe sot marrin pjesë, edhe ne një vit që kemi qenë atje. Jemi injoru, edhe nga ministri, edhe nga të tjerët, nga ekipa e dikastërëve qeveritar, të cilët as nuk e çelin telefonin, as nuk na pritin, as nuk konsultohen, bojnë dallime besa partiake, që është nënsens dhe s’ka ndodhur më parë me qeveritë. Tash edhe ndarjen buxhetore, ndarjen e re e keni pa, vetëm katër euro për kokë banori, ia kanë lanë Vitisë” – tha ai, transmeton Nacionale.
Në një linjë me Halitin është Sazan Ibrahimi, drejtor i Asociacionit të Komunave të Kosovës, i cili shrkoi se mospagesa e pagave për një pjesë të punonjësve të Komunës së Vitisë është “për shkak të mospërkrahjes buxhetore nga niveli qendror.
“Një pjesë e punonjësve të komunës së Vitisë mbesin pa paga për shkak të mos-përkrahjes buxhetore nga niveli qëndror në mbulimin e shpenzimeve të kontratave kolektive të cilat janë të nënshkruara nga niveli qëndror. Kontratat kolektive janë të nënshkruara nga niveli qëndror e jo nga komunat. Ka disa vite që komunat kërkojnë nga niveli qëndror ta marë përgjegjësinë financiere për mbulimin e kostos së kontratave kolektive por kjo kërkesë po hasë në veshë të shurdhër. Ky problem është diskutuar disa herë edhe me KM Albin Kurti, me Ministrin Hekuran Murati me Ministren Nagavci edhe në komisionin e granteve ku komunat po mbi-votohen, por ky problem po vazhdon t'i dëmtoj komunat e Republikës së Kosovës. Niveli qëndror nuk po ka gatishmëri për zgjidhjen e këtij problemi” – ka thënë Ibrahimi, ndër të tjera.