Petritsch pesimist për dialogun gjatë vitit 2024: Nuk do të ketë shumë përparim - NACIONALE

Petritsch pesimist për dialogun gjatë vitit 2024: Nuk do të ketë shumë përparim

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Wolfgang Petritsch, ish-diplomat i njohur austriak, ka dhënë një intervistë të gjatë për Radio Evropën e Lirë, ku ka folur për shumë tema, përfshirë dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, që lehtësohet nga BE-ja e potencialin përshkallëzues të konfliktit. Çka tha diplomati i karrierës nga Austria?

Në intervistën e tij, Petritsch ka dhënë një mendim interesant në lidhje me normalizimin mes Kosovës dhe Serbisë. Sipas ish të dërguarit special për negociatat në Vjenë në mes Kosovës dhe Serbisë, ka deklaruar se çelësi për një zgjidhje të qëndrueshme me Serbinë është “dialogu i brendshëm me serbët në Kosovë”.

Petritsch është treguar pesimit për të ardhmen e dialogut mes palëve gjatë vitit 2024.

“Dialogu ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës është i rëndësishëm, mirëpo meqë nuk pritet të ketë shumë rezultat më 2024 – për shkak të zgjedhjeve – dialogu i brendshëm në Kosovë mund të ndikojë që më 2025 të ecet më afër normalizimit. Normalizimi i brendshëm është bazë për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet të dyja shteteve.” – ka thënë Petritsch.

“Mendoj që në vitin 2024 nuk do të ketë shumë përparim në aspektin e përfundimit të hapave që duhet të merren. Me zgjedhje në Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, më 2024, presioni politik prej Uashingtonit dhe Brukselit, nuk do të materializohet drejt një zgjidhjeje.” – ka shtuar Petritsch në lidhje me dialogun në vitin 2024.

Duke folur për mundësinë e përshkallëzimit të situatës në veri, diplomati veteran nga Austria ka deklaruar se sulmi në Banjskë të Zveçanit ishte “një pikë e ulët në marrëdhëniet në mes të Beogradit dhe Prishtinës.”

“Ne jemi të lehtësuar që situata nuk është përshkallëzuar, ndonëse ka pasur potencial. Mirëpo, kjo na tregon se ekziston rrezik i madh që bisedimet e gjata dhe të vazhdueshme ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, të cilat lehtësohen nga Bashkimi Evropian, të mos vazhdojnë më, ose të mos e kenë rëndësinë që e kanë pasur në të kaluarën. Në këtë aspekt, viti 2023 ka qenë njëmend vendimtar. Unë besoj që nëse nuk shfrytëzohet viti 2024, për ta nxitur BE-në dhe Beogradin e Prishtinën, që të mendojnë seriozisht për një qasje të re, atëherë nuk jam i sigurt nëse në vitin 2025 - pasi të kenë përfunduar zgjedhjet e vitit të ardhshëm - të ketë përparim substancial.” – ka theksuar ai, duke shtuar se viti “2025 do të jetë momenti i ri për të rinisur dialogun.”

Por çfarë mund të bëhet gjatë vitit 2024, sipas diplomatit të njohur austriak? Sipas Petritsch-it, gjatë vitit 2024, palët dhe komuniteti ndërkombëtar duhet të fokusohet në dy gjëra.

“Siguria është në rend të parë për vitin 2024, duhet të ketë përforcim të forcave ndërkombëtare në Bosnje e Hercegovinë (EUFOR-i) dhe Kosovë (KFOR-i), dhe ato misione të sigurojnë që incidentet sikurse ai në Banjskë, apo ndonjë incident tjetër i armatosur, të mos zhvillohet. Duhet pasur shumë vëmendje në aspektin e sigurisë.” – ka sqaruar ai.

Por cili është gjëja e dytë, ku duhet fokusuar gjatë vitit 2024?

“E dyta, viti 2024 duhet të shfrytëzohet – për shkak të vakuumit të udhëheqësisë në SHBA dhe BE - për të punuar më shumë në propozime. E përmendët Asociacionin, mendoj që është në interes të madh të Prishtinës, që të dalë me një propozim të drejtë. Kjo është e rëndësishme. E qartë që Beogradi kërkon sa më shumë për minoritetin e tij, minoritetet gjithmonë dëshirojnë më shumë autonomi. Por, duhet të ekzistojë një zgjidhje që është e drejtë ndaj minoritetit në njërën anë, dhe që nuk e shkatërron sistemin funksional në Kosovë, në anën tjetër.” – ka vlerësuar Petritsch.

Lajme të ngjashme