“Për zgjedhjet lokale, këtu jam”; “turpin mbaje për vete”: Zyrtarët e lartë të PDK-së në Drenas replikojnë ashpër - NACIONALE

“Për zgjedhjet lokale, këtu jam”; “turpin mbaje për vete”: Zyrtarët e lartë të PDK-së në Drenas replikojnë ashpër

1 vit më parë

nga NACIONALE

Zyrtarët e degës së PDK-së në Drenas sërish janë përfshirë në një replikë të ashpër. Sebep për këtë përplasje është bërë veprimi i kryetarit të Drenasit, Ramiz Lladrovci, për t`i futur disa zyrtarë të lartë të PDK-së në shtabin zgjedhor në Drenas pa i konsultuar fare. Fadil Demaku dhe Petrit Hajdari kanë reaguar duke bërë me dije se nuk do të jenë pjesë e shtabit zgjedhor. Ky veprim nuk i ka pëlqyer të parit të Drenasit, i cili ka kritikuar zyrtarët në fjalë.

Anëtarit të Kryesisë së PDK-së, Petrit Hajdari, nuk i ka pëlqyer veprimi i Ramiz Lladrovcit për ta futur në shtab zgjedhor pa e konsultuar fare.

Ai i ka treguar arsyet pse nuk mund të jetë anëtar i shtabit zgjedhor të PDK-së në Drenas.

Në profilin e tij në “Facebook”, Hajdari ka kritikuar kryetarin e Drenasit, Ramiz Lladrovcin, se po e përçan këtë degë të PDK-së.

Procese të tilla kërkojnë transparencë e gjithëpërfshirje. PDK është e ndërtuar mbi një traditë të konsensusit e të bashkimit që është sa e gjatë aq e lavdishme për shtetndërtimin tonë. Emërimi im në këtë pozitë, pa kurrfarë konsultimi paraprak, reflekton krejt të kundërtën e asaj çka është e çka duhet të jetë PDK-ja. Pa fijen e dyshimit që me çdo pjesë të qenies sime, si anëtar i Kryesisë Qendrore dhe si anëtar i PDK-së, unë do ta jap kontributin tim për fitoren e PDK-së. Por, i bëj me dije të gjithë që unë nuk mund të bëhem pjesë e organizmave që në vend se t'i luftojnë përçarjet, përpiqen t'i mbulojnë ato”, ka shkruar ai.

Ndaj këtij postimi, ka reaguar kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci.

Duke i komentuar Hajdarit në statusin e tij, Lladrovci ka mohuar kritikat e zyrtarit të PDK-së.

E kam pritur reagimin, sepse, për disa politikanë nga Drenasi, e shohin komunën tonë tepër të vogël për dimensionin e profilin e tyre politik. Qëllimi i përfshirjes së anëtarëve të kryesisë qendrore në Shtabin zgjedhor të Degës së PDK-së në Drenas, është më shumë se normale. Emërimet janë bërë pa u konsultuar me disa nga ju, por, Kryetarit Krasniqi i kam thënë se nuk ju kam konsultuar, por, nëse kanë angazhime, apo ngarkesa me zgjedhjet në nivel qendror apo nuk pajtohen, këta kandidatë le të deklarohen. Nga 24 shtatori deri më 3 tetor, nuk kam pasur asnjë reagim nga Kryetari as nga të emëruarit. Heshtjen e kam konsideruar pranim”, ka shkruar Lladrovci.

Ai ka pretenduar se dega e PDK-së në Drenas është unike.

Petrit, emri do të hiqet nga Shtabi zgjedhor i PDK-së në Drenas. PDK do të ecën tutje. Për deklarimet tjera si për përçarjen, mbulimin e tyre, personalizimin e mosbesimin ndaj procesit, janë praktikë që e ke mirëmbajtur haptas me subjektet tjera politike në Drenas të cilat më kanë luftuar dhe do të duhej të ndjehesh i turpëruar. Uniteti në degë mbrëmë disa i ka penguar dhe po i pengon, në veçanti janë të tronditur ata që kanë pësuar disfatë me subjektin politik të dalë nga PDK. Opozitën e cila po shuhet në Drenas dhe ish anëtarët e PDK-së i kam ftuar të kontribuojnë për fitoren e PDK-së dhe Bedri Hamzës kryeministër, sepse, meritojmë qeveri më të mirë. Për zgjedhjet lokale, këtu jam”, ka shkruar Lladrovci.

Ndaj pretendimeve të Lladrovcit ka reaguar edhe Hajdari.

Ai e ka ftuar të parin e Drenasit që turpin ta mbaj për vete.

Në reagimin e tij, Hajdari ka thënë se do të flasë kur të vije koha e zgjedhjeve lokale.

Turpin mbaje për vete sepse nuk dua as të operoj me fjalorin tënd. Sa i përket kontributit tim në PDK që nga mosha 16 vjeçare, atë e konfirmojnë veç qytetarët. Ata e dinë më mirë se unë, e padyshim larg më mirë se ti kontributin tim. Vula e tyre është përfundimtarja. Unë s'ndihem i turpëruar për asnjë sekond të kontributit tim. Të thashë që nuk e përdor fjalën turp ndaj kolegëve. Ata që e përdorin, le ta mbajnë për vete. Unë jam krenar që udhërrëfyes i karrierës sime është veç qytetari i vendit. Aty e marrim përgjigjen secili. Sa i përket zgjedhjeve lokale, këtu do të jemi të dy, flasim kur të vijë koha”, ka shkruar Hajdari në komentin e tij.

As ish-deputeti i PDK-së, Fadil Demaku, nuk e ka pranuar propozimin e Lladrovcit për të qenë anëtar i Shtabit Zgjedhor të Degës së PDK-së në Drenas.

Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se askush nuk është konsultuar me te për një gjë të tillë.

E pashë që më kishin lakuar emrin si anëtar i Shtabit Zgjedhor të Degës së PDK-së në Drenas. Askush nuk është konsultuar me mua për një gjë të tillë. Unë vërtetë jam me PDK-në dhe atë në kontinuitet prej kur është formuar. Gjithherë jam angazhuar për unitet dhe përfaqësim sa më të mirë. Gjë qe do ta bëj edhe në të ardhmen. Por, unë kam integritetin tim dhe nuk dua të më keqpërdorët emri për qëllime të caktuara dhe interesa grupore qofshin edhe brenda vet PDK-së. Nëse është e nevojshme që unë të jem pjesë e strukturave të tilla organizative së pari të më kontaktojnë kandidati ynë për Kryeministër z. Bedri Hamza dhe Kryetari Memli Krasniqi”, ka shkruar Demaku.

Lajme të ngjashme