PDK: Ftojmë Bashkësinë ndërkombëtare ta dënojë propagandën e Vuçiqit
Partia Demokratike e Kosovës ka mbajtur sot një mbledhje të përbashkët me Kryesinë e Grupit Parlamentar pët t’i diskutuar zhvillimet në veri të vendit.
Në njoftimin e kësaj partine thuhet se në këtë mbledhje u diskutua për gjendjen në pjesën veriore të vendit, vendosjen e barrikadave, nevojën e veprimeve të përgjegjshme dhe konkrete të Qeverisë, si dhe domosdoshmërinë e partneritetit me aleatët ndërkombëtarë.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka njoftuar Kryesinë dhe Grupin Parlamentar edhe për takimin që kishte sot me Zëvendësndihmësin e Sekretarit të Shtetit dhe të Dërguarin e Posaçëm të SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
PDK-ja ka dalur me pesë pika që sipas tyre janë shtyllat kryesore për arritjen e marrëveshjes finale me Serbinë.
“1. Ruajtja e karakterit unitar të shtetit tonë sipas rregullimit aktual kushtetues, 2. Njohja formale nga pesë shtetet mosnjohëse të BE-së, 3. Nisjen e procesit të anëtarësimit në NATO përmes pjesëmarrjes në partneritetin për paqe si hap i parë, 4. Marrjen e statusit të shtetit kandidat për anëtarësim në BE dhe 5. Njohjen e ndërsjellë në mes të Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në njoftimin e PDK-së.
Në lidhje me situatën në pjesën veriore të Kosovës, në këtë takim u konstatua se vendosja e barrikadave nga bandat kriminale, të orkestruara nga Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, dhe thirrjet e tij luftënxitëse, janë alarm për qytetarët, shtetin e Kosovës, por edhe për bashkësinë ndërkombëtare.
“PDK fton Bashkësinë ndërkombëtare që në mënyrë të prerë jo vetëm ta dënojë propagandën e Presidentit dhe shtetit serb, por të marrë hapa konkret që Serbinë ta shkëpusë nga këto tendenca dhe iluzione pushtuese. Territori i Republikës së Kosovës është një dhe i paprekshëm. Nuk mundet dhe nuk do të ketë krijim të një realiteti të ri në pjesën veriore të Kosovës”, njofton PDK-ja ndër të tjera.
