PDK zotohet për rikthimin e projektit të gazit amerikan, Çitaku e Mustafa e quajnë çështje të sigurisë kombëtare - NACIONALE

PDK zotohet për rikthimin e projektit të gazit amerikan, Çitaku e Mustafa e quajnë çështje të sigurisë kombëtare

1 muaj më parë

nga NACIONALE

Partia Demokratike e Kosovës ka deklaruar se, me marrjen e përgjegjësisë për drejtimin e Qeverisë, do ta rikthejë në prioritetet shtetërore projektin amerikan për gazin natyror.

Në një konferencë për media, Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së dhe kandidatja për deputete, Vlora Çitaku, tha se çështja e gazit natyror tejkalon aspektin teknik dhe lidhet drejtpërdrejt me sigurinë kombëtare të vendit.

“Kosova po përballet me një nga momentet më të rëndësishme strategjike që nga shpallja e pavarësisë. Në një botë ku siguria energjetike po bëhet po aq e rëndësishme sa siguria ushtarake, vendimet që marrim sot do të përcaktojnë jo vetëm mirëqenien e qytetarëve tanë, por edhe pozitën e Kosovës në hartën gjeopolitike të dekadave që vijnë”, theksoi ajo.

Sipas Çitakut, orientimi strategjik i Kosovës duhet të mbetet në partneritet të ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si garanci për siguri, zhvillim dhe bashkëpunim afatgjatë.

“Dua të jem shumë e qartë: Partia Demokratike e Kosovës do ta rikthejë menjëherë këtë projekt në agjendën shtetërore sapo të marrë përgjegjësinë për udhëheqjen e Qeverisë së vendit. Do të punojmë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me partnerët tanë rajonalë dhe me institucionet financiare ndërkombëtare për ta lidhur Kosovën me rrjetin e gazit amerikan. Koha e izolimit duhet të marrë fund. Kosova duhet të jetë pjesë e projekteve strategjike të Perëndimit, jo spektatore e tyre. Kjo është rruga që ne zgjedhim. Rruga e partneritetit. Rruga e sigurisë. Rruga e zhvillimit. Rruga e Kosovës, krah për krah me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha më tej Çitaku.

Ajo gjithashtu kritikoi Lëvizjen Vetëvendosje, duke e akuzuar se ka penguar projektet që do të mund t’i siguronin Kosovës më shumë pavarësi energjetike.

“Sot po e shohim rezultatin e kësaj politike. Kosova po paguan energjinë më shtrenjtë se kurrë më parë. Importet e energjisë po rriten nga viti në vit. Bizneset po dëmtohen. Familjet po përballen me fatura gjithnjë e më të larta dhe gjithnjë e më të papërballueshme. Ndërkohë, të gjitha vendet e rajonit po ndërtojnë lidhje të reja energjetike, po diversifikojnë furnizimin dhe po forcojnë sigurinë e tyre. Vetëm Kosova ka mbetur jashtë. Vetëm Kosova vazhdon të refuzojë një mundësi që aleati ynë më i madh strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e ka mbështetur vazhdimisht”, tha ajo.

Nga ana tjetër, anëtari i Kryesisë së PDK-së dhe kandidati për deputet, Arben Mustafa, vlerësoi se qytetarët dhe bizneset kanë bartur barrën e refuzimit të këtij projekti.

“Gjatë qeverisjes së Albin Kurtit, Kosova ka importuar afërsisht 1 miliard euro energji elektrike. Në vend që këto para të investoheshin në kapacitete të reja prodhuese, në modernizimin e sektorit energjetik apo në zhvillimin ekonomik të vendit, ato kanë dalë jashtë Kosovës për të financuar varësinë tonë energjetike. Në të njëjtën kohë, qytetarët kanë paguar çdo vit fatura më të larta të energjisë elektrike. Bizneset kanë përballuar kosto më të mëdha të prodhimit. Familjet kanë përballuar barrë gjithnjë e më të rëndë financiare”, theksoi Mustafa.

Ai shtoi se zhvillimi ekonomik i Kosovës duhet të mbështetet në prodhim vendor, investime strategjike dhe siguri energjetike.

“Gazi amerikan nuk është vetëm një projekt energjetik. Ai është një projekt zhvillimor. Një projekt ekonomik. Një projekt i sigurisë kombëtare. Dhe një mundësi që Kosova nuk guxon ta humbasë”, shtoi ai.

Mustafa ngriti po ashtu shqetësime lidhur me qarkullimin financiar të disa kompanive që operojnë në tregun energjetik.

“kompania NOA Energy Trade, me vetëm një punëtor të regjistruar, ka realizuar rreth 195 milionë euro qarkullim gjatë vitit 2024 dhe rreth 185 milionë euro gjatë vitit 2025, ndërsa kompania ETMT, me vetëm një punëtor të regjistruar, nga një qarkullim prej vetëm 90 eurosh në janar 2025, ka arritur në mbi 16 milionë euro qarkullim në janar 2026”.

Sipas tij, qytetarët meritojnë transparencë të plotë për mënyrën se si funksionon ky model energjetik dhe përfituesit e tij.

“Qytetarët kanë të drejtë të dinë kush përfiton nga ky model dhe pse Kosova po mbetet gjithnjë e më e varur nga ndërmjetësit dhe tregtarët e energjisë, në vend që të investojë në prodhimin e vet. Ky është një model i dështuar ekonomik. Një model që shpërblen varësinë dhe jo prodhimin. Një model që pasuron ndërmjetësit, ndërsa faturën ua lë qytetarëve dhe bizneseve. Një model që nuk ndërton asnjë megavat të ri, por prodhon vetëm kriza të reja”, shtoi Mustafa.

Lajme të ngjashme