Përpjekja e gjashtë: VV-ja nuk heq dorë nga propozimi i parë, partitë tjera nuk kanë votë për Haxhiun
Deputetët e Kuvendit të Kosovës sërish sot do të bëjnë përpjekjen e radhës për të zgjedhur kryetarin e tyre dhe për të përmbyllur seancën konstituive të legjislaturës së nëntë, e cila ka filluar më 15 prill.
Në vazhdimin e seancës konstituive, e cila pritet të ndodhë në ora 10:00, rendi i ditës do të jetë i njëjtë, zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarëve.
As në përpjekën e gjashtë të deputetëve për të konstituimin duket se nuk ka shpresë.
Nëse marrim për bazë qëndrimet që e partive politike para kësaj seance, nuk pritet as sot që seanca të jetë e suksesshme.
As VV-ja dhe as partitë tjera nuk kanë ndryshuar qëndrim.
Derisa partia e Albin Kurtit VV-ja ka këmbëngulur në zgjedhjen e deputetes Albulena Haxhi kryeparlamentare, partitë tjera kanë bërë me dije se nuk do ta votojnë këtë kandidaturë.
Ndonëse Haxhiu tri herë radhazi nuk ka marrë votat e nevojshme, VV-ja ka bërë me dije se edhe sot do ta propozojë të njëjtën për kryetare të Kuvendit.
Një gjë të tillë e ka bërë me dije kryesuesi i seancës, Avni Dehari.
“Nuk ka ndërruar emri”, tha në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë.
Ai ka treguar se sot nuk do të ketë takim konsultativ me partitë politike.
“Jo, e kemi kryer takimin konsultativ, tash do të vazhdojmë me mbledhjen, siç është në plan”, është Dehari.
Ndërsa, përfaqësuesit e partive tjera kanë bërë me dije se as kësaj here nuk do ta votojnë Haxhun për kryetare të Kuvendit.
Deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj, ka bërë me dije se kjo parti nuk ka ndryshuar qëndrim lidhur me votimin e Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit.
Ai ka treguar se VV-ja nuk ka reflektuar në raport me këtë çështje dhe qëndrimi i PDK-së tashmë dihet.
Sipas tij, Albulena Haxhiu nuk është e denjë për të udhëhequr institucionin e Kuvendit të Kosovës.
“Qëndrimin e njëjtë do ta kemi për shkak se nuk ka pas reflektim nga partia që ka qenë në pushtet. PDK nuk do të votojë një person i cili është person jo i denjë për të udhëhequr Parlamentin e Kosovës, person që ka qenë përçarëse gjatë gjithë karriges së saj politike… Një person që nuk ka bërë asgjë të mirë për vendin. Duhet të ndryshojnë qasje, të tentojnë të krijojnë numrat duke përdorë mekanizmat legal të bashkëbisedimit me partitë e prezantuara në PK, por jo me kokëfortësi duke propozuar në kandidate duke e ditur që ajo kandidate nuk do të votohet nga partitë tjera shqiptare”, ka thënë Qalaj për Tëvë1.
Edhe nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka bërë me dije se kjo parti nuk ka ndryshuar qëndrim në lidhje me votimin e kryeparlamentarit.
Ai ka treguar se deputetët e LDK-së sërish sot do të jenë në sallë të Kuvendit, por nuk do të votojnë asnjë propozim të VV-së.
“Në ora 10:00 LDK sërish paraqitet në Kuvend me grupin e saj parlamentar dhe qëndrimin ne e kemi, votën e kemi të deklaruar dhe e kemi atë qëndrim”, ka deklaruar Haziri për Front Online.
Sipas tij, qëndrimet e LDK-së për këtë çështje nuk kanë të bëjnë vetëm me emrin që VV-ja e ka propozuar për këtë post.
“Për LDK-në nuk është problem emri i përveçëm, sepse VV-së i takon me bërë propozimin, është në vlerësimin e tyre se kë e kandidojnë”, është shprehur Haziri.