Përtej një mashtrimi të sikletshëm, opozita tronditet nga akuzat dhe niveli i komunikimit të Kurtit
Skandali i mashtrimit ndaj Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, nga dy komedianët rusë, më shumë sesa një episod i sikletshëm – nxjerr një realitet të hidhur politik rreth mënyrës se komunikimit të kreut të qeverisë me liderët e shteteve, në sytë e opozitës.
Për rreth dhjetë minuta, kreu i qeverisë bisedoi me rusët duke besuar se po komunikonte me Presidentin e Letonisë, i cili së fundmi vizitoi Kosovën.
Përtej shqetësimeve rreth shkeljes flagrante të protokolleve të sigurisë shtetërore dhe dështimeve tjera logjistike, ajo që ka tronditur më së shumti spektrin politik është niveli i komunikimit që kryeministri zhvilloi me atë që ai besonte se ishte një lider shtetëror.
Mes tjerash, Kurti gjatë diskutimit drejtonte akuza ndaj opozitës, bizneseve dhe bëri disa deklarata të çuditshme ndaj Richard Grenell, i emëruar Special për Misione të Veçanta nga Presidenti Donald Trump.
Ish-diplomatja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku, e sheh skandalin e vërtetë jo tek mashtrimi në vetvete, por tek përmbajtja e diskutimit. Deklaratat e Kurtit gjatë bisedës i cilësoi si një “mjerim intelektual” dhe “turp politik”, duke e bërë këtë incident një temë të nxehtë debati.
“Edhe një herë, nuk është skandali që Kryeministri ra në grackë – ndodh edhe në filmat komikë. Skandali i vërtetë është ÇFARË u tha në atë bisedë. Mjerim intelektual, turp politik.”
Duke i reaguar arsyetimit të Kryeministrisë se “kishin shumë telefonata” pas zgjedhjeve, Çitaku u kërkoi t’i nxjerrin dëshmitë e urimeve. “Le ta zëmë se kjo është e vërtetë. Hajde t’u besojmë për një moment. Atëherë: Cilët liderë ju kanë uruar? Publikojeni një emër, një screenshot, një “thank you call”.”
Ndërsa në leximin e kreut të AAK-së, Ramush Haradinaj, biseda shpërfaq qëndrime në konstrast të thellë me interesant e vendit.
“Ata që nuk i bënë asnjë të mirë Kosovës, sot dolën edhe një herë qartazi, me video dhe me zë, kundër njerëzve të saj, kundër administratës së aleatit më të madh të Kosovës dhe, si zakonisht, kundër medias dhe operatorëve ekonomikë kosovarë.” – shkroi ndër të tjera Haradinaj.
Ndërsa, anëtari i Partisë Demokratike të Kosovës, Artan Behrami, e quajti “të pabesueshme” mënyrën se si kryeministri Kurti komunikon me diplomatë ndërkombëtarë.
“Tragjikomedi! Fillimisht qesha, e kur e pashë përmbajtjen, me erdhi të qaj. E pabesueshme niveli me të cilin komunikon kryeministri Albin Kurti me diplomatë ndërkombëtarë! Ajo çfarë u shpërfaq si mashtrim nxori në sipërfaqe yrnekun e komunikimit diplomatik të kryeministrit tonë, të cilin e aplikon me të gjithë përfaqësuesit shtetërorë. Këta njerëz Kosovën përfundimisht e kanë vendosur në hartën e shteteve jo serioze!” – tha ai mes tjerash.