Për ta kujtuar fitoren e 14 shkurtit, Gërvalla dhe Peci vizitojnë presidenten Osmani
Bashkëkryetarët e Partisë Guxo, Donika Gërvalla dhe Faton Peci, kanë vizituar sot presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.
Gërvalla ka shkruar se kjo vizitë është bërë për ta kujtuar fitoren e 14 shkurtit të koalicionit VV-GUXO.
Ministrja e Jashtme ka shkruar se presidentja dhe kryeministri Kurti janë shndërruar në mishërim për një qeveri që menaxhon pastër.
“Binomi Vjosa-Albini në zgjedhjet e 14 shkurtit u shndërrua në mishërim të premtimit për qeverisje me duar të pastra dhe faqe të bardhë, drejtësi dhe punë, shtet ligjor, transparent dhe demokratik.
Kemi dhe shumë punë për të bërë. Rruga e nisur së bashku është e gjatë, plot sfida por edhe suksese të dukshme tashmë”, - ka shkruar Gërvalla, që në këtë vizitë, për dhuratë i dërgoi presidentes një buqetë lule.
Tutje, në këtë shkrim në llogarinë e saj në Facebook, Gërvalla ka cituar një thënjë të babait të saj, Jusuf Gërvalla.
“Po e citoj poetin:" “Rruga e nderës asht ma e zorshmja, po ma e mira dhe e vetmja rrugë e vërtetë për njeriun. Dhe, kush u mundue për nder, nder ka gjetë!””, - përfundon Gërvalla.
