Petkoviq shpreh nervozën për kundërshtimin e kërkesës për kthimin e ushtrisë serbe në Kosovë
Drejtori i të ashtuquajturës zyrë serbe për Kosovën, Petar Petkoviq, ka folur sërish rreth kërkesës së Serbisë ndaj KFOR-it, për të mundësuar vendosjen e rreth 1 mijë trupave ushtarake serbe në veri të vendit.
Në një intervistë dhënë mediumit serb “Kurir”, Petkoviq pretendon se kërkesa e tyre është bazuar në argumente të forta dhe ligje ndërkombëtare.
“Për këtë arsye, nuk është befasuese që edhe para se të vijë përgjigja nga komandanti i KFOR-it, që është i vetëm përgjegjës për këtë, kemi parë përgjigje në publik nga shumë politikanë e ambasadorë përendimorë që e konsiderojnë vetën komandantë të KFOR-it.” – tha ai.
Vlen të përmendet se për kërkesën e Serbisë, i pari që reagoi fuqishëm kundër, ishte emisari amerikan në Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
“Ne e kundërshtojmë këtë kategorikisht, e hedhim poshtë kategorikisht. Nuk e mbështesim këtë fare. Unë gjithashtu dua të them se Kosova ka garanci shumë të forta sigurie nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.” – tha ai ditë më parë.
KFOR-i ndërkaq, nuk ka marrë vendim ende për këtë kërkesë, ndërsa gjatë javës që po lëmë pas, deklaroi se “aktualisht janë duke e shqyrtuar” të njëjtën.
“Aktualisht jemi duke analizuar kërkesën e fundit të Qeverisë së Serbisë. Ne do të vazhdojmë të ofrojmë një mjedis të sigurt dhe të sigurt dhe lirinë e lëvizjes që inkurajon dialogun produktiv, duke u dhënë udhëheqësve aftësinë për të krijuar zgjidhje afatgjata dhe të qëndrueshme, për të mirën e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë.” - thuhej në një komunikatë për media nga KFOR-i.
Çfarë thuhet në kërkesë?
Mediumi serb “Novosti” kishte publikuar një kërkesë për të cilën ishte pretenduar se është ajo që Serbia do t’ia dërgojë komandës së KFOR-it, për të mundësuar vendosjen e ushtarëve dhe policëve serbë në veri të Kosovës.
Sipas kësaj kërkese, për të cilën nuk është e sigurt nëse është zyrtare, Serbia po kërkon që trupat të vendosen në veri pasi është “e nevojshme të sigurohet mbijetesa e serbëve dhe komuniteteve të tjera”.
“Novosti”, raportonte se në këtë tekst janë të detajuara arsyet pse “është e nevojshme” ardhja e trupave serbe.
“Kjo lëvizje e autoriteteve serbe, e cila padyshim do të bëhet pjesë e historiografisë, nëse shikohet në mënyrë strikte ligjore, sigurisht që nuk është një goditje boshe. Sepse dispozita e Rezolutës 1244 është formuluar në atë mënyrë që nënkupton detyrimin për të mundësuar kthimin e ushtrisë dhe policisë sonë.” – thuhej në këtë kërkesë, siç pretendohet nga mediumi në fjalë.
Por më tutje, raportohej se në kërkesën e Serbisë, thuhet se “komandanti i KFOR-it nuk ka kompetencë diskrecionale për të vendosur nëse do ta lejojë këtë apo jo, por është i detyruar të lehtësojë ardhjen e forcave serbe në veriun e Kosovës”.
“Kthimi i ushtrisë dhe policisë së Republikës së Serbisë nuk është thjesht një mundësi, por Rezoluta e Këshillit të Sigurimit të OKB-së krijoi obligim për KFOR-in që ta mundësojë këtë kthim.” – raportohet se shkruan në këtë kërkesë.

