Pasuli e gullashi ‘njëburimor’ Vs. Rusia, Serbia e bombat atomike – LDK ia jep ‘detajet’ Sveçlës për tenderët e negocuar
Gjeti ‘argumentin përfundimtar’ për të justifikuar numrin enorm – mbi 200 sosh – të tenderëve një burimor që janë marka shënjuese e Qeverisë së Albin Kurtit. “Serbia, Rusia, bombat atomike”, përbënin arsye se pse kaq shumë tenderë të negociuar drejtpërsëdrejti, sy-më-sy, pa publikim kontrate nga kjo qeveri, sipas Ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla.
“Në një situatë kur i gjithë globi është në tension, kur përmendet edhe bombat nukleare, kur ke atak të drejtpërdrejtë të një shteti armik dhe t’i punon për tu mbrojt me i pas të gjithë tenderët publik, me i tregu edhe Serbisë edhe Rusisë të gjitha këto gjëra”, tha Xhelal Sveçla në një intervistë në “Kallxo”.
Krejt kjo nisi me një tender të dhënë nga Ministria e Punëve të Brendshme për licensa të ‘Microsoft’-it, pasi si çështje u shtrua nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Sveçla tha se “nuk i di detajet” për të vazhduar me arsyetimin e mësipërm për “Rusinë, Serbinë, bombat atomatike”.
Një avalansh reagimesh erdhi nga LDK-ja, të cilët, iu drejtuan Sveçlës me: “qe detajet”.
Hykmete Bajrami nga LDK në rend të parë s’e bleu këtë tentim-arsyetim të Sveçlës duke shkruar se “as Rusia as Serbia, e as bombat atomike nuk mjaftojnë për ta fshehur korrupsionin me tenderat sekret të kësaj Qeverie”.
Detajet që s’i dinte Sveçla, i dha Bajrami...
Për licensa të Microsoft-it, përmes tendereve të rregullta – pra, të hapura – kjo gjë kushtonte afro 10 milionë euro. Por, në ministrinë e Sveçlës kjo gjë u kthye në të mbyllur dhe kushtoi 15 milionë euro. Për më tepër, të njëjtës kompani që në negocim të mbyllur i janë dhënë 15 milionë euro, ajo kompani në procedurë të hapur kishte ofertuar 10 miliionë euro.
“Në vitin 2017 blerja e licensave të Microsoft-it ishtë bërë me procedurë të hapur, ashtu siç e kërkon Ligji i Prokurimit Publik, kontratë tri vjeçare, në atë kohë tenderin e kishte fituar operatori ekonomik/kompania vendore ‘Cacttus’ që kishte ofruar çmimin me të ulët 9 milionë e 529 mijë e 174 euro”, shpjegoi Bajrami.
“Në vitin 2020 prapë për blerje të licensave të Micosoft-it përmes një procedure të hapur, tenderin e fiton kompania nga Shqipëria 'Infosoft Systems', por kësaj radhe jo çmimi me i ulët sepse në garë kanë qënë edhe dy operatorë me çmim më të ulët se operatori fitues 'Infosoft Systems', por sipas Ministrinsë së Punëve të Brendshme ata nuk i kishin plotësuar të gjitha kërkesat e tenderit. Pra në vitin 2020 përmes procedurës së hapur ‘Infosoft Systems’ e furnizon Ministrinë e Punëve të Brendshme me licensa të Microsift-it për tri vite me çmim prej 10 milionë e 295 mijës e 243 euro”
“Çka ndodhë në vitin 2023 është se Ministria e Punëve të Brendshme nuk shpallë më tender, duke eleminuar kështu çdo garë mes operatorëve ekonomik dhe kontratën e negocion vetëm me kompaninë 'Infosoft Systems', të cilën veçse e kishte brenda nga viti 2020, por tash kjo kontratë për kohën e njëjtë, mallin e njëjtë i kushton buxhetit të Kosovës hiç me pak se 14 milionë e 988 mijë e 509 euro”, shkroi Bajrami.
Deputetja e LDK-së kërkon këtu vëmendjen e Sveçlës të cilit i mungonin “detajet”.
“E njëjta kompani me procedurë të hapur 10 milionë e 295 mijë e 243 euro, ndërsa me procedurë të mbyllur/kontratë sekrete 14 milionë e 988 mijë e 509 euro, dmth, dallimi është 4 milionë e 693 mijë e 266 Euro”, shtoi ajo.
E kjo, sipas saj, përbën “korrupsion me kontrate sekrete”.
Por, arsyetimi i Sveçlës nuk ngjalli edhe veç reagime si të Bajramit – shpjeguese. Talljet pësuan edhe me çështjen e tenderit që u provua të jepej në mënyrë të negocuar – pa publikim kontrate – për ushqim (konkretisht: pasul e gullash) për Ushtrinë e Kosovës.
“Kujdes mos po e merr vesh Rusia dhe Serbia, qe jemi duke ble gullash dhe pasul”, shkroi Nënkryetari i LDK-së, Berat Rukiqi, duke u talluar me arsyetimin e Sveçlës.
Të njëjtën pyetje e shtroi edhe deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili: “PASULIN & GULLASHIN po e fshehni prej Rusisë a?”.
Njohësi i çështjeve të sigurisë, Burim Ramadani, po ashtu e pati një kundërpërgjigje për arsyetimin e Sveçlës:
“Siguria kombëtare nuk trajtohet emocionalisht dhe nuk argumentohet duke u thirrë në luftëra nëpër botë. Rrethanat e tilla janë argumente për të zhvilluar kapacitetet vetanake të sigurisë dhe forcimim e aleancave. Por, assesi për të arsyetuar tenderimet ku dyshohet për keqpërdorime! Aty duart e palara shkurtohen!”, shkroi Ramadani.