“Për fushatë”: Kryetari i Bordit të BQK-së i dha donacion 1 mijë euro Lëvizjes Vetëvendosje
Një mijë euro donacion për fushatën e Lëvizjes Vetëvendosje i ka dhënë Bashkim Nurboja, kryetar i Bordit të Bankës Qendrore të Kosovës.
Kjo bëhet e ditur në deklarimin e pasurisë së Nurbojës për vitin 2026, ku si arsye për këtë donacion ai ka përmendur fushatën zgjedhore.

Nurboja ishte zgjedhur në shkurt të vitit 2023 në pozitën e kryetarit të Bordit të BQK-së:
“Bordi i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e mbajtur më 3 shkurt 2023, mori vendimin si në vijim: Bashkim Nurboja është zgjedhur kryetar i Bordit të Bankës Qendrore. Gjithashtu, Bordi u njoftua me raportin mujor të Guvernatorit/Bordit Ekzekutiv”.
Për vite me radhë, ai ka garuar në zgjedhje lokale dhe qendrore me Lëvizjen Vetëvendosje.
Në zgjedhjet lokale të vitit 2017, Nurboja kishte garuar si kandidat i VV-së për kryetar të Komunës së Pejës. Megjithatë, qytetarët e Pejës nuk ia kishin besuar mandatin.
Më pas, ai kishte provuar fatin edhe në zgjedhjet nacionale, duke kërkuar mandat për deputet.
Në zgjedhjet nacionale të vitit 2019, ai kishte garuar për deputet në listën e VV-së. As kësaj radhe nuk ia kishte arritur qëllimit.
Pas gjithë këtyre dështimeve, VV-ja kishte vendosur ta shpërblente me një post të lartë publik, atë të kryetarit të Bordit të BQK-së, ku fillimisht ishte zgjedhur si anëtar.
Para disa muajsh, Nacionale kishte raportuar se si Nurboja kishte shkelur Ligjin e BQK-së, duke u bërë pjesë e fushatës së VV-së për zgjedhjet lokale të 12 tetorit.
Ai kishte promovuar bashkëshorten e tij, Mimoza Nurboja, atëkohë kandidate e VV-së për asamble komunale, si dhe kandidatin për kryetar të Pejës nga kjo parti, Tualant Kelmendi.
Kështu, ai kishte shkelur Ligjin e BQK-së, normat e të cilit ua ndalojnë guvernatorit dhe anëtarëve të bordit pjesëmarrjen në aktivitete politike.
Madje, në nenin 41 të këtij ligji thuhet se një anëtar i bordit mund të shkarkohet nga pozita nëse ka marrë pjesë në ndonjë aktivitet politik.
“2.3. ka marrë pjesë aktive në aktivitete politike pasi që është emëruar si anëtar i Bordit të Bankës Qendrore.”, thuhet në pikën 2.3 të nenit 41.