Përralla e ‘shpalljes së okupimit të Kosovës’: Si nisi, çka u tha dhe si përfundoi? - NACIONALE

Përralla e ‘shpalljes së okupimit të Kosovës’: Si nisi, çka u tha dhe si përfundoi?

2 javë më parë

nga Xhezair Dashi

Etja e nacionalistëve serbë nuk arriti të shuhej me të ashtuquajturin “opsion të shpalljes së okupimit” të Kosovës.

Tabloidë serbë e kanale përcjellëse të tyre në Telegram nisën të shpërndajnë edhe citate nga Konventa e Hagës së vitit 1907.

Okupimi zgjatohet deri në atë territor ku autoriteti është i vendosur ose i mundshëm të ushtrohet”, citohej si rregull nga kjo Konventë në dhjetëra kanale në Telegram.

Kjo atmosferë morbide – ndonëse e nisur nga raportime tabloidësh të kontrolluar nga partia në pushtet në Serbi – u mbyll nga konferenca e radhës e Aleksandar Vuçiqit drejtuar serbëve për Kosovën.

Ekspertët tonë ligjorë ishin absolutisht kundër”, rënkoi presidenti serb referuar këtij prospekti të ushqyer për gjoja shpallje të Kosovës si “territor të okupuar”.

Dha edhe arsyetimet se pse ishte punë që s’bëhet. Numër një, tha ai, kjo shpallje do të përkthehej “në një numër pasojash të papranueshme...do të ishte njohje e Kosovës së pavarur”.

Disa rregulla të këtij “okupimi”, vazhdoi fantastiko-juridikisht Vuçiqi, “mund të aplikohen përmes analogjisë”; por se as realiteti që Kosova ka ushtri të saj, sipas tij, nuk mund të shpie te fakti se Kosova do të mund të konsiderohej si territor nën okupim.

Sepse por të shpallej okupimi, do të thotë që do t’ua njhnim statusin ligjor forcës së armatosur të shqiptarëve”, tha Vuçiqi, duke e llogaritur këtë për “arsye kyçe pse nuk e shpallëm okupimin”.

Okupimi, ose okupimi ushtarak, është i mundshëm vetëm në konflikte të armatosura ndërkombëtare. Kjo do të thoshte që ne e njohim territorin e Kosovës si territor të një shteti tjetër. Prandaj edhe nuk shkuam me masën e deklarimit të okupimit”, vazhdoi të ofshan të ai.

Për t’i vendosur kurorën e fundit këtij arsyetimi, Vuçiq tha se “kushdo që do ta nënshkruante këtë okupim të territorit do të kryente vepër kriminale”.

Për filozofin dhe profesorin universitar Blerim Latifi, krejt këto arsyetime janë “sofizma juridikë” të Aleksandar Vuçiqit që përfundimisht përkthehen në atë që Serbia “nuk mund të bëjë asnjë veprim militarist në veri të Kosovës”.

“Mendoj se në thelbin e tyre këto deklarata paraqesin një grumbull sofizmash juridikë, përmes të cilave Vuciqi synon të fsheh nje fakt të thjeshtë: ai nuk mund të bëjë më asnjë veprim militarist në veri të Kosovës për dy arsye”, tha Latifi në një përgjigje për Nacionalen.

E para bumerangu nga sulmi terrorist i 24 shtatorit dhe e dyta paralajmërimet e marra nga shefi i CIA's gjatë vizitës së fundit në Beograd”, përfundoi Blerim Latifi.

Për ekspertin kroat të çështjeve rajonale dhe kolumnistin e rregullt në “Al Jazeera Balkans”, Davor Gjenero, prej fillim-e-fund në konferencën e tij, Vuçiqi veçse “praktikisht tregoi që të gjitha problemet që ekistojnë i ka krijuar ai vetë”.

Kur flasim për këtë ‘okupimin’ kjo ishte vetëm retorikë për audiencë të brendshme; ngase ai gjithmonë dëshiron të krijojë pasiguri dhe pas kësaj po vjen sikur ‘Deus ex Machina’ duke këmbëngulur në vlerësimet se vetëm ai është ai që po udhëheq racionalisht politikën”, tha Gjenero për Nacionalen.

Një retorikë e tillë, për Gjenero, s’gjen audiencë “përveç te ajo që e ka ndërtuar vetë në Serbi” teksa vëmendjen e vendos te serioziteti i vizitës dhe mesazheve të shefit të CIA-s, William Burns.

Nuk do të ketë më shumë hapësirë manovruese për të shkaktuar çfarëdo problemi të re në Kosovë”, tha Gjenero.

Mendoj që ky ‘okupimi’ është vetëm deklaratë për politikë të brendshme dhe kjo nuk ka kurrëfarë ndikimi te ndërkombëtarët; dhe as në KFOR e NATO”, shtoi ai.

Lajmi i mirë, sipas Gjeneros, është mbështetja ndërkombëtare që ka marrë aktakuza e ngritur nga autoritetet kosovare për sulmin terrorist dhe paraushtarak në Banjskë të Zveçanit ndaj 45 personave, në mesin e tyre edhe liderin famëkeq të tyre, Milan Radojiçiq.

Krejt çka po ndodh në Serbi është thellësisht e lidhur me nisjen e këtij procesi”, na tha Gjenero.

Lajme të ngjashme