PDK finalizon listën e kandidatëve për zgjedhjet lokale, Hajdari zyrtarisht do të garojë në Drenas
Partia Demokratike e Kosovës ka përfunduar përgatitjet për zgjedhjet lokale të 12 tetorit, duke miratuar listën përfundimtare të 31 kandidatëve për kryetarë komunash. Mes emrave, bie në sy kandidati për kryetar të Drenasit, Petrit Hajdari, pas tensioneve javëve të fundit në dritën e një garë të ashpër mes kandidatëve të kësaj partie në këtë komunë.
Ky vendim, siç u njoftua nga kjo parti, u mor gjatë mbledhjes së sotme të Kryesisë së partisë, ku u diskutuan edhe zhvillimet politike aktuale në Kosovë, duke përfshirë pasojat e moskonstituimit të Kuvendit pas afatit kushtetues.
PDK shprehu shqetësimin për ngërçin e paprecedentë pas skadimit të afatit 30-ditor të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese për formimin e Kuvendit.
“Kosova tashmë po ecën në një territor të panjohur kushtetues, institucional, shtetëror dhe shoqëror. Në këtë terren të mjegullt, Kosova nuk është vetëm e humbur në koordinatat e brendshme, por edhe gjithnjë e më e paorientuar në hartën ndërkombëtare.” – thuhet në reagim.
PDK bëri të ditur se në këto zgjedhje synon “jo vetëm ruajtjen e komunave ku aktualisht qeveris, por edhe zgjerimin në zona të tjera ku qytetarët kërkojnë ndryshime.”
Nacionale raportoi pak më parë përmes burimeve nga gazeta se, gjatë mbledhjes së Kryesisë së PDK-së, vendimi përfundimtar ishte që Lladrovci nuk do të marrë mbështetje zyrtare nga partia për kandidaturën e tij.
Në këtë mbledhje, 26 vota u dhanë në favor të Petrit Hajdarit, ndërsa Ramiz Lladrovci mori vetëm 4 vota, me një votë të pavlefshme.
Kujtojmë që Ramiz Lladrovci kishte insistuar për disa muaj me radhë se nuk do të pranonte një kandidaturë tjetër nga PDK për Drenasin, duke theksuar se "nuk ka bir nane që më largon nga PDK-ja" në disa paraqitje televizive.
Lladrovci dje në një reagim në faqen e vet, pati thirrje ndaj Kryesisë së PDK-së që të reflektojnë dhe të miratojnë kandidaturën e vet.
Kryetari i Drenasit madje e quajti “të papritshme” që në rend të parë emri i tij të vendosej “në garë” për t’u shqyrtuar nga Kryesia.
“Vendosja e emrit tim në garë, për tu zgjedhur nga anëtarët e Kryesisë së PDK-së, pa marrë parasysh sukseset e komunës dhe punës së shkëlqyer të degës, nuk ishte e pritshme për qytetarët e bastionit të PDK”, shkroi ai.
Nga ana tjetër, kandidati Hajdari falënderoi kryetarin Memli Krasniqi dhe kryesinë e PDK-së për besimin e dhënë dhe konfirmimin e kandidaturës së tij.
"Drenasi është vendi ku jam rritur e formuar dhe arsyeja pse jam në politikë. Me nderim të lartë e falenderim të sinqertë për kryetarin Memli Krasniqi dhe kryesinë e Partisë Demokratike të Kosovës, kam pranuar konfirmimin e kandidaturës sime për kryetar të Komunës së Drenasit nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës.
Rrugëtimi im me PDK-në ka qenë i gjatë, sfidues por jashtëzakonisht krenar. Sot, edhe zyrtarisht, si kandidat i PDK-së për kryetar të komunës së Drenasit, i ftoj të gjithë për unifikim, bashkim e rrugëtim përpara ashtu sic i takon PDK-së në Drenas: bashkë e fuqishëm.
I falenderoj nga zemra të gjithë qytetarët e komunës së Drenasit që i kanë besuar vazhdimisht Partisë Demokratike të Kosovës e gjithashtu për besimin e thellë dhe emocionues që kam marrë unë gjithë këto ditë." - shkroi ai mes tjerash.
Kandidaturat që janë miratuar nga Kryesia e PDK-së:
1. Prishtinë – Uran Ismaili
2. Ferizaj – Agim Aliu
3. Prizren – Shaqir Totaj
4. Mitrovicë – Arian Tahiri
5. Vushtrri – Ferit Idrizi
6. Skenderaj – Sami Lushtaku
7. Drenas – Petrit Hajdari
8. Kaçanik – Sabedin Vishi
9. Hani i Elezit – Mehmet Ballazhi
10. Gjilan – Riad Rashiti
11. Pejë – Arta Vokshi Nallbani
12. Gjakovë – Ervin Shabani
13. Klinë – Sokol Bashota
14. Lipjan – Shukri Buja
15. Shtime – Përparim Ramusa
16. Dragash – Shaban Shabani
17. Malishevë – Gëzim Krasniqi
18. Rahovec – Edon Cana
19. Suharekë – Dardan Berisha
20. Podujevë – Isak Shabani
21. Fushë Kosovë – Rrahim Tërrnava
22. Kamenicë – Jona Arifi
23. Viti – Bekim Azizi
24. Istog – Ali Nimanaj
25. Deçan – Korab Mushkolaj
26. Zubin Potok – Izmir Zeqiri
27. Zveçan – Ilir Peci
28. Mitrovicë e Veriut – Flutura Hamza
29. Leposaviq – Shaqir Hetemi
30. Shtërpcë – Garip Sahiti
31. Novobërdë – Selatin Nuhiu