Peci radikalizon gjuhën ndaj gazetarit Mehmetaj, ky i fundit e fton në debat televiziv
Gazetari Lirim Mehmetaj i është kundërpërgjigjur ministrit të Bujqësisë, Faton Peci, i cili përdori gjuhë të ashpër ndaj tij. Në reagimin e tij në Facebook, Mehmetaj tha se cilësimet e ministrit Peci vijnë si pasojë e reagimit të tij “se si një kompani e Kosovës përmes lidhjeve kriminale në Agjencinë që është nën ministrinë e Pecit ka sjellë mish nga Brazili dhe e ka shit për mish të freskët të Kosovës.”.
Mehmetaj e ka quajtur ministrin Peci “hajn të vogël” i cili jeton me idenë se “e ka mbrojtjen fizike nga shteti për shkak të pozitës së ministrit e luan mangupin qeshtu.”
Madje, gazetari Mehmetaj i bëri ftesë publike ministrit për ballafaqim në debat televiziv për të diskutuar rreth dyshimeve se Kompania ‘Apetit’ shiti mishin e Brazilit për të Kosovës.
“Ky i paburrë, ky tucan i dëshmuar, e ka mundësinë kur të dojë të vijë në emision ku unë jam panelist e të ballafaqohemi, po nuk guxon”, tha Mehmetaj.
Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, përdori gjuhë tejet të ulët ndaj gazetarit Lirim Mehmetaj. Kjo gjuhë e ashpër e ministrit Peci erdhi pasi gazetari shkroi nëndër të tjera në Facebook se "Mos me pasë gazetarë, sa për Pecin kishim hongër mish Brazili 15 vjet, t'u mendu që sa është pre lopa në Prishtinë".
Pa ndonjë kundërargument, Peci, në reagimin e tij në Facebook, është lëshuar në gjuhë të papranushme nga një ministër.