Befason Zubin Potoku: Kjo është pjesëmarrja në zgjedhjet në veri deri në orën 15:00
Mitrovica e Veriut, Leposaviqi Zubin Potoku e Zveçani janë katër komunat e veriut ku sot po zhvillohet një proces zgjedhor. Megjithëse deri më tash nuk ka pasur ndonjë problem, dalja është tejet e ulët.
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, në një konferencë të mbajtur në orën 15:30 ka bërë publike statistikat.
Nga katër komunat e veriut, dalja më e madhe është në Zubin Potok dhe në Mitrovicën e Veriut.
“Në komunën e Leposaviqit numri i qytetarëve që kanë votuar është 110 apo 0.83%. Në Zubin Potok janë 240 apo 3.6% Në Zveçan 145 votues apo 2.075% Në Mitrovicën e Veriut 597 votues apo 3.3%”, deklaroi Elezi, raporton Nacionale.
Ai ka bërë të ditur se deri më tash nuk është regjistruar asnjë incident.
Për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor në katër komunat e veriut janë angazhuar forca më të shtuara të policisë. Nëpër këto komuna janë parë edhe vetura të KFOR-it.
Pjesëmarrja bazuar në vitin 2021
Nëse do të numëronim vetëm votuesit që kishin votuar kundërkandidatët e Listës Serbe në zgjedhjet e vjeshtës së vitit 2021 për kryetarë komunash, atëherë pjesëmarrja do të ishte si vijon:
Mitrovicë e Veriut – 5.95 për qind;
Leposaviq – 1.56 për qind;
Zubin Potok – 3.92 për qind;
Zveçan – 1.56 për qind.
Ndërkohë, deri në orën 11:00 përqindja ishte si vijon:
Mitrovicë e Veriut – 1.05 për qind;
Leposaviq – 0.21 për qind;
Zubin Potok - 1 për qind;
Zveçan: 0,41 për qind.
Reagimet
Lista Serbe vendosi të mos marrë pjesë në këto zgjedhje. Madje, ajo iu bëri thirrje edhe të gjithë qytetarëve serbë të mos dalin për të votuar.
Në deklaratë thuhet se kjo parti i bën thirrje “të gjithë popullit serb” që të qëndrojë i qetë të dielën dhe të mos bjerë në “provokimet e regjimit të [kryeministrit të Kosovës] Albin Kurti”, qëllim i vetëm i të cilit, siç tha, është “dëbimi i serbëve nga veriu”.
Në deklaratën e saj, po ashtu, thuhet se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, “dëshiron t’i pushtojë komunat e veriut të Kosovës” përmes “kryetarëve pushtues”.
Për asnjërin prej këtyre pretendimeve, Lista Serbe nuk solli ndonjë provë që do t’i mbështeste ato.
“Serbët duhet t’i shikojnë me përbuzje të gjithë ata që planifikojnë të dalin dhe të marrin pjesë në këtë proces të paligjshëm zgjedhor, që është kundër interesave të popullit serb”, tha Lista Serbe.
Në anën tjetër edhe bashkësia ndërkombëtare e ka kritikuar faktin që Lista Serbe ka vendosur të mos marrë pjesë në këtë proces.
“Që kur serbët u larguan nga institucionet në veri të Kosovës në nëntor të vitit 2022, BE-ja bashkë me partnerët tanë, ishte angazhuar me të dyja palët për të ulur tensionet dhe që serbët e Kosovës të përmbushnin obligimin e tyre nga dialogu dhe të ktheheshin në institucione, ndërsa për Kosovën të mundësojë që ky kthim të realizohej. Deri më tani, pak përparim është arritur në këtë pikë. Është imperative që të kthehemi në situatën në të cilën serbët e Kosovës marrin pjesë në mënyrë aktive në qeverisjen lokale, polici dhe gjyqësor në veri të Kosovës. Na duhet që të dyja palët të luajnë rolin e tyre në këtë drejtim”, ka deklaruar Stano nga BE-ja.
Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, ka thënë se vendi i tij nuk ka ndryshuar qëndrim për mbajtjen e zgjedhjeve.
Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, Hovenier iu ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të dalin në zgjedhje. “Të gjitha përpjekjet për të penguar mbajtjen e zgjedhjeve përmes kërcënimeve apo përdorimit të dhunës, do të përballen me dënimin e fuqishëm të komunitetit ndërkombëtar”, ka deklaruar Hovenier.
Ai ka bërë me dije se Shtetet e Bashkuara se bashku partnerët e tyre do ta vëzhgojnë nga afër procesin zgjedhor.


