Pezullohet profesori Xhevat Krasniqi i akuzuar nga 27 studente për ngacmim seksual
Profesori Xhevat Krasniqi është pezulluar nga puna.
Kështu ka bërë të ditur rektorati i Universitetit të Prishtinës.
“Mbi bazën e vendimit të Këshillit të Etikës dhe rekomandimit drejtuar Rektoratit, Rektori i UP-së mori vendim për pezullimin nga puna të Prof. Xh.K., me efekt të menjëhershëm, sipas kornizës normative përkatëse, derisa të përfundojnë veprimet hetuese nga ana e prokurorisë se shtetit”, thuhet në njoftim.
Këshilli i Etikës ka propozuar që rasti të procedohet edhe në hetuesi.
“Këshilli i Etikës i rekomandon Rektoratit që çështjen e referuar kundër Prof. Xh.K. ta procesojë edhe formalisht në organet e hetuesisë dhe të bashkëpunojë me to”, thuhet aty.
“Këshilli i Etikës i Universitetit të Prishtinës refuzon sulmet brutale nga persona brenda dhe jashtë UP-së dhe kërkon përmbajtje dhe rezervim nga çfarëdo ndërhyrje dhe sulm ndaj UP-së, sidomos nga vetë anëtarët e stafit të UP-së. Me datë 22 prill, Këshilli i Etikës është sulmuar në mënyrën më të ashpër, pa arsye dhe në baza personale nga individë, të saktësuar në Vendimin e Këshillit të Etikës, që rezulton të jenë staf i portaleve, gazetarë, përfaqësues të OJQ-ve dhe staf akademik i UP-së.”
Profesori i Edukimit, Xhevat Krasniqi ishte denoncuar nga 27 studente se i kishte ngacmuar seksualisht ato.