Për 3 muaj, 600 lajme për Kosovën nga propaganda ruse: A po na prishet mendja?
Për tre muaj, propaganda ruse prodhoi mbi 600 lajme për Kosovën. A nuk mjafton kjo që të na futen dridhmat në trup? Në këtë tekst do të lexoni mbi propagandën ruse mbi Kosovën pas Luftës në Ukrainë.
“Ballkani Perëndimor është i rrezikuar meqenëse edhe në Ballkanin Perëndimor ka luftë hibride. Sputniku (media ruse) e ka qendrën në Beograd edhe 160 km nga ky vend ku jemi sot, në Nish, ndodhet e ashtuquajtura qendra humanitare ruse. Ajo është një qendër aktive përplot me agjentë rusë. Ne jemi të brengosur por nuk jemi të frikësuar.”
Këto fjalë i ka thënë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më 18 mars 2022, lidhur me propagandën ruse. E, rrezikun e propagandës ruse në Kosovë, përveç Kurtit, e ka bërë të ditur edhe një hulumtim i Institutit Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave (KIPRED).
Sipas këtij raporti, mediet ruse për më pak se tre muaj publikuan 600 lajme që në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë kishin të bënin me Kosovën.
Raporti i quajtur “Observeri i Kosovës – Lufta Diplomatike Ruse dhe Dezinformimi Medial, 1 nëntor 2021 – 15 janar 2022”, prezantuar nga KIPRED-i, ka vënë në spikamë se çdo i pesti lajm i publikuar kishte përmbajtje me dezinformata.
“Gjatë kësaj periudhe, Kremlini, Ministria e Jashtme Ruse, Misioni i Përhershëm Rus në OSBE dhe Ambasada Ruse në Serbi e kanë shënjestruar Kosovën drejtpërdrejt ose në një kontekst më të gjerë, në një numër deklaratash, konferencash për shtyp dhe deklaratash për shtyp, ndërkohë që Misioni i Përhershëm i Rusisë në Kombet e Bashkuara, Misioni i Përhershëm Rus në BE dhe Përfaqësimi i Përhershëm Rus në Këshillin e Evropës, nuk kanë postuar në ueb-faqet e tyre ndonjë publikim lidhur me Kosovën”, thuhet në raport.
Kujtojmë se kemi diplomatë perëndimorë që i kanë këshilluar mediat në Kosovë të mos i citojnë disa media në gjuhën shqipe.
Kjo për shkak se në shkrimet e disa mediave në Kosovë, gjejmë përmbajtje të propagandës ruse.

Mediet e përzgjedhura, që origjinën e kanë në Rusi e që janë monitoruar brenda kësaj periudhe, janë Sputnik International, Sputnik Serbia, Russia Today (RT), Meduza, Russia Insider, TASS, The Moscow Times, News Front, UNZ, The Duran dhe Pravda Report.
“Monitorimi i të dhënave tregon se gjatë kësaj periudhe këto mediume i kanë publikuar 598 lajme që në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë kishin të bënin me Kosovën. Sputnik – botimi në serbisht i botoi 408 lajme, TASS me 13 lajme, Russia Today me 11 lajme, Sputnik International me 8 lajme, Russia Insider me 6 lajme, Pravda Report me 3 lajme, UNZ me 3 lajme, Meduza me 2 lajme, Moscow Times me 2 lajme, News Front me 2 lajme dhe Duran asnjë lajm” – nënvizon KIPRED.
Sipas tyre, 79 prej tyre kishin përmbajtje me dezinformata, ku numri më i madh i tyre vjen nga Sputnik Serbia.
“Nga 458 lajmet që kishin të bënin drejtpërdrejt ose tërthorazi me Kosovën, 79 lajme apo 17.2 për qind prej tyre përmbanin dezinformata. Numri më i madh i dezinformatave është botuar nga Sputnik Serbia (62), që është vijuar nga Russia Insider (5), Russia Today (3), TASS (2), Pravda Report (2), UNZ (2), Sputnik International (1), Meduza (1), Moscow Times (1), News Front (0) dhe The Duran (0)” – thuhet më tej në raporti.
Ndër të tjera, raporti thotë se përqendrimi kryesor i përmbajtjeve të lajmeve të botuara nga mediet ruse ka pasur të bëjë me rrënimin e themeleve të legalitetit të shtetësisë dhe të sovranitetit të Kosovës, ndryshimin e narrativave të luftës dhe të krimeve të luftës në ish-Jugosllavi, rrënimi i themeleve të kredibilitetit të angazhimit Perëndimor në shtetndërtimin e Kosovës dhe në dialogun Prishtinë – Beograd dhe paraqitja e komunitetit serb dhe e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë si të shtypura dhe të kërcënuara.

“Lidhur me përmbajtjen e lajmeve që kanë pasur dezinformata, të botuara nga këto botime mediale ruse, numri më i madh i tyre ka synuar t’ia rrënojë themelet kredibilitetit të angazhimit Perëndimor në shtet-ndërtimin e Kosovës, dhe në dialogun Prishtinë – Beograd (24), pastaj, t’ia rrënojë themelet shtetësisë dhe sovranitetit të Kosovës (21), pasuar nga paraqitja e komunitetit serb dhe Kishës Ortodokse Serbe si të shtypura dhe të kërcënuara (20), dhe t’i ndryshojë narrativat e luftës dhe të krimeve të luftës në ish-Jugosllavi (14)”, përfundon raporti.
KIPRED ka theksuar se analizat e diskurseve të lajmeve që përmbajnë dezinformime dhe keqinformime malinje të medieve të përzgjedhura, të cilat janë një dorë e zgjatur e Moskës, tregojnë se, në përgjithësi, ato i përcjellin narrativat e establishmentit të politikës së jashtme të Rusisë, dhe se Sputnik Serbia, Sputnik International, Russia Today (RT) dhe TASS-i mbeten në ballë të këtyre operacioneve informative malinje kundër Kosovës.
Si të mbrohemi nga propaganda ruse?
Profesori i Degës së Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, Alban Zeneli, në një bisedë me gazetën Nacionale, ka treguar burimin e këtyre informacionave dhe ndikimin e tyre në Kosovë.
Sipas Zenelit ka disa gjeneratorë që përpunohen këto të dhëna dhe të cilat ndikojnë te informimi i lexuesve.
“Lajmet e rreme i kanë tre gjeneratorë kryesorë. Gjeneratori i parë kryesorë janë paratë, pra rrëfime, tregime të pasakta ose senzacionale, të cilat krijohen nga uebsajte dhe shpërndahen në rrjete sociale, me qëllim të përfitimit material përmes reklamimit automatik qysh janë GoogleAds, edhe të tjera. Kjo është kategoria e parë.”
“Kategoria e dytë është kategori e cila ka të bëjë me politikën, po me politikën e brendshme. Pra të shfrytëzohen mediat me qëllim që të përçahet shoqëria edhe të krijohen favore qoftë edhe për një kamp politik qoftë për një tjetër. Këtë gjë mund ta quajmë edhe si propagandë e partive politike brenda një shteti”, ka thënë Zeneli.
Zeneli ka shpjeguar situatën me raportimet që po bëhen viteve të fundit me denzinformatat.
“Përtej saj, viteve të fundit, sidomos në muajt e fundit, ne jemi përballë në rastin e Kosovës me një numër dezinformatash, të cilat nga Bashkimi Evropian kategorizohen si lajme jo-perëndimore, që janë kryesisht të lidhura me lajmet e rreme që vijnë kryesisht nga Rusia dhe Kina, e që i shërbejnë narracionit, narrativës së tyre për destabilizim të vendeve të ndryshme, siç është edhe rasti i Ukrainës, ku dezinformatat i paraprin në fakt një invazioni ushtarak. Pra u përdorën këto dezinformata me qëllim të zhvillimit të një lufte hibride.”
“Në rastin e Kosovës, këta tre gjeneratorë shpeshherë përzihen në mes vete, ose kombinohen, për faktin se njerëzit që krijojnë terma të lajmeve të rreme me qëllime financiare nuk e kanë shumë problem ku e marrin aritkullin, problemin kryesor dhe dëmin që shkaktojnë me të, por problemin kryesor e kanë të qarkullojnë më shumë klikime në uebsajtet e tyre”, ka thënë tutje ai.
Profesori Zeneli, po ashtu ka treguar se si duhet vepruar apo mbrojtur nga dezinformata.
“Në kuptimin e internetit në Kosovë, interneti ështe i lirë, nuk ka ndonjë rregullim ligjor, përveç rasteve kur ndërhyrje të tilla mund të cenojnë qoftë sigurinë kombëtare qoftë probleme të tjera, të cilat lidhen më kodin penal të Kosovës, në raste të tjera Interneti është i lirë dhe mund të përdoret nga kushdo, dhe uebsajtet, pra pronarët e tyre nuk kanë nevojë medoemos që të regjistrohen në ARBK”, ka argumentuar Zeneli.
Çka duhet të bëjmë pas këtyre zhvillimeve dramatike edhe në fushën mediale?
“Fatkeqësia është që ne e kemi një shoqëri, jetojmë në një shoqëri, ku rëndësia e edukimit për media është shumë e vogël për personat që vendosin. Prandaj, Ministria e Arsimit e ka shembullin konkret tashmë nga lufta në Ukrainë, që të futet në shkollimin publik për këtë gjë. Por kjo është një fazë afatgjatë, sa i përketë asaj që shoqëria jonë duhet të bëjë, është që të rrisin kapacitetet e denoncimit të lajmeve të rreme”, ka thënë Zeneli.
Ndërkohë, Dega e Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, ka mbajtur një konferencë për media ku është publikuar raporti me temën “Lufta në Ukrainë: Propaganda dhe Dezinformimi”.
Prezantimi i këtij raporti është bërë në ambientet e departamentit të Gazetarisë në UP.
Në këtë raport përfshihen të dhënat, informata dhe të gjetura nga hulumtimi që janë bërë gjatë vëzhgimit të mediave që nga fillimi i pushtimit rus në Ukrainë.
Në Kosovë s’ka transmetim të mediave ruse
Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) kishte marrë vendim për largimin e përkohshëm nga transmetimi në Kosovë i të gjitha kanaleve me origjinë nga Federata Ruse.
Dhe qëllimi i këtij ndalimi është që qytetarët të mos të bien pre e dezinformatave. E nga ky vendim janë larguar katër media ruse.
Kryeshefi Ekzekutiv i KPM-së, Faruk Rexhaj, kishte thënë në një intervsitë për KP se vendimi është marrë përkohësisht.
“Komisioni i Pavarur i Mediave ka marrë një vendim me të cilin përkohësisht ka larguar të gjitha mediat ruse ose me origjinë ruse në të gjithë operatorët e shpërndarjes në vendin tonë. Bëhet fjalë për disa kanale ruse të cilat operojnë përmes operatorëve të shpërndarjes, është Russia Today, Russia Documentary, dhe dy kanale të tjera, por ajo që është me rëndësi, është se operatorët e shpërndarjes i janë përmbajtur vendimit të KPM-së dhe pothuajse të gjitha operatorët i kanë larguar këto media nga transmetimi i tyre, nga platformat e tyre”, pati thënë Rexhaj.
