PDK paralajmëron zgjedhje të brendshme gjatë këtij viti, diskuton rezultatin zgjedhor - NACIONALE

PDK paralajmëron zgjedhje të brendshme gjatë këtij viti, diskuton rezultatin zgjedhor

1 muaj më parë

nga NACIONALE

Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës ka diskutuar rezultatin e zgjedhjeve të fundit dhe hapat e ardhshëm politikë e organizativë të partisë, duke paralajmëruar edhe nisjen e një procesi të brendshëm zgjedhor gjatë këtij viti.

Sipas njoftimit të PDK-së, në mbledhjen e mbajtur sot, Kryesia ka vlerësuar se pjesëmarrja më e ulët në zgjedhje, krahasuar me ciklet e kaluara, përbën një sinjal serioz për skenën politike në vend.

PDK ka theksuar se në këtë proces zgjedhor kanë marrë pjesë rreth 200 mijë votues më pak se në ciklet e mëparshme, gjë që, sipas kësaj partie, reflekton lodhjen e qytetarëve nga krizat e njëpasnjëshme politike, polarizimi i madh shoqëror dhe zhgënjimi i akumuluar gjatë viteve të fundit.

Në mbledhje është diskutuar edhe ndikimi i rrethanave të përgjithshme politike dhe ekonomike në rezultatin zgjedhor. Kryesia e PDK-së ka vlerësuar se masat financiare dhe subvencionet e shpërndara nga Qeveria në prag të zgjedhjeve kanë ndikuar në krijimin e perceptimit te një pjesë e elektoratit opozitar se rezultati ishte i paracaktuar, duke dekurajuar daljen e tyre në votime.

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, siç bëhet e ditur në njoftim, ka thënë se partia gjatë periudhës së fundit është përballur me procese të shumta zgjedhore të njëpasnjëshme, të cilat, sipas tij, nuk kanë lënë hapësirën dhe kohën e nevojshme për riorganizim dhe konsolidim të plotë të strukturave partiake.

Në këtë kontekst, Kryesia ka diskutuar edhe për zgjedhjet e brendshme në PDK, të cilat, sipas njoftimit, synohet të jenë të hapura, fer dhe gjithëpërfshirëse. Ky proces, siç thuhet në njoftim, do të ketë për qëllim hapjen e hapësirës për ide të reja, energji të reja dhe përfshirje më të madhe të gjeneratave të reja në strukturat drejtuese të partisë.

PDK ka bërë të ditur se është diskutuar mundësia që procesi i brendshëm zgjedhor të nisë në shtator të vitit 2026.

Në mbledhje është ritheksuar edhe rëndësia e përmbylljes së procesit gjyqësor në Hagë ndaj ish-liderëve të PDK-së dhe bashkëluftëtarëve të tyre, të cilin partia e cilëson si proces me rëndësi të veçantë për lirinë, pavarësinë dhe të ardhmen e Kosovës.

Lajme të ngjashme