Pesë orë intervista - gjithçka çfarë thanë kandidatët për Kryeprokuror të Shtetit
Për gati 5 orë është zhvilluar procedura e intervistimit për pesë kandidatët që kanë synuar pozitën e Kryeprokurorit. Transmetimi i plotë i intervistave është bërë sot në transmetuesin publik. Gazeta Nacionale sjell thekset kryesore nga përgjigjet e kandidatëve dhe procedurat deri në zgjedhjen e Kryeprokurorit të ri.
Blerim Isufaj me 98 pikë prin bindshëm në garën për Kryeprokuror. Sipas rregullores së Këshillit Prokurorial, Isufaj pritet të jetë kandidati i vetëm që do të shkojë për votim në KPK. Kjo pasi, sipas rregullores nëse dallimi midis kandidatit të parë dhe të dytë është më shumë se 3%, atëherë për votim shkon vetëm kandidati që prin.
Gazeta Nacionale mbrëmë ka sjellur pikët e plota për kandidatët të cilat janë: Blerim Isufaj me 98 pikë, ndërsa pas tij radhiten Shqipdon Fazliu me 92 pikë, Kujtim Munishi me 84.2 pikë, Armend Hamiti me 80.6 pikë. E më së paku pikë në këtë garë mori Lulzim Sylejmani me 74.2 pikë. Tash, kandidatëve do tu dorëzohen pikët me shkrim, dhe ata do të kenë të drejtë ankese.
Transmetimi i intervistave është realizuar sot, dhe gazeta Nacionale sjellë përmbledhjen nga përgjigjet e tyre.
Armend Hamiti
I pari që u ulë në karrigen për tu intervistuar ishte Armend Hamiti, aktualisht prokuror në Prokurorinë e Prishtinës. Ai para anëtarëve të komisionit vlerësuar shpalosi planet e tij për përmirësimin e sistemit prokurorial, duke theksuar për së paku tri herë, luftën ndaj korrupsionit, krimit të organizuar dhe veprave të tjera penale.
Hamiti ka vlerësuar si prioritet rritjen e besueshmërisë së publikut në sistemin prokurorial, dhe për këtë ka përmendur edhe rritjen e bashkëpunimit me media.
“Mos të shikohet emri mbiemri, vetëm a ka prova e këto t’i çojmë në gjykatë, e atje t’i fitojmë rastet, jo pastaj të na rëzohen aktakuzat e kjo është keq. Konfiskimi i pasurisë do të ndikojë në kthimin e besimit. Kryeprokurori nuk duhet të qëndrojë gjithë ditën në zyrë, ne duhet të kemi koordinim të punëve”, ka thënë Hamiti.
Ai është pyetur për integritetin, e ku ka folur për raportimet në media, rreth takimit me një person që kishte të kaluar kriminale. Këtë, Hamiti ka thënë se ia kanë bërë qëllimshëm, duke e identifikuar të afërt me Vetëvendosjen.
“Asnjë shkelje disiplinore nuk e kam pasur. E kam parë një shkrim që ka qenë tendencioz dhe i orkestruar. Duket se jam duke i penguar dikujt. Njëherë më kanë thënë je me LDK-në, pastaj me PDK-në e AAK-në, tash po më thonë edhe me Vetëvendosjen. Këto janë shpifje ndaj meje dhe unë do të marrë masa ligjore”, ka shtuar kandidati për Kryeprokuror, Armend Hamiti.
Armend Hamiti renditet i katërti në këtë garë, duke qenë i vlerësuar me 80.6 pikë nga anëtarët e komisionit vlerësues.
Blerim Isufaj
Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, ishte kandidati i dytë që prezantoi planet e tij nëse e fiton pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit. Si objektiv kryesor, Isufaj ka përmendur rekrutimin dhe profilizimin e prokurorëve, si një nga metodat më të mira për ta rritur besueshmërinë e publikut në sistemin prokurorial.
Edhe Isufaj, tha se do të jetë prioritet luftimi i korrupsionit, krimit të organizuar, krimeve të luftës e terrorizmit.
