Pasi shpalli kandidaturën, Vjosa Osmani ‘kërcënon’ partitë nëse nuk e votojnë – së shpejti takimi me Kurtin
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, me të parë rezultatin e zgjedhjeve, ka dalur në disa intervista.
Në secilën prej tyre, edhe zyrtarisht ka shpallur kandidaturën edhe për një mandat si presidente.
Megjithatë, duke ditur se duhen 80 vota për të qëndruar në sallë, duhet një marrëveshje me opozitën.
Presidentja Osmani ka zgjedhur t’i paralajmërojë partitë se nëse nuk e votojnë, do ta kenë përballë në zgjedhje.
“Nuk ka parti politike, përveç Listës Serbe, nuk ka parti politike që në një mënyrë apo tjetër, nuk ka qenë e informuar që qëllimi im do të jetë që t’i siguroj Republikë së Kosovës vazhdimësi të këtyre punëve të mira, në qoftë se edhe ata pajtohen”, theksoi ajo në Klan Kosova.
“Në fund të fundit është në vullnetin e deputetëve, që vendosin nëse do të më përkrahin apo jo, dhe po e them përsëri, në qoftë se vendosin që po, do të vazhdojmë me punë të mira për vendin, mbrojtje të interesave të qytetarëve, në qoftë se vendosin që jo, atëherë unë e vazhdoj punën në një mënyrë tjetër, nëpërmjet angazhimit politik dhe kurdo që të ketë zgjedhje, atëherë i përballim idetë, nocionet, qëndrimet, energjinë besa e shumëçka tjetër. Por qëllimi im është që të vazhdojë të jem e angazhuar politikisht dhe ta ndihmoj Republikën e Kosovës që të ecë përpara“, tha tutje Osmani.
Ajo foli edhe për dallimet me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.
“Çka është me rëndësi është që nuk kemi dalluar kurrë me qëllimin tonë në raport me vendin. Qëllimi gjithmonë ka qenë ta kemi një Republikë të fortë, një republikë sovrane në çdo milimetër të territorit tonë dhe këtë e kemi arritur me shumë mund, me shumë sakrificë, me shumë angazhim, nuk ka qenë fare e lehtë. Jo domosdoshmërisht, në momentin e parë dakordohemi për strategjinë që duhet ndjekur apo për metodat që duhet ndjekur, por asnjëherë dallim nuk kemi se ku do të shkojmë, se cili është qëllimi që duam ta arrijmë qoftë me aleatët tanë, qoftë me sovranitetit në vend”, tha ajo.
E për ta përmbushur këtë qëllim, ajo thotë se shpeshherë është dashur që të heqin dorë nga qëndrimet e tyre dhe të vazhdojnë rrugën ose idenë e njëri-tjetrit.
“Shpeshherë heq dorë njëri, shpeshherë heq dorë tjetri, kjo është realiteti i bashkëpunimit në çdo raport, qoftë ai raport politik, qoftë ai raport familjar, çdoherë vijmë një një konkluzion ku dikush duhet pak të heqë dorë, dikush të pajtohet më shumë, herë më ndodh mua, herë i ndodhë dikujt tjetër, e rëndësishmja është që qëllimin e kemi pasë të mirë, asnjëherë nuk ka qenë qëllimi që të dëmtohet Republika e Kosovës, e aq më pak të dëmtohen relacionet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, pohoi presidentja.
Në anën tjetër, Albin Kurti sa herë është pyetur për zgjedhjen e presidentit, ka mjaftuar me një deklaratë se shumë shpejt do të ketë takim me Vjosa Osmanin.
“Së pari të presim certifikimin nga KQZ. Dhe mëpastaj menjëherë e konstituojmë Kuvendin dhe themelojmë qeverinë. Jam i interesuar për bashkëpunim me opozitën për marrëveshjet ndërkombëtare, Plani i Rritjes, marrëveshjet me Bankën Botërore. Bllokadat janë të pamundshme tanimë. Tepër herët të flasim, sonte do të festojmë. Gëzuar vitin e ri 2026”, tha ai.
“Por, natyrisht që nuk do të vonohemi për këtë çështje. Na duhet të bisedojmë edhe me opozitën për presidentin e ardhshëm. Por, së pari do të bisedoj me presidenten aktuale, që të shohim hapat e ardhshme. Por, dihet që edhe për zgjedhjen e presidentin, na duhen 80 veta në sallë, dhe për këtë na duhet të bisedojmë. Por, ky s’është as hapi i dytë, por i tretë. Por, njëherë certifikimi”, deklaroi Kurti.