“Përgjithmonë UÇK”: VV-ja ‘ekzaltohet’ nga fjalimi i Selimit në Hagë, shpërndajnë video e citate - NACIONALE

“Përgjithmonë UÇK”: VV-ja ‘ekzaltohet’ nga fjalimi i Selimit në Hagë, shpërndajnë video e citate

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Rexhep Selimi, ish-shef i grupit parlamentar të VV-së, sot ka mbajtur një fjalim të gjatë, shumë të gjatë para Gjykatës Speciale në Hagë. Selimi, që po gjykohet për krime lufte e krime kundër njerëzimit, foli gjerë e gjatë në lidhje me aktivitetin e tij në luftën për liri e çlirim të Kosovës nga Serbia.

Në fjalimin 14-minutësh solli shumë emocione, pasi Selimi foli për marrëdhënien e tij me Adem Jasharin, ish-komandant legjendar i UÇK-së, duke treguar kontekstin kohor e krimet e Serbisë ndaj shqiptarëve në luftën e fundit.

“Krejt çka mund të bënim ne ishte ta ndiqnim rrugën e Adem Jasharit. Disa e bënë të parën, ranë duke luftuar, e disa e bëmë të dytën, e mbijetuam luftën deri në përfundimin e saj. Në ato ditë të rënda për Kosovën, vazhduam të rezistonim, ashtu siç dinim e mundnim. Donim ta kishim një ushtri të armatosur mirë. Donim të kishim ushtri të organizuar mirë, por nuk ia arritnim. Donim ta mundnim Serbinë, por nuk ia arritëm pa ndihmën e shteteve nga jashtë. Këtë e bëmë për të mbijetuar si njerëz të vendit ku ishim lindur. Nuk kishim kazerma. Kishim shtëpitë e familjeve tona e të tjera që na mbanin. Nuk kishim akademi ushtarake.Por na kishin mësuar prindërit se si duhet të mbrohemi e luftonim për vendin tonë.” – shkroi ai.

Reagimet…

Fjalimi i Selimit, përfshirë citate nga fjalimi i tij, kanë filluar të shpërndahen gjerësisht, posaçërisht nga aktivistët e VV-së. Sigurisht, ndër reagimet e para ishte ai i bashkëshortes së Rexhep Selimit, Shqipe Selimit, e cila është po ashtu deputete e VV-së.

“Përgjithmonë UÇK” – shkroi zonja Selimi, postimi i sëcilës mori mbi 500 pëlqime.

Tinka Kurti, deputete e VV-së, e shpërndau fjalimin e plotë të Selimit, duke shkruar se liria ka histori.

“Fjalimi i plotë sepse liria ka histori. Kur kërcënohesh si nxënës e pastaj si student rruga më e drejtë është ajo e çlirimit.” – shkroi ajo, postim që mori edhe pëlqimin e Fitore Pacollit, deputete e VV-së.

Fjalimin e plotë e ka shpërndarë edhe Valon Hoti, aktivisti e koordinatori i qendrave të VV-së, duke shkruar se Selimi e ka mbrojtur çdoherë UÇK-në.

“Rexhep Selimi e ka mbrojtur çdoherë UÇK-në në mënyrën siç edhe e ka patur angazhimin në të përherë, të vërtetë, për ideal, për çlirim e liri. Për vlerat që ka përfaqësuar UÇK, për vlerat që është angazhuar populli ynë, ju ftoj ta ndiqni fjalimin plotë të 10-shit, aty para Gjykatës së Hagës.” – shkroi z. Hoti.

Ndërsa deputeti tjetër i VV-së Agon Batusha e shpërndau një citat të selimit.

Çka tha Rexhep Selimi?

Në fjalimin e tij, ish-anëtari i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi, i kërkoi Dhomave të Specializuara që opinionet politike që ka pasur me ish-krerët tjerë të UÇK-së të mos përdoren si fakte juridike kundër tyre. Pra Selimi bëri paqe me Thaçin, Veselin e Krasniqin, me të cilët në liri kishte rivalitet politik.

“Më duhet të theksoj e të them se dallimet dhe opinionet politike mes nesh nuk duhet dhe nuk mund të përdoren si fakte juridike kundër askujt e po ashtu kundër ne të bashkëakuzuarve. Në këto qaste kur ne flasim e po na shohin qytetarët, kam shumë besimin se të gjithë së bashku do ta nxjerrim të vërtetën. Dhe unë bashkë me bashkëluftëtarët e mi do të kthehemi të lirë, për të cilin luftuam gjatë gjithë jetës tone.” - ka thënë ai.

Tutje, z. Selimi theksoi se asnjëherë nuk ka dashur të luftojë, por lufta iu imponua.

“Lufta nuk është e mirë asnjëherë e për askënd. Ne luftën nuk do ta zgjidhnim kurrë as si profesion e as si pasion. Por ishte domosdoshmëri për mbijetesën si komb e shoqëri. Shtypja vazhdonte në anën tjetër ndaj shqiptarëve. Serbia kreu qindra masakra, vrau mbi 12 mijë shqiptarë. Forcat serbe dhunuan mijëra gra e vajza të pambrojtura. Dogjën me qindra mijëra shtëpi. Dëbuan gjysmën e popullatës. Ne asnjëherë nuk bëmë atë që bënte Serbia. Nuk përgjigjemi njëjtë.” - ka thënë ai.

Lajme të ngjashme