“Përqafime, zemra të pastra, solidaritet”: Urimet interesante të liderëve kosovarë për festën e Bajramit
Festa e Fitër Bajramit, që është një nga festat më të rëndësishme në kalendarin mysliman, zakonisht përcillet edhe me urimet e liderëve politikë, të cilët shkruajnë statuse, por edhe vizitojnë BIK-un. Njëjtë është edhe në këtë festë të Bajramit. Por si dhe çka uruan liderët e Kosovës?
Ndër të parët që shkroi për festën e Fitër Bajramit ishte kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili e postoi shkrimin e tij në ora 6:46 të mëngjesit, menjëherë pas faljes së namazit të Bajramit. Postimi i Kurtit, në fakt, përmes gjuhës, reflekton bindjet e tij të majta. Në shkrimin e tij, Kurti i përmendi të varfërit e të vetmuarit, duke kërkuar edhe solidaritet me ta.
“Si ditë e besimit dhe shpresave të reja qoftë ditë e ripërtëritjes së dashurisë për njeriun dhe njerëzoren. Në solidaritet me të varfërit e të vetmuarit, kjo festë ua mbushtë zemrat me mirënjohje.” – shkroi ndër të tjëra Kurti.
Ndërsa, pas tij, postoi edhe Glauk Konjufca, kryetar i Kuvendit të Kosovës dhe nënkryetar i LVV-së. Postimi i Konjufcës mund të cilësohet si shkrim i zakonshëm urimi. Megjithatë, Konjufca u tregua pak më metafizik, duke folur për nevojën e paqes, haresë, harmonisë e lumturisë, të cilat, sipas tij, duhet të jenë “prioritet ynë kryesor”. Konjufca përmendi edhe përqafimet e vizitat e familjarëve, duke uruar për ditë më të mira për vendin.
“Duke e vizituar dhe përqafuar njëri-tjetrin, le të ndajmë mikpritjen, dashurinë dhe mirënjohjen mes nesh, ashtu siç ndajmë edhe ëmbëlsirat. Shpresojmë që kjo festë të sjellë më shumë gëzim, shëndet dhe prosperitet për ju dhe familjen tuaj. Të udhëhequr nga kjo dashuri, të përkushtohemi edhe më shumë për të ndërtuar një të ardhme më të mirë dhe më të qëndrueshme në Kosovë dhe më gjerë.” – shkroi Konjufca.
Sigurisht, në këtë ditë feste, nuk ka munguar as urimi i Vjosa Osmanit, presidente e Kosovës, e cila është edhe përfaqësuese e unitetit të popullit. Në urimin e saj, Osmani shkroi për atmosferën e dashurisë, shpresës, solidaritetit e humanizmit. Sikurse Kurti, edhe zonja Osmani shkroi për njerëzit në nevojë, duke uruar edhe pranimin e lutjeve e sakrificave përgjatë muajit të Ramazanit.
“Le të shërbejë kjo ditë feste për të qenë më afër njëri-tjetrit, sikurse edhe për t`i mbështetur njerëzit e tjerë në nevojë. U pranofshin lutjet tuaja dhe sakrifica përgjatë muajit të Ramazanit dhe ju përcjelltë gjithnjë shëndeti, mbarësia dhe begatia në familjet tuaja!” – shkroi zonja Osmani.
Në karvanin e urimeve kanë marrë pjesë edhe liderët e opozitës. Memli Krasniqi, kryetar i PDK-së, që është partia më e madhe opozitare, uroi për pranimin e agjërimit të gjithë atyre që agjëruan.
“Sot, le të vlerësojmë bekimet e shumta që na janë dhuruar dhe të reflektojmë mbi thelbin e vërtetë të kësaj dite - rëndësinë e solidaritetit, kujdesit, harmonisë dhe unitetit mes njerëzve.” – shkroi ndër të tjera z. Krasniqi.
Rreth nevojës së solidaritetit shkroi edhe Lumir Abdixhiku, kryetar i LDK-së, partisë tjetër opozitare.
“Le të vazhdojmë të forcojmë edhe më tej këtë ndjenjë që muaji i shenjtë dhe festa e Fitër Bajramit na mësojnë. Atë të solidaritetit, të harmonisë e të kujdesit ndaj tjetrit. Në veçanti, le të kujdesemi ndaj atyre në nevojē.” – shkroi Abdixhiku në profilin e tij.
Ndërsa lider i AAK-së, Ramush Haradinaj, shkroi rreth rëndësisë së zemrave të pastra.
“Na përkujton se sa e rëndësishme është t'i mbajmë zemrat e pastërta dhe t'i hapim krahët atyre që kanë nevojë. Uroj që ky mesazh të përcillet gjeneratë pas gjenerate, duke ndarë të mirën dhe duke dëshmuar humanizmin, si vlerë e jona e patjetërsueshme.” – shkroi ndër të tjera z. Haradinaj.
