“Përdorimi i forcës ndaj Kosovës, i papranueshëm”: Pse është i rëndësishëm "vija e kuqe" e O’Brien? - NACIONALE

“Përdorimi i forcës ndaj Kosovës, i papranueshëm”: Pse është i rëndësishëm "vija e kuqe" e O’Brien?

1 muaj më parë

nga NACIONALE

James O’Brien, ndihmës amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, mbajti dje një konferencë për medie në përvjetorin e 25-të të fillimit të bombardimeve të NATO-s mbi Jugosllavi. Megjithatë, O’Brien, një nga diplomatët që njeh më së miri çështjen e Kosovës, dha mesazhe edhe për situatën aktuale. Si e ofroi sigurinë amerikane të mbrojtjes për Kosovën?

Mesazhi kryesor ishte kundërshtimi absolut që i bëri mundësisë së një sulmi mbi Kosovën nga ana e Serbisë. Në fakt, O’Brien theksoi se edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, e di se çdo përdorim i forcës kundër Kosvës do të ishte i papranueshëm.

“Në Serbi, presidenti [i Serbisë, Aleksandar] Vuçiq e di mirë se çdo përdorim i forcës kundër Kosovës do të ishte i papranueshëm, do të konsiderohej rrezikim i forcave të NATO-s, që janë aty për të mbrojtur popullsinë, shqiptarët dhe serbët. Ai ka thënë se nuk do të ketë përdorim të forcës” – tha më saktë O’Brien.

Në fakt, kjo deklaratë është e rëndësishme për disa arsye. E para, deklarata e O’Brien vjen disa orë pas alarmit të kryeministrit Albin Kurti, i cili publikoi një video gati në gjysmë të natës, ku shiheshin disa ushtarë të Serbisë në afërsi të kufirit me Kosovën. Një deklaratë kaq e qartë, me shumë gjasë lehtëson frikën e ankthin e njerëzve për luftë, duke shërbyer si një lloj sigurie.

E dyta, deklarata vjen nga një prej njerëzve që është më së larti në hierarkinë e ShBA-së. O’Brien është figurë e rëndësishme në lidhje me çështjen e Ballkanit Perëndimor. Aktualisht ndihmëssekretar, por O’Brien ishte vetë pjesëmarrës në vitet 90-ta në diplomacinë amerikane, duke ndihmuar që të mbrohet Kosova.

E treta, O’Brien tregoi vijën e kuqe amerikane: nuk tolerohet ndonjë sulm apo përdorim i forcës kundër Kosovës. Sërish, ofrohet pa ekuivoke mbrojtja dhe garancia e ShBA-së për sigurinë e Kosovës.

Çfarë tha tjetër O’Brien?

O’Brien ishte i qartë edhe në lidhje me çështjen e tokave të Manastirit të Deçanit, duke e vlerësuar vendimin për regjistrimin e tokave si përparim.

“Njëri prej tyre ka qenë përparimi që është bërë lidhur me kontestin për tokën rreth Manastirit të Deçanit, dhe i kemi mirëpritur publikisht hapat që ka marrë Qeveria për të…por është thënë, po ashtu, që Kosova duhet të bëjë hapa drejt formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe para se Këshilli i Ministrave në Këshillin e Evropës të trajtojë këtë pikë, dhe që ai të jetë zbatuar para se Këshilli i Ministrave të votojë për punën e anëtarësiminit”. – tha dje O’Brien.

Lajme të ngjashme