“Ne synojmë ta krijojmë një system tek i cili beson publiku. Për të ardhur deri aty duhet të kemi një bashkëpunim me partnerët ndërkombëtar. Duhen prokurorë të guximshëm, e me një profil të tillë të prokurorëve, do të luftojmë korrupsionin, krimin e organizuar, krimet e luftës, dhunën në familje e veprat e tjera penale”, ka thënë Isufaj.
Kandidati Isufaj është pyetur edhe për reformat e nisura nga Ministria e Drejtësisë për Vetingun, duke thënë se reformat e tilla nuk duhet të ndërhyjnë në ndarjen e pushteteve.
“Jam pro reformave dhe këtu e them edhe Vettingun. Për mua Vetting është kur ekziston një mekanizëm permanent i kontrollit të prokurorëve. Ky mekanizëm do të bëhet që do të bëjë vlerësime të punës së prokurorëve, që duhet të jenë profesionale dhe të paanshme. Do të këmbëngul që të ruhet pavarësia e ndarjes së pushteteve dhe standardet ndërkombëtare”, ka thënë Blerim Isufaj.
Isufaj është kandidati që kryeson garën për Kryeprokuror me 98 pikë, dhe do të shkojë për votim në Këshillin Prokurorial. Nëse edhe aty e merr shumicën, emri i Isufajt do të shkojë për dekretim nga presidentja Vjosa Osmani.
Kujtim Munishi
Një tjetër Kryeprokuror u intervistua për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit. Por tash ishte Kujtim Munishi, udhëheqës me Prokurorinë Themelore të Prishtinës. Munishi ka thënë se prej kohës kur ka marrë detyrën e Kryeprokurorit në Prishtinë, ka pasur arritje të mëdha duke ofruar edhe disa shifra.
Munishi ka theksuar gjithashtu korrupsionin, krimin e organizuar e shpërlarjen e parave, si një nga problematikat kryesore me të cilat duhet të punojë sistemi prokurorial, dhe ai nëse bëhet Kryeprokuror.
“Kemi pasur rezultate shumë të mira në vitin 2021, kemi të zgjidhura 680 raste të dhunës në familje. Profilizimi i prokurorëve gjithashtu do të jetë prioritet. Kthimi i besimit të publikut duhet të ndodhë. Ne duhet të fokusohemi në kualitet të aktakuzave. E dijmë shumë mirë se sistemi prokurroial edhe pse ka qenë pandemi, kemi pasur rezultate të mira të punës. 91% e aktakuzave kanë marrë aktgjykime dënuese”, ka deklaruar Munishi.
Munishi ka prezantuar planin e tij për rritjen e transparencës nëse bëhet Kryeprokuror i Shtetit.
“Do të kërkojë raporte mujore nga kryeprokurorët e prokurorive. Komunikimi me mediat, me OJQ-të është mënyra e vetme për ta rritur besimin në institucionin e prokurorit të shtetit. Besimi kthehet nëse prokurorët janë të guximshëm, të pavarur, efikas dhe llogaridhënës. Mos të harrojmë se duhet të jemi afër me shoqërinë civile e mediat. Në çdo prokurori do ta instalojmë një zyrë për media, varësisht nga fluksi i lëndëve”, u shpreh Munishi.
Kujtim Munishi ka marrë 84.2 pikë nga komisioni, duke u renditur si i treti.
Lulzim Sylejmani
Kohën e tij e tejkaloi kandidati për kryeprokuror, Lulzim Sylejmani. Me përgjigje të stërzgjatura në disa raste duke tejkaluar edhe durimin e komisionit vlerësuar, Sylejmani u përgjigj për plot 70 minuta nga komisioni.
“Më shkurt se koha po na ik, përmendi mangësitë kryesore, jo në detaje se mbesim 24 orë”, iu drejtua Sylejmani kryesuesi i KPK-së, Jetish Maloku.
