Peci dorëzon kallëzim penal, LDK ia kthen: Paratë do t’i ktheni cent më cent - NACIONALE

Peci dorëzon kallëzim penal, LDK ia kthen: Paratë do t’i ktheni cent më cent

1 vit më parë

nga NACIONALE

Lidhja Demokratike e Kosovës i ka reaguar ministrit të Bujqësisë, Faton Peci, pasi ky dorëzoi kallëzim penal ndaj disa zyrtarëve të kësaj partie, veç pse zbuluan grantet e dhëna nga ky dikaster për familjarë të deputetes së Vetëvendosjes, Fitore Pacolli.

Peci në një shkrim në rrjetin social Facebook, njoftoi se ka dorëzuar kallëzimin penal, ku mes tjerash, hidhte akuza të rënda ndaj LDK-së.

“Sipas ekipit të ekspertëve tanë këta dhe LDK-ja konsumuan këto vepra penale si mashtrimi, shtytja në lajmërim apo kallëzim të rremë, pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal dhe shantazh!

Të lartëpërmendurit, deshën të konstruktojnë fabrikime duke tentuar t'i shtyejnë fermerët të deklarojnë se përkrahja e marrë në mënyrë meritore, nuk ishte e tillë, por e përfituar me anë të ryshfetit!” ka thënë ai, derisa ka publikuar dokumentin.

Paris Guri, kryetari i Forumit Rinor të LDK-së, ishte ndër të parët që reagoi në lidhje me këtë zhvillim. Ai në një shkrim në rrjetin social Facebook, ka thënë se i ka kapur panika, pasi drejtësia po vjen.

E dinë që drejtësia po vjen.

E dinë që LDK-ja po vjen.

Arsyeja e padisë së tij, ka vetëm një përgjigje; PANIKË!

E përsëris qëndrimin tonë – kushdo që i ka futur duart në buxhetin e shtetit do të përballet me drejtësinë.” – ka shkruar ai.

Ndërkaq, Berat Rukiqi i LDK-së ironizoi me Qeverinë Kurti, duke përmendur “tenderët emergjent”.

“Një tender emergjent për Qeverinë. Lënda e kontratës: Menaxhimi i sulmeve të panikut, të shkaktuar nga LDK Përndryshe, ndryshimi po vjen, drejtësia po vjen, kthimi i çdo centi po vjen.”ka shkruar Rukiqi.

Deputetja Doarsa Kica-Xhelili e ka nisur me një citat: “Kqyri Egzon, kur t’na bëjnë kallëzim penal që i nxunëm”.

Tutje, ajo ka thënë se Paris Guri e Egzon Pacolli e zhveshën plotësisht nepotizmin me subvencione.

“Këta janë djemtë tanë që zhveshën plotësisht nepotizmin me subvencione. Këta shpërfaqën hipokrizinë e dikurshme të atyre që bërtisnin si “paraja publike duhet mbajtur larg familjarëve”.

Këta djem, jo që nuk zbrapsen nga kallëzimet penale, jo që nuk i japin ‘5 pare’ për sulmet e kota të pushtetit, por kam “drojën” që veçse e morën një INFUZION shtesë për t’a demaskuar komplet qeverinë”.

LDK në një komunikatë për media, ka dhënë mbështetje të plotë për Paris Gurin e Egzon Pacollin.

“Mbështetje e plotë për Parisin dhe Egzonin që, si qytetarë të përgjegjshëm e si veprimtarë politikë të rinj dhe shembullorë, shpalosën skandalin e madh korruptiv të subvencioneve, ku grantet prej 100 mijë eurosh u ndanë për vëllezër, dajë e këshilltarë të pushtetarëve, me ndikim politik dhe shkelje ligjore flagrante.

Kallëzimi i tyre penal ngjalli frustrim. Prandaj ata targetohen sot nga një pushtet i korruptuar dhe kriminal që po ikën.” – thuhet në komunikatë.

Tutje, LDK ka shtuar se paratë e keqpërdorura do të kthehen cent më cent.

“Paratë e keqpërdorura do të kthehen cent më cent; e të përfshirët do të mbahen përgjegjës para ligjit të Republikës sonë”.

Vlen të theksohet se zyrtarë të LDK-së njoftuan fillimisht për grantin prej 100 mijë euro që i ishte dhënë Blerim Pacollit, vëllait të Fitore Pacollit, pak ditë pasi regjistroi fermën e tij si biznes.

Pak ditë më vonë, kjo parti njoftoi se ministria e Pecit i ka dhënë grant edhe dajës së deputetes Pacolli.

Lajme të ngjashme