“Po përplasen për çanta e telefona”; “konflikt artificial”: Opozita tallet me “përçarjen” Osmani-Kurti - NACIONALE

“Po përplasen për çanta e telefona”; “konflikt artificial”: Opozita tallet me “përçarjen” Osmani-Kurti

1 vit më parë

nga NACIONALE

Përplasja e presidentes Vjosa Osmani me kryeministrin Albin Kurti rreth incidentit të Shkupit ka nxitur edhe reagimin e opozitës. Përfaqësuesit e subjekteve politike opozitare janë tallur me “përçarjen” e dy krerëve institucionalë.

Ata kanë bërë me dije se “konfrontimi” Kurti-Osmani po ndodh për çështje minore.

Sekretarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka vlerësuar se Osmani dhe Kurti po shkëmbejnë replika për çanta dhe telefona.

Në një prononcim për gazetën Nacionale, ajo ka thënë se dy krerët institucionalë po përplasen për çështje minore.

Presidentja dhe Kryeministri nuk u përplasën publikisht as kur Kosova u përjashtua nga ushtrimet e përbashkëta me NATO, as kur Kosovës iu vunë sanksione nga BE-ja, as kur fjala e lirë dhe mediat sulmoheshin sistematikisht nga eksponentët e partisë në pushtet, as kur u fyen e u poshtëruan aleatët tanë. Presidenca dhe Kryeministria po përplasen për kontrolle në VIP, telefona e çanta”, ka thënë Çitaku.

Edhe deputeti i AAK-së, Bekë Berisha, i ka komentuar përçarjen e Osmanit me Kurtin.

Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se “konflikti” në mes të Osmanit dhe Kurtit është artificial.

Konflikti Osmani - Kurti është artificial dhe qëllimkeq! Kurti e lufton UÇK-në pa kompromis në mënyrë që t'i izolojë nga bota veteranët e UÇK-së. Forcen e vetme kundërshtuese të natyrshme. Madje, një pjesë të madhe të tyre e pati mashtruar me shumë sukses! Nëse këta dy mbesin në pushtet, do të vijë dita kur Veteranët do të arrestohen edhe në Shqipëri, për shkak të obligimeve nga Interpoli! Osmani do të dal shpejtë me një deklaratë mbështetëse për Veteranët! Qika e babës së vet do të propagandojë të djathtën!”, ka shkruar Berisha.

Sipas tij, një gjë e tillë po bëhet për pushtet.

Pozitën dhe opozitën do ta luajnë këta të dy, në këtë lojë do të lëshohen liderët opozitar në mënyrë që të përfitojnë nga kjo “përçarje“ ndërsa popullit i mbetet të përcaktohen për Kurtin ose Osmanin! Njëri me Amerikën, tjetri me Evropë! Kurse, të dy kryeshyt me Rusinë! Në fakt, veç për pushtet e në dëm të shtetit”, ka shkruar ai.

Ndërsa, anëtari i Kryesisë së Nismës, Zafir Berisha, ka vlerësuar se një përplasje e tillë ka qenë e pritshme.

Ky grumbull i infantilëve politikë, se janë në pushtet aksidentalisht tregon edhe përplasja e dy “elefantëve” Vjosa-Albin për “namin” që i ndodhi Vjosës në Aeroportin e Shkupit. Po vizion e program, pa kurrfar strategjie për zhvillim dhe me pallavra e mashtrime, përdorën analfabetët funksional me slloganin pro-serbë “ta çlirojm Kosovën e cila është shkatërtu 20 vite” erdhën në pushtet, për ta shkatërrua gjithë atë që është arritur me partnerët perindimor nga Epoka e UÇK-së e deri sot, duke vën Kosovën nën sanksione të atyre që ndihmuan në bërjen e shtetit tonë. A u ngit Albin&Vjosa, a ende jo?!”, ka shkruar Berisha në profilin e tij në “Facebook”.

Lajme të ngjashme