PDK: Qeveria Kurti po e mban Kryeinspektorin e Punës kundërligjshëm në detyrë
Koordinatori i Departamentit për Drejtësi në kuadër të Kabinetit për Qeverisje të Mirë të PDK-së, Përparim Gruda, ka kritikuar Qeverinë Kurti për emërimin e Kryeinspektorin e Punës.
Në një konferencë për media, Gruda ka thënë se Qeveria Kurti në këtë pozitë e ka emëruar kundërligjshëm dhe po e mban aty Hekuran Nikçin.
Sipas tij, ky është rast i paprecedent.
“Imagjinojeni, një person është emëruar dhe mbahet në detyrë në mënyrë të paligjshme në një organ që supozohet të mbrojë të drejtat e punëtorëve. Askund nuk ka ndodhur që Qeveria e një vendi ta bëjë zakon shkeljen e Kushtetutës, ligjeve dhe vendimeve gjyqësore të vendit, siç po e bën Qeveria Kurti. Partia Demokratike e denoncon këtë si një rast të paprecedent të shkeljes së qëllimshme të ligjit dhe vendimet të gjykatave, dhe fton prokurorinë e shteti të që të marr të gjitha veprimet e nevojshme ndaj personave që nuk i kanë zbatuar vendimet e gjykatave”, ka thënë Gruda.
Në këtë mënyrë, ka thënë ai, Qeveria Kurti po bën shkelje flagrante të ligjit dhe vendimeve të gjykatave të Kosovës.
Gazeta Nacionale vitin e kaluar ka raportuar se Qeveria ka emëruar Kryeinspektorin e Inspektoratit të Punës, Hekuran Nikçi, duke i shkelur Ligjin për Zyrtarët Publik, pasi për këtë pozitë nuk kishte pasur fare konkurs publik.
Se Kryeinspektori i Inspektoratit të Punës është emëruar në mënyrë të paligjshme e kishte konstatuar edhe Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, (KPMSHC) përmes raportet të Monitorimit të Jashtëzakonshëm në Ministrinë e Financave.
Ndaj vendimit të Këshillit, Qeveria ishte ankuar në Gjykatës Themelore në Prishtinë. Kjo e fundit kishte refuzuar kërkesën e ministrisë së Financave për shtyrje të ekzekutimit të vendimit të KPMSHC-së. Më pas, edhe Gjykata e Apelit kishte refuzuar ankesën e ministrisë, duke e lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë.