Përfundon takimi Kurti-Lajçak-Hovenier: Çfarë u diskutua? - NACIONALE

Përfundon takimi Kurti-Lajçak-Hovenier: Çfarë u diskutua?

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ka përfunduar takimi ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, emisarit të BE-së për dialog, Miroslav Lajçak e ambasadorit të Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier.

Nacionale mëson se takimi ka përfunduar, përderisa kryeministri Kurti është larguar pa folur për mediat të cilat po prisnin tek dera e hotelit.

Kurti para takimit me Lajçak kishte pasur takim edhe me ambasadorët e vendeve të QUINT-it.

Në një komunikatë për media, Qeveria dha detaje lidhur me këtë takim.

“Temë qendrore e diskutimit ishte procesi i dialogut, propozimi evropian dhe rruga përpara. Kryeministri Kurti i njoftoi ata me qëndrimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës përfshirë këtu edhe gjashtë pikat e prezantuara në Seancën e Kuvendit javën e kaluar në lidhje me marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013”

“Ndër të tjerash, ai tha se Kosova ka dëshmuar përkushtimin e saj për dialog përmes qasjes konstruktive dhe propozimeve kreative. Ai po ashtu shprehu gatishmërinë e tij për takime të radhës në Bruksel të nivelit të lartë politik dhe intensifikim të procesit të dialogut për normalizim të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me njohjen reciproke në qendër”, thuhet në komunikatë.

Ky takim vjen pikërisht pak ditë pasi Kurti prezantoi gjashtë kushtet e tij për zbatimin e Asociacionit.

Sot në një intervistë për AP, Kurti kërkoi nga ndërkombëtarët të mos bëjnë presion për këtë temë.

“Nëse ne futim në Ballkanin Perëndimor idenë e asociacionit të komunave me bazë etnike, kjo është një recetë për konflikte të reja”, tha Kurti.

“Fuqitë perëndimore nuk duhet të bëjnë presion mbi vendet më të vogla si Kosova, të cilat janë demokratike. Problemet mes Kosovës dhe Serbisë mund të jenë të vogla dhe të bezdisshme, por ata duhet t'i kushtojnë vëmendje asaj që ka ndodhur në rajon sepse "çdo lloj zgjidhje e gabuar në Ballkan mund dhe do të përdoret diku tjetër", theksoi më tutje kryeministri i Kosovës.

Pas preznatimit të këtyre kushteve, pati reagime të shumta nga partitë në opozitë e analistët.

Gjashtë kushtet e Kurtit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, vetëm pak ditë më parë në Kuvendin e Kosovës bëri publike gjashtë kushtet e tij për Asociacionin.

Këto janë gjashtë kushtet e Qeverisë Kurti:

Asociacioni duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi në Republikën e Kosovës.

Asociacioni nuk mund të jetë monoetnik, duhet të ndërrojë emrin, nuk mund të ketë/bartë asnjë pushtet publik apo ekzekutiv dhe duhet t’i shërbejë vetëm bashkëpunimit horizontal të komunave sipas Kushtetutës dhe ligjit për vetëqeverisje lokale (kreu 5).

Të drejtat e pakicave kombëtare dhe mekanizmat mbrojtës përkatës duhet ta ngërthejnë parimin e reciprocitetit ndërmjet dy shteteve respektive si dhe të marrin parasysh standardet dhe modelet evropiane.

4. Para vendosjes së Asociacionit, strukturat ilegale të Serbisë në veri shuhen dhe bëhet dorëzimi i të gjitha armëve ilegale.

5. Asociacioni është pjesë e marrëveshjes finale dhe zbatohet pas njohjes reciproke. Dhe vetëm pasi Serbia t’i ketë pranuar parimet e Kartës së Organizatës së Kombeve të Bashkuara në raportet e saj ndërshtetërore me Republikën e Kosovës.

6. Presidenti i Serbisë i tërheq letrat e dërguara te pesë shtetet anëtare të BE-së, dhe tek të tjerat, për mospranimin e aplikimit të Republikës së Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian që paraqet edhe shkelje të po asaj marrëveshjeje Thaçi-Daçiq të 19 prillit 2013.

Lajme të ngjashme