“Për disa bashkime nevojitet kohë”; “me duhet një minutë”: A do të jetë koha problem për bashkimin e Limajt me PDK-në?
As PDK-ja dhe as Nisma nuk e kanë përjashtuar mundësinë e bashkëpunimit për zgjedhjet e 28 dhjetorit. Ndonëse të dy partitë janë certifikuar në KQZ-së si subjekte të vetme politike, Fatmirë Limaj e ka lënë hapur rrugën për të iu bashkuar si kandidat për deputet listës së PDK-së.
Ai ka bërë me dije se është i gatshëm t`i bashkohet kësaj partie pa asnjë kusht.
Në një intervistë për emisionin “Debat Plus”, ai ka thënë se për një gjë të tillë nuk i duhet shumë kohë.
“Te LDK e Nismë aty duhet kohë. Mendoj që për të ndërtuar diçka të përbashkët unë me PDK-në duhet një minutë. Jo kohë por një minutë… kur është vullneti duhet një minutë”, ka thënë Limaj.
Por, një ditë më parë, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka thënë se për bashkime të tilla duhen më shumë kohë.
Megjithatë, ai nuk e ka përjashtuar në mënyrë një bashkë punim të tillë.
“Afatet për koalicione kanë përfunduar, PDK edhe ne zgjedhjet e kaluara edhe në këto ka pasur qëndrim se garon veç si PDK. Sa unë jam në dijeni Nisma ka aplikuar për regjistrim, për certifikim u janë dashur edhe disa dokumente [tash është certifikuar]. Ne do të garojmë si subjekte ne veti, si PDK dhe si Nisma Socialdemokrate”, ka thënë ai në emisionin “Debat Plus”, duke treguar raportet e mira që ka me Limajn.
“Unë Limajn e kam mik, e kam mik që nuk kam pasur asnjëherë problem edhe vështirësi edhe pauza në komunikim, edhe në kohën kur ka dalë prej PDK me disa shokë të tjerë, edhe në atë kohë km pasur komunikim. Mirëpo për me ndodhë disa bashkime nevojitet një kohë pak më e gjatë një proces ndryshe zgjedhor. Nuk mundet me ndodhë gjëra në mënyrë revolucionare sepse ne vendosim ekuilibra. Prandaj ne garojmë si PDK”, ka deklaruar ai.
Në anën tjetër, shumë figura të njohura në PDK janë shprehur pro hapjes së derës për Limajnt.
Një gjë të tillë e ka kërkuar edhe kryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku.
“Ai është më PDK, se sa shumë anëtarë të PDK-së. Nëse dikush më pyet për z.Limaj unë jam pro. I duhet dhe ka nevojë PDK për Fatmir Limajn. Unë mendoj se Fatmir Limaj e meriton me qenë në Partinë Demokratike të Kosovës. Ka qenë njëri nga ta që e ka formuar PDK-në”, ka thënë Lushtaku.
As anëtari i Kryesisë së PDK-së, Përparim Gruda, nuk e ka përjashtuar mundësinë që në ditët e fundit të afatit kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, të futet në listën zgjedhore të PDK-së.
Ai ka bërë me dije se për këtë çështje do të vendos kryetari i PDK-së, Bedri Hamza.
Në emisionin “InfoNata” në Tëvë1, ai ka thënë se ka edhe dy ditë kohë për këtë çështje.
“Nuk e di nëse do të ndodh ky koalicion, kjo ka qenë ndër gjërat që është diskutuar, mbetet kryetari Hamza me caktuar këtë çështje. Kemi edhe dy ditë kohë, por ajo çka po punojmë ne është ta përfundojmë listën tonë me sjell njerëz të ri që kemi shumë”, ka thënë ai.
Gjatë kësaj jave, KQZ-ja ka certifikuar subjektet politike që do të marrin pjesë në zgjedhjet e 28 dhjetorit. Nisma Socialdemokrati është certifikuar si subjekt i vetëm. Nëse këto dy subjekte politike nuk arrijnë ndonjë pajtueshmëri për bashkëpunim, Nisma do të garojë e vetme në këto zgjedhje.
Afati i fundit për dërgimin e listave të partive për deputet në KQZ është të dielën në mesnatë.