Sylejmani në prezantimin e tij ishte tejet kritik për sistemin prokurorial. Madje tha se ka pasur prokurorë joprofesionalë që ia kanë dëmtuar imazhin KPK-së.
“Kam arritur në përfundim se ka pasur mangësi të mëdha në mesin e disa prokurorëve të shtetit. Jo të akuzohet dikush pa bazë. Pa pasur prova. Rreth 50% ku palët kanë shprehur pretendime për akuza të paqëndrueshme, të njëjtat kanë qenë të arsyeshme dhe të drejta. Unë si prokuror i shteti t’i dalë në ndihmë cilësdo palë, të jap udhëzimet e duhura t’i kanalizojë çështjet në prokuroritë kompotente. Shumë shpesh kam ardhur në situatë të hartojë raport me të gjetura për shkelje që janë bërë nga prokurorët”, ka thënë Sylejmani.
Veten e lavdëroi tejet shumë Sylejmani, kur foli për përvojën e tij në sistemin prokurorial.
“Është përgjegjësi tejet e madhe sepse qytetarët e këtij shteti presin shumë nga ne. Unë kam treguar se di, mundem dhe ia dalë kur më jepet mundësia. Një ndër arsyet esenciale që më ka shtyrë për të besuar se e meritoj të jem njëri nga kandidatët për Kryeprokuror të shtetit, është edhe fakti që gjithmonë jam udhëhequr nga parimet më të larta etike e profesionale”, ka deklaruar Lulzim Sylejmani.
Lulzim Sylejmani ishte i fundit për kah radhitja e komisionit, në total ai mori 74.2 pikë.
Shqipdon Fazliu
I fundit që doli para komisionit ishte Shqipdon Fazliu, aktualisht coordinator për luftimin e krimeve ekonomike në kuadër të Prokurorisë. E pikërisht luftimin e krimeve ekonomike dhe korrupsionin, Fazliu e vlerësoi se e ka prioritet. Sipas tij, prokurorët ende nuk e dijnë për rëndësinë që ka konfiskimi i pasurisë.
Ai ka kërkuar takime të shpeshta dhe koordinuese të Prokurorisë me Policinë e Kosovës. Madje, Fazliu e pranoi se ka elemente korruptive në vetë Polici e Prokurori, andaj tha se do të ndërmerr masa të menjëhershme.
“Luftimi i elementëve korruptiv brenda oborrit tonë, duhet të jetë hapi i parë që duhet të ndërmerret. Ne duhet të inkurajojmë pafundësisht, të inkurajojmë mënyrën më të madhe të mundshme, të zbulojmë informata që ta luftojmë korupsionin edhe brenda vetë sistemit. Kjo duhet të jetë rruga e duhur”, ka thënë Fazliu.
Sipas tij, aktakuzat e prokurorëve duhet të jenë më të fuqishme dhe mos të ngriten pa pasur prova të mjaftueshme. Fazliu përsëriti qëndrimin për dobinë psaurore, luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.
“Ne kemi pasur sukses për luftimin e mashtrimit në zgjedhje e terrorizëm, ato janë rrugë e trasuar. Në anën tjetër, korrupsioni dhe dënimi i tij i profilit të lartë, krimet ekonomike me fokus në shpërlarjee e parave dhe veprat tjera të komplikuara duhet të luftohen në mënyrë që ta fuqizojmë prokurorinë. Nëse e pranojmë ku jemi keq, atëherë përmirësimi është më i lehtë”, theksoi Shqipdon Fazliu.
Shqipdon Fazliu është kandidati i dytë më i vlerësuar me 92 pikë.
Tash, komisioni vlerësues do t’i njoftojë me pikët e marra nga secili anëtar veç e veç. Menjëherë pas kësaj, kandidatët do të kenë 5 ditë kohë për të bërë ankesë.
Sipas rezultateve aktuale, emri i Blerim Isufajt do të shkojë për votim në Këshillin Prokurorial. Ai duhet ta marë shumicën e votive në votimin e fshehtë në KPK, që pastaj emri i tij të shkojë për dekretim në presidencë.