Përplasja e Konjufcës me Listën Serbe, Deda: Për ta larguar vëmendjen nga punësimet e familjarëve të pushtetarëve
Analisti politik Ilir Deda ka komentuar përplasjen e djeshme te kryeparlamenatrit Glauk Konjufca, dhe të VV-së me deputetët e Listës Serbe.
Në emisionin “Rubikon”, ai ka thënë se këtë gjë Konjufca e ka bërë vetëm sa për të larguar vëmendja nga punësimi i gruas së ministrit Liburn Aliu dhe nipit të zëvendëskryeministrit Besnik Bislimit në Bord të KOSTT-it.
Ai ka treguar se kur ka qenë VV-ja në opozitë edhe për gjera më të vogla ka reaguar.
“Për ta shmangur vëmendjen nga punësimi i familjarëve të pushtetarëve. Këta u kënaqen duke punësuar familjarë, unë s’po mundem me besu. Unë sa më shumë po e shoh se qysh po qeverisin, unë po pyes: Pse kemi qenë aso opozite në të kaluarën? Për shumë më pak keqpërdorime ne patëm thënë: Jo, s’bën kështu, s’bën kështu. Tash këta e bëjnë rrush e kumbulla dhe kurgjo kërkujt. Dhe mendon Glauku se flet qashtu diçka dhe ka me i marrë 50 për qind”, ka thënë Deda.
Në seancën e djeshme, deputetët e VV-së në Kuvendin e Kosovës kanë votuar për anëtar të Bordit të Drejtorëve të KOSTT-it Lumnije Zekën, bashkëshorten e Ministrit Liburn Aliu dhe Gëzim Tosunin, nipin e zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi.