Përplasja për shaminë e detajet nga vizita e Haxhiut në Hagë – temat kryesore të emisioneve të debatit - NACIONALE

Përplasja për shaminë e detajet nga vizita e Haxhiut në Hagë – temat kryesore të emisioneve të debatit

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Diskutimet për kërcënimet ndaj drejtoreshës në Shkollën e Mesme Teknike “Nexhmedin Nixha” në Gjakovë kanë vazhduar edhe këtë të hënë. Përveç debatit mbi shaminë, sot e ftuar për intervistë në Kanal10 ishte ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila foli për herë të parë pas kthimit nga vizita në Gjykatën Speciale në Hagë.

Në Kanal10 Haxhiu ka treguar për gjendjen shëndetësore të ish-krerëve të UÇK-së dhe mënyrën se si e kalojnë kohën në paraburgim.

"Sa i përket shëndetit, janë të gjithë mirë, përjashtim Gucatit. Ka probleme me këmbën, me një plagë nga koha e luftës që ende s'e ka operu. E kemi ngritur si çështje ku ishte prezent edhe Kryqi i Kuq. Ta shohim si do të shkojë tutje. Ka qenë edhe kryqi i kuq. Selimi është energjik, na kishte treguar se ka bërë piktura, lexon, ashtu si edhe Krasniqi. E pyeta se a po shkruan apo po lexon më shumë? Krasniqi më tha që të dyjat. Me shëndet dukeshin mirë, mbaheshin të gjithë, ndonëse jemi të vetëdijshëm që po përballen me diçka të rëndësishme, pra po e mbrojnë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës", tha mes tjerash Haxhiu, shkruan Gazeta Nacionale.

Haxhiu tutje ka folur edhe për refuzimin e Hashim Thaçit e Kadri Veselit për takim.

Albulena Haxhiu e ka quajtur të paarsyeshëm mospranimin e kërkesës nga Thaçi e Veseli për t'u takuar me të duke thënë se problemet politike nuk duhet të jenë në mes të çështjeve të përbashkëta.

Ministrja e Drejtësisë ka folur edhe për zgjedhjen e kryeprokurorit të ri, ku mes tjerash, deklaroi se do të ishte më mirë të vazhdohet me kryeprokuror në detyrë, sesa me ndonjë pa personalitet.

"Kosova ka nevojë për procese fer dhe korrekte. Unë kam propozuar që Kryeprokurori të jetë një person jashtë Këshillit Prokurorial, megjithatë kështu nuk mendoi Komisioni i Venecias. Komisioni në fjalë ka propozuar që kryeprokurori të jetë nga Këshilli”, tha ajo.

Ndërsa në televizionin T7, u diskutua për çështjen e bartjes së shamisë nëpër shkolla.

Ky debat u riaktualizua pas kërcënimeve që mori drejtoresha e shkollës në Gjakovë, ku ishte ngjitur një poster në të cilën ndalohej shamia krahas armëve e cigares.

Në lidhje me debatin e nxitur për të drejtën e shamisë në shkolla, profesori universitar Blerim Latifi ka thënë se po harrohet neni krysor në Kushtetuën e Kosovës, i cili e deklaron vendin shtet laik dhe neutral në çështjet e besimit.

"Po harrohet neni kryesor i Kushtetutës së Kosovës që thotë se 'Kosova është shtet laik dhe neutral në çështjet e besimit' udhëzimi administrativ nuk është bërë arbitrarisht sepse në Kosovë askush nuk mund të bëjë ligje që janë në kundërshtim me kushtetutën e Kosovës. Nuk ka asnjë shans. Por duke qenë se tani nuk mund ta fitoni çështjen në Gjykatën Kushtetuese, keni zgjedhur të bëni zhurmë. Ky vend ka ligje, ky vend ka institucione. Kur ndiqni rrugën ligjore, ndiqni debatin rreth ligjit, mos i nxisni njerëzit të bëjnë kërcënime”, është shprehur Latifi.

Ndërkaq, panelisti tjetër, Sadri Ramabaja ka një version tjetër mbi këtë diskutim.

Duke iu referuar versionit gjerman të Kuranit, Ramabaja tha se me termin mbulesë Kurani i referohet mbulimit të organeve gjenitale.

