Perëndimi e quan ‘jolegjitime’ fitoren e Putinit, Millorad Dodiku ngazëllehet
Me 87% të votave, Vladimir Putin ka fituar mandatin e pestë për postin e Presidentit të Rusisë.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky e ka përshkruar rezultatin si ‘jolegjitim’.
“Gjithskush në botë e di se ky person, si shumë të tjerë përgjatë historisë, janë sëmurë nga pushteti dhe nuk do t’i ndalojë asgjë që të qëndrojnë përgjithmonë në pushtet”, tha Zelensky, shkruan Guardian përcjell Nacionale.
Këshilltari për siguri kombëtare i ShBA-së, John Kirby, tha se ‘zgjedhjet në Rusi nuk ishin as fer e as të lira’.
“Këto zgjedhje nuk ishin as të lira e as fer duke qenë që Putini ka burgosur kundërshtarët e tij politik dhe të tjerëve, ua ka ndaluar të kandidojnë kundër tij”, tha Kirby.
Sekretari i jashtëm britanik, David Cameron, i ka përshkruar zgjedhjet në Rusi thjeshtë si ‘ilegale’.
“Kjo nuk është mënyra se qysh duken zgjedhjet e lira dhe fer”, tha Cameron.
Ministri i jashtëm italian, Antonio Tajani, po ashtu tha se ‘zgjedhjet nuk ishin as të lira e as fer’.
Ministri i jashtëm çek, Jan Lipavsky, ndërkohë i ka quajtur zgjedhjet në Rusi si ‘farsë dhe parodi’.
“Këto zgjedhje treguan se si regjimi i Putinit ka shtypur shoqërinë civile, median e lirë dhe opozitën”, tha ai.
Për dallim prej zërave kritik perëndimorë për zgjedhje të tilla në Rusi, aleatët e Putinit e kanë uruar atë për fitoren.
Ministria e jashtme e Kinës, tha se ‘Kina dhe Rusia janë fqinjtë më të mëdhenj dhe partner strategjik në epokën e re’.
Edhe Millorad Dodiku i Republikës Srpska në Bosnjë e Hercegovinë, qëndron si aleat i Putinit, si gjithnjë.
“Populli serb e mirëpret me kënaqësi fitoren e presidentit Putin për atë që shohin te ai një burrështetas të madh dhe një mik te i cili mund të llogarisin gjithnjë dhe i cili do të përkujdeset për popullin tonë’, tha Dodik.
Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro, përshëndeti po ashtu ‘triumfin e vëllait’.
“Vëllai jonë më i vjetër ka triumfuar, kjo nënkupton që të mirat po e presin botën’.
Ndërkohë, shumica e vendeve anëtare të Këshillit të Evropës, thonë se BE-ja duhet të rris kapacitetet e sigurisë dhe mbrojtjes.
Finlanda, Bullgaria, Republika Çeke, Danimarka, Estonia, Franca, Gjermania, Latvia, Lituania, Holanda, Polonia, Romania dhe Suedia, janë në mesin e nënshkruesve të një letre e cila thotë:
“Agresioni rus në Ukrainë, ka sjellur sfida në mjedisin e sigurisë në Evropë. Ne duhet të vazhdojmë me mbështetjen e fuqishme politike, ekonomike dhe ushtarakë për Ukrainën derisa të jetë e nevojshme si dhe Bashkimi Evropian, duhet të rris kapacitetet e mbrojtjes dhe ato të sigurisë. Në muajt në vijim, do të hartojmë prioritetet strategjike të Bashkimit Evropian dhe ato do të kryesohen nga sektorët e mbrojtjes dhe sigurisë’.