Plasaritja e partneritetit Kosovë-ShBA: Shprehia shpërfillëse e Kurtit për të flakur tutje realitetin dhe amerikanët - NACIONALE

Plasaritja e partneritetit Kosovë-ShBA: Shprehia shpërfillëse e Kurtit për të flakur tutje realitetin dhe amerikanët

2 vjet më parë

nga NACIONALE

“E kemi mbështetjen ndërkombëtare dhe shumë mirë po shkon puna”.

Kështu ishte shprehur fare shkurt dhe i buzëqeshur Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pyetjes së një gazetare në një kohë kur ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, kishte thirrur shpejt e shpejt një numër gazetarësh tjerë për t’ua kumtuar mesazhin se “shtëpia (juaj) po digjet” pas komunikatës më të ashpër deri atë kohë të lëshuar nga Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken.

Kjo ishte fundi i majit të vitit të kaluar kur Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte vendosur t’i instalonte me një aparaturë të tërë forcash policore kryetarët e rinj shqiptarë të zgjedhur me as 3% të votës së përgjithshme në veri; kurs ky që për Blinken-in përbënte “masa të dhunshme”.

Dy kryetarët nga radhët e PDK-së, Ilir Peci dhe Izmir Zeqiri, as që e kishin ditur se po dërgohen në godinat komunale atë ditë; duke besuar se shteti kosovar do t’i përgjigjej thirrjes së QUINT-it të para 26-majit për të punuar në zyra alternativa sa për të kryer shërbime thjesht-bazike komunale.

ShBA kishte përjashtuar menjëherë dhe aty-për-aty Forcën e Sigurisë së Kosovës nga ushtrimi i madh i NATO-s, Defender 2023, si dhe ishte shprehur se po qe se kursi i ndjekur nga Qeveria e Kosovës do të vazhdonte,d ShBA do të ketë çka të bëjë.

Në potencial ishin sanksione tejet “të rrepta ndaj individëve dhe shtetit” në po atë kohë, siç shkruante Euronews me burime ndërkombëtare, më vonë të konfirmuara edhe nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një intervistë për RTV 21. Kjo e fundit u shpreh se kishte “punuar nga 24 orë” për t’i parandaluar këto sanksione.

Por, Kurtit kjo s’ia linte shenjë: “E kemi mbështetjen ndërkombëtare dhe shumë mirë po shkon puna”.

Shtatë-tetë muaj më vonë e njëjta shpërfillje.

Veshët kurrë kujt dëgjuar s’i kanë qortim dhe shpërthim më të madh amerikan se kohëve të fundit nga Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Jim O’Brien, kur për Zërin e Amerikës u detyrua të thotë se po qe se Kosova vazhdon dhe dëshiron të vazhdojë të mos e shoh ShBA-në si partnere, e njëjta gjë do të reciprokohet: Mospartnerititeti i ndërsjellë Kosovë-ShBA.

Aq e rëndë për nga tonet dhe aq e mprehtë për nga mesazhi, Jim O’Brien tregoi se si Kurti krejtësisht në anën e kundërt të ShBA-së ka vepruar duke i flakur tutje pa konsiderat kërkesat amerikane për çështjen e ndalimit medoemos ashtu-për-ashtu të dinarit për komunitetin serb.

Kurti tha “Jo”: Nuk po rrezikohen marrëdhëniet me ShBA-në.

“Republika e Kosovës nuk ka partner aleat edhe mik sikurse SHBA-në, kështu e konsideroj dhe bashkëpunoj si kryeministër i Kosovës”, tha ai krejtësisht duke shpërfillur gravitetin e situatës.

Edhe zëvendësi i tij, Besnik Bislimi – rëndom kontradiktor – iu drejtua mbrëmë intervistueses së tij me fjalët “nuk po e kuptoj se si të po e kupton si kërcënim” deklarimin e O’Brien.

Ndaj kësaj symshelje të çuditshme ndaj realitetit u desh sot ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, të del e të tregojë se kush thotë që nuk janë dëmtuar raportet Kosovë-ShBA “thjesht nuk po e thotë të vërtetëm” dhe po e “keqparaqet” gjendjen se si në fakt është.

“Jam i shqetësuar që ka deklarata pas kësaj interviste të O’Brien, që sugjerojnë që marrëdhënia mes Kosovoës dhe ShBA-së nuk është prekur dhe se nuk do të preket nga kjo situatë, më duhet të jem i qartë që kjo thjeshtë nuk është e vërtetë. Kështu nuk janë gjërat”, tha ai.

“Qeveria nuk po punon në partneritet me neve”, tha Hovenier.

Lajme të ngjashme