Përfundon procesi zgjedhor në katër komunat veriore të Kosovës
Në ora 19:00 ka përfunduar procesi zgjedhor në katër komunat veriore të Kosovës.
Gjatë ditës është raportuar se vetëm një numër i vogël i qytetarëve kanë dal për të votuar në këto zgjedhje.
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, në një konferencë të mbajtur në orën 15:30 ka bërë publike statistikat.
Nga katër komunat e veriut, dalja më e madhe ishte në Zubin Potok dhe në Mitrovicën e Veriut.
“Në komunën e Leposaviqit numri i qytetarëve që kanë votuar është 110 apo 0.83%. Në Zubin Potok janë 240 apo 3.6% Në Zveçan 145 votues apo 2.075% Në Mitrovicën e Veriut 597 votues apo 3.3%”, deklaroi Elezi, raporton Nacionale.
Ai ndër të tjera kishte bërë të ditur se nuk është regjistruar asnjë incident.
Vuçiq i “gëzuar”
Derisa po bënte nderime për viktimat e Jasenovacit të Luftës së Dytë Botërore, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se ndjehet krenar për një gjë – që serbët u thanë jo këtyre zgjedhjeve në Kosovë. Tha se “vetëm disa serbë” kanë dalur në votime, tha se kjo “është dëshmi” që serbët nuk do t’u shërbejnë “interesave të huaja”.
“Me krenari e them se deri më tash vetëm disa serbë kanë dalur në votime në katër komunat bashkërisht. Serbët nuk do t’u shërbejnë interesave të tjerëve. Ata duan paqe me të gjithë, të respektojnë të gjithë, por mbi të gjitha të luftojnë për interesat e popullit të tyre”, ka thënë ai.
Bislimi, Sveçla, Konjufca ishin “të bindur”
Shpjegimet s'kishin se si të mos i kishin më të thjeshta dhe përktheheshin kështu: Nuk po i duan qytetarët serbë atje më Listën Serbe.
“Lista Serbe ka humbur përkrahjen e qytetarëve serbë në Veri andaj edhe nuk dëshiron të futet në zgjedhje”. Ky ishte një pohim i rrehur ditëve të fundit nga Zëvendës Kryeministri Besnik Bislimi dhe Ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla.
Këto dy të fundit thonin të kenë parë sondazhe “kredibile” që ne nuk i kemi parë duke provuar të lënë të kuptohet se dinë diçka më shumë se të tjerët. Zgjedhjet do të mbahen gjithsesi sepse shteti “nuk guxon” t’i nënshtrohet asaj që ata e quajnë “shantazh të Listës Serbe”. Andaj – ndonëse nëpër kontenjerë e në pamundësi sigurimi të zgjedhjeve normale e të lira – zgjedhjet janë punë e kryer.
“Zgjedhjet janë themel i demo-kracisë”, i thoshte Bislimi Zërit të Amerikës pyetur se a mund të mbahen zgjedhjet në katër komunat veriore të populluara me shumicë serbe, por dështonte të tregonte nëse “demos”-i i atyre zonave do të dalë në votime për të konkretizuar “kracinë” komunale.
“Ka vullnet nga parti politike atje që të marrin pjesëmarrës në zgjedhje”, thoshte ai. “Ky vullnet mungon nga vetëm një subjekt politik”, vazhfonte ai ai, duke i dhënë një nënkuptim thuase ata qëndrojnë diku minimalisht në përkrahje qytetare në ato zona.
“Kanë parë rënien e madhe të besimit te qytetarët ata duan ta kamuflojnë përmes ikjes së mbajtjes së zgjedhjeve”, thotë ai, ndërsa për shtyrjen e zgjedhjeve thotë se “nuk është opsion i mirë”. Veç Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha Bislimi, kërkon shtyrjen e zgjedhjeve, ndërsa në mënyrë implicite e godiste edhe kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili ka bërë thirrje për shtyrjen e zgjedhjeve. “Është shumë gabim që zëra nga politika edhe në Kosovë i bashkohen kësaj narrative të Vuçiqit”, ka thënë ai.

