Përvjetori i shtatë: Kosova ende nuk e zbaton vendimin e Kushtetueses për Manastirin e Deçanit
Sot janë bërë shtatë vite kur Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur se 24 hektarët përrreth Manastirit të Deçanit t`i takojnë Manastrit. Verdikti i Kushtetueses kishte sjellë reagime të shumta në vend.
Pavarësisht kërkesave të vazhdueshme të ndërkombëtareve që ky vendim të zbatohet, institucionet e Kosovës kanë heshtur për këtë çështje.
Ndonëse vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të paapelueshme, asnjë prej qeverive të Kosovë nuk e ka marrë guximin që të filloi procedurat për regjistrimin e kësaj toke në pronësi të manastirit.
Një veprim të tillë nuk e ka ndërmarr as Qeveria Kurti.
Madje, kryeministri Kurti ka treguar se pse nuk e zbaton këtë vendim.
Në një intervistë për televizionin publik RTK, vitin e kaluar ai pati thënë vendimi i Kushtetueses legjitimon një vendim te mëparshëm të ish-presidentit të Serbisë, Sllobodan Millosheviq.
“Vendimet që janë marrë nga regjimi i Millosheviqit nuk do të duhej të pranoheshin si vendime të zakonshme të qeverisjeve legjitime e demokratike. E kuptoj që Manastiri i Deçanit duhet ta ketë një hapësirë rrotull dhe ata kanë nevojë për qetësinë e ambientit, e kuptoj që ata kanë nevojë edhe për ndihmën e qeverisë së Kosovës, por ne e kemi rezervën tonë të zakonshme për vendimet e regjimit të Millosheviqit të cilët për bindjen time, çuditërisht janë pranuar nga një aktvendim i Gjykatës Kushtetuese, e cila e ka trajtuar një lëndë pa kaluar ajo në fazat e zakonshme”, pati thënë Kurti.
Thirrjet e ndërkombëtarëve
Ndërkombëtaret asnjëherë gjatë kësaj kohe nuk janë ndalur së kërkuari zbatimin e këtij vendin.
Këto thirrje nuk kanë munguar as sot.
Përmes një njoftimi për media, misioni i OSBE-së në Kosovë ka kërkuar nga institucionet e Kosovës të zbatojnë vendimin.
"Pas shtatë vjetëve, vendimi i Gjykatës Kushtetuese për pronësinë e Manastirit të Deçanit të 24 hektarëve tokë mbetet në letër. OSBE-ja e përsërit thirrjen e vet ndaj institucioneve që ta mbajnë sundimin e ligjit dhe ta regjistrojnë tokën në emrin e Manastirit", ka vlerësuar OSBE-ja.
Për çdo vit vendet e QUINT-it lëshojnë komunikata për media, me anë të së cilave kërkojnë nga qeveria që ta respektojnë pavarësinë e gjyqësorit, duke nënvizuar se zbatimi i këtij vendi është edhe njëri ndër parakushtet për integrimin e Kosovës në institucionet evropiane.
Deri me tani këto thirrje kanë hasur në vesh të shurdhër.
Aktgjykimi i Kushtetuese
Më 20 maj të vitit 2016, Gjykata Kushtetuese e Kosovës pati ndërprerë sagën 16 vite të gjatë, të një kontesti ligjor, në mes ndërmarjeve shoqërore “Apiko” dhe “Iliria” në njërën anë, dhe Manastirit mesjetar të Deçanit në anën tjetër.
Kushtetuesja pati vendosur se 24 hektarët e kontestuara i takojnë Manastrit.
Vetëm një ditë pas këtij vendimi, kompanitë “Apiko” dhe “Iliria” i parashtruan kërkesë Gjykatës Kushtetuese, për vlerësimin e “ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë” duke kërkuar anulimin dhe revokimin e vendimit të Kushtetueses. Meqenëse vendimet e Kushtetueses nuk apelohen, një kërkesë e tillë nuk u mor parasysh.
Por, parasysh nuk u mor as vetë aktgjykimi.
Meqenëse Kushtetuesja po e shihte se vendimi i saj nuk po zbatohet, më 24 shtator, më një veprim të paprecedent, Kushtetuesja i dërgoi një letër Kryeprokurorit të Shtetit, atëbotë Aleksandër Lumezit.
Në letrën dërguar Kryeprokurorit të Shtetit, Gjykata Kushtetuese thekson që ajo “nuk ka kompetencë për vlerësimin e përgjegjësisë për moszbatimin e Aktgjykimeve të lartcekura nga autoritetet përgjegjëse” dhe ka thënë se “i takon Prokurorisë së Shtetit që të ndërmarrë veprimet e mëtejme, sipas autorizimeve ligjore, bazuar në Kodin Penal dhe atë të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës”.
Edhe pas kësaj letre të kushtetueses për Prokurorinë e Shtetit, gjendja në terren nuk ndryshoi. Vendimi nuk u zbatua.
Sipas shumë njohësve të rrethanave politike në vend, moszbatimi i këtij vendimin ka ndikuar që në Marrëveshjen Bazë në mes të Kosovës dhe Serbisë, e cila është arritur me 27 shkurt në Bruksel, të futet edhe neni 7.
Ky nen, nder të tjera, flet edhe për formalizmin e statusit të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë. Neni po vlerësohet si përpjekje për avancimin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë.


