Peci qendror, të gjithë periferikë: Kurtit i shpaguhet gjithëprania në Mitrovicë - NACIONALE

Peci qendror, të gjithë periferikë: Kurtit i shpaguhet gjithëprania në Mitrovicë

2 javë më parë

nga NACIONALE

Gjithëprania e Albin Kurtit në Mitrovicë është dhënë në alegori “shtetrrethimi”. Në pikë të mëngjesit e të natës, Albin Kurti, me autokolona shtetërore rrugën më të shpeshtë e kishte Mitrovicën. Jo veç shtetin me vete, por edhe mbarë vartësit partiakë të anembanë Kosovës ishin të investuar me prani e porosi që Faton Peci të fitojë Mitrovicën. Mitrovica kah fundi përjetoi ngopjen më të madhe të “zgjedhjes” politike; me Vetëvendosjen duke e shndërruar qytetin në një lokus të paparë elektoral. Ardian Gola i Gjakovës, Hajrulla Çeku i Prishtinës, Artan Abrashi i Prizrenit e Taulant Kelmendi i Pejës ishin periferikë në angazhimin e Kurtit i cili Faton Pecit ia ndau tërë energjitë dhe kohën. Ky i fundit ishte qendror; rrëfimi për Mitrovicën ishte qendror; dhe kjo me synim të përkthimit elektoral në nivelin qendror. Vetëvendosja fitoi me 2 mijë vota më shumë ndaj tridhjetë e një vjeçarit, Arian Tahirit të PDK-së. Fitorja u shënua me një përqafim ngjitës e të gjatë të Albin Kurtit me Faton Pecin me të nxjerrë veç njërën këmbë nga xhipi shtetërorë.

...

Në rundin e parë diferenca ishte njëqind votëshe, në të dytin, 2 mijë votues dolën më shumë, dhe që të dy-mijët ishin votues për Faton Pecin: 53,47% me 46,53%. Festa në Mitrovicë u bë me një esktazë gëzimi të paparë: me votues duke vallëzuar edhe me goma veturash, si konfirmim i fyerjes së Albin Kurtit ndaj Bedri Hamzës, se po garon me “gomë rezervë”. Arian Tahiri e uroi Faton Pecin mirësjellshëm, rezultati u pranua, me paralajmërim të disa ankesave në ditëve në vijim për parregullësi zgjedhore.

Mitrovica, tash skenë zgjedhjesh nacionale...

Vetëvendosja e Albin Kurtit për nëntë muaj s’po arrin të ndërtojë qeveri të re, me pamundësi koalicioni në asnjërën anë: ndërsa tregimin kryesor elektoral e ka “veriun e çliruar” nën këngë-ungjillin e sovranitetit të shtrirë “cep më cep” Kosovës. E tërë gara për Mitrovicën u bë nën këtë tregim: me akterë kyç të Vetëvendosjes duke i dhënë këto premisa Faton Pecit, se fitorja e këtij të fundit “është garanca që dy Urat mbi Ibër mbesin të hapura”.

Albin Kurti i Vetëvendosjes mbrëmë me të shpallur fitoren në Mitrovicë tha se “u bënë të gjithë kundër nesh”, derisa u nis për festim, me Prishtinën që e humbi ndaj Përparim Ramës, Pejën ndaj Gazmend Muhaxherit, Prizrenin ndaj Shaqir Totajt dhe Kaçanikun ndaj Sabedin Vishit. Fitoret që mori ishin Gjilani, Fushë Kosova dhe Obiliqi.

“Tash do të qeverisim në shtatë komuna të Republikës, pra më shumë se kurdoherë më parë. Lëvizjen tonë s’e ndali dot as bashkimi i të gjithë kundërshtarëve”, tha Albin Kurti.

Harta zgjedhore..

Dje u mbajt balotazhi i zgjedhjeve lokale.

Prishtina do të vazhdojë të jetë nën qeverisjen e Përparim Ramës, përderisa Faton Peci fitoi betejën në Mitrovicë.

VV-ja arriti që përveç Mitrovicës, ta shtojë edhe Fushë Kosovën e Obiliqin.

Por, si duket tash harta e Kosovës me partitë të cilat kanë fituar.

Vetëvendosje tashmë është në pushtet në shtatë komuna: Shtime, Fushë Kosovë, Kamenië, Gjilan, Obiliq, Podujevë dhe Mitrovicë.

Edhe LDK-ja, ka në udhëheqje shtatë komuna: Lipjan, Istog, Pejë, Junik, Dragash, Prishtinë dhe Viti.

PDK-ja ka humbur dy komuna në këto zgjedhje, Drenasin dhe Mitrovicën. Partia e Memli Krasniqit udhëheqë në: Vushtrri, Prizren, Ferizaj, Han të Elezit dhe Skënderaj.

AAK-ja ka ruajtur të gjitha komunat ku ka udhëhequr: Gjakovë, Klinë, Rahovec, Suharekë dhe Deçan.

Kurse, Lista Serbe ka 10 komuna të fituara.

Lajme të ngjashme