“Këtu s’bëhet fjalë për shkelje të të drejtave të njeriut sepse këtu i garanton kushtetuta. problemi është se po interpretohen total gabimisht. Edhe veshja. Në përkthimin gjermanisht të Kuranit shamia nuk konsiderohet si bartje islame. Në përkthimin shqip nuk figuron atje kjo fjali. Në gjermanisht shënon taksativisht “mbulesë për organet gjenitale”. Mbulesa nuk është mbulesë gjenitale. Koka nuk është organ gjenital. Kjo është formë e islamit politik që po i imponohet shoqërisë shqiptare në përgjithësi”, ka thënë Ramabaja.

Kurse sipas aktivistes Zana Avdiu, debati për shaminë është çështje gjinore, sepse sipas saj, në udhëzime nëpër shkolla nuk ilustrohet ndalimi i pantollonave të shkurtër, si referencë për burrat, por ilustrohet shamia, duke marrë konotacion gjinor.

“Në udhëzime përmendet kozmetika, pse nuk përmendet që ndalohen pantollat e shkurtër ose diçka të ngjashme. Në institucionet e Kosovës kanë ardhur emaile me një listë të gjatë ku u përmendet grave çka bën me veshë çka s’bën me veshë, e qysh duhet me u dokë. Ndërsa për burra thotë “preferohet t’ketë kostume”. Kjo nuk është që po ndodh vetëm në shkolla, edhe shamia bëhet debat vetëm për këtë çështje, s’ka të bëjë me të drejtat e njeriut as me të drejtat e grave, hiç nuk ju interson për të drejtat e grave”, ka thënë Avdiu.

Kurse panelistja tjetër, Nora Huseinovic Veliu, që me profesion është avokate, ka thënë se është e pakuptimtë që një dispozitë e aktit nënligjor të jetë më e fuqishme se sa Kushtetuta e Kosovës.

"Për 13 vite me radhë kemi një dispozitë të aktit nënligjor që ndalon mbajtjen e shamisë në shkollat publike. Pse është kaq problematike? ... Në Kushtetutën e Republikës së Kosovës ekziston neni 38 i cili specifikon se qytetarët e Republikës së Kosovës kanë lirinë e besimit. Pra, lirinë e fesë”, ka thënë ajo.

“Ligji për Arsimin nuk parasheh në asnjë dispozitë të vetme ndalimin e veshjes së uniformës fetare”, shtoi avokatja.

Kurse hoxhë Husamedin Azabi ka dalë në mbrojtje ndaj reagimeve që i janë bërë drejtoreshës.

Ai thotë se këto lloj linçime janë gjëra të huaja dhe nuk na përkasin neve. Sipas tij, edhe jofetarët kanë qenë të indinjuar me rastin e shkollës në Gjakovë.

Tutje, hoxha tha se Nënë Tereza nuk është vlerë kombëtare.

“Nënë Tereza nuk është vlerë nacionale. Shumë më vlerë nacionale kishte me qenë Mulla Idriz Gjilanin me pasë nëpër institucionet tona, por nuk e ke askund”, deklaroi Abazi.

Në Tëvë 1, Isa Mustafa, ish-kreu i LDK-së, ka folur përsëri për çështjen e Asociacionit, duke thënë se ai duhet të bëhet në bazë të Marrëveshjes së 2013-ës.

“Të gjithë ne i kemi të qarta rrugët për me e bë ose jo asociacionin. Në qoftë se bëhet, bëhet sipas marrëveshjes së vitit 2013. Marrëveshja është mjaft e përgjithshme, sepse marrëveshja thotë se duhet të përcaktohen parimet. Ne në marrëveshjen e vitit 2015 kemi punuar në parimet, e jo në marrëveshje për themelim, sepse marrëveshja për themelim ka qenë e vitit 2013”, tha Mustafa në Tëvë1.

E në Dukagjin, analistët e rregullt të emisionit Debat Plus kanë diskutuar për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës e Serbisë pas zgjedhjeve serbe të 3 prillit, ku fitues doli Aleksandër Vuçiq, president i deritanishëm i shtetit serb.

Lajme të ngjashme