PDK dhe AAK mbështesin protestën e 7-gushtit kundër 'padrejtësive në Hagë', heshtin VV dhe LDK
Me afrimin e datës 7 afrohet, kur pritet të zhvillohet protestë gjithëpopullore kundër padrejtësive në Hagë, e thirrur nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovë, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë shprehur mbështetjen e plotë, duke iu bërë thirrje qyetarë të marrin pjesë masivisht.
Në protestën ku mes folësve do të jetë edhe Ali Ahmeti, kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, do të ngrihet zëri kundër “padrejtësisë” ndaj ish-krerëve të UÇK-së, nga ata që "besojnë në drejtësinë e luftës për liri, në dinjitetin dhe të ardhmen e Republikës së Kosovës."
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, përmendi disa nga shqetësimet e partisë së tij lidhur me zvarritjen e proceseve gjyqësore dhe “në prova të fabrikuara nga strukturat shtetërore të Serbisë”, rast për të cilin Nacionale raportoi ditë më parë.
“Prej më shumë se katër vjetësh e gjysmë, udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ndodhen në paraburgim në Dhomat e Specializuara, ende pa një vendim përfundimtar.
Zvarritja e këtij procesi dhe shmangia nga standardet e pritura të drejtësisë, të cilat kanë ndodhur nga kjo gjykatë, kanë ngritur shqetësime serioze, jo vetëm për të drejtat e të akuzuarve, por edhe për besimin e qytetarëve në vetë drejtësinë.
Këto shqetësime janë thelluar edhe më tej pas raportimeve të fundit se kjo gjykatë po mbështetet në prova të fabrikuara nga strukturat shtetërore të Serbisë.” – shkroi Krasniqi.
Krasniqi ka ftuar qytetarët të bashkohen në sheshin "Skënderbeu" në orën 17:00 të 7 gushtit.
“Në këtë frymë, mbështesim protestën e ftuar nga organizatat e dala nga lufta e UÇK-së, si një shprehje demokratike e qëndrimit qytetar, por edhe si bindje për pafajësinë e të akuzuarve.
Ftoj të gjithë qytetarët që besojnë në drejtësinë e luftës sonë për liri, në dinjitetin dhe të ardhmen e Republikës së Kosovës, që t’i bashkohen kësaj proteste më 7 gusht, në orën 17:00, në sheshin “Skënderbeu”.
Me çlirimtarët. Për drejtësi. Për Kosovën. “
Edhe kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka shprehur mbështetje të plotë për protestën, duke e lidhur atë me themelet e lirisë së Kosovës.
Haradinaj ka theksuar se qëndrojnë "në të drejtën e luftës, në të drejtën e luftëtarëve dhe në të drejtën e popullit."
“Në mbështetje të protestës së thirrur nga organizatat e dala nga lufta e UÇK-së, në kërkesat e tyre legjitime dhe të drejta.
Qëndrojmë gjithmonë në të drejtën e luftës, në të drejtën e luftëtarëve dhe në të drejtën e popullit.
Këto janë themelet mbi të cilat është ndërtuar liria jonë dhe që nuk lëkunden kurrë.”
Nga ana tjetër, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës nuk kanë dalë ende me ndonjë deklaratë në mbështetje të protestës.
Nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, kanë bërë thirrje për mobilizim masiv, për të “kundërshtuar padrejtësitë ndaj ish-bashkëluftëtarëve në Gjykatën Speciale.”
“Duke pasur parasysh mosreflektimin e partive politike për konstituimin e institucioneve, dhe mosrespektimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, në takim u vendos që të mbahet protestë gjithëpopullore, me kërkesat e mëposhtme:
Kundërshtimi i padrejtësive ndaj ish-bashkëluftëtarëve në Gjykatën Speciale.
Formimi urgjent i institucioneve legjitime dhe respektimi i rendit kushtetues.
Ndërprerja e përbuzjes ndaj kategorive të luftës, përfshirë mosmbështetjen financiare, përjashtimin e veteranëve nga paga minimale dhe mungesën e ligjit për vlerat e UÇK-së.” – thuhet mes tjerash.