Pasi lavdëroi Ivanoviqin, Kurti kujton Skënderbeun: Strateg gjenial, i bëri ballë Perandorisë Osmane
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kujtuar Gjergj Kastiorti – Skënderbeu, në 555 vjetorin e vdekjes. Ky shkrim i tij, vjen një ditë pas video së shumë komentuar, ku kujtonte politikanin e vrarë serb, Oliver Ivanoviq.
Përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook, Kurti ka thënë se Skënderbeu vazhdon të frymëzojë me historinë e tij.
“Edhe gati gjashtë shekuj nga koha kur jetoi, Skënderbeu vazhdon të frymëzoj me historinë e tij. Skënderbeu ishte strategu ushtarak gjenial i cili me trupa ushtarake numerikisht të kufizuara, arriti t’u bënte ballë ushtrive të mëdha të forcës politike më të fuqishme të kohës, Perandorisë Osmane. Skënderbeu ishte politikani që arriti t’i bashkonte në Lezhë (1444) në një aleancë politike dhe ushtarake, dinastët e shumicës së fisnikërisë arbërore, pasi kishin rënë me radhë nën vasalitetin ose dominimin e osmanëve.” – ka shkruar ai.
Në fund, Kurti ka thënë: “Lavdi heroit të shqiptarëve Gjergj Kastriotit Skënderbeut për jetë e mot!”
Ndërkohë, në një video të publikuar gjatë së hënës, Kurti ka thënë se Ivanoviq ishte një person i përkushtuar për të luftuar për interest e komunitetit e qytetit të tij.
“Sot ne përkujtojmë jetën dhe kujtimin e Oliver Ivanoviqit, në ditën e vdekjes së tij. Mendimet dhe ngushëllimet e mia janë me familjen dhe miqtë e tij. Oliver Ivanoviq ishte një person i përkushtuar për të luftuar për interesat e komunitetit dhe qytetit të tij. Ai e bëri këtë duke qenë i hapur, i sinqertë, gjithmonë i mprehtë në çështjet me rëndësi, por edhe i respektueshëm edhe ndaj atyre me të cilët nuk ishte dakord. Do të dëshiroja që kujtimi i tij të mbetet i gjallë, kujtimi i tij si një njeri që punoi për një të ardhme të qëndrueshme dhe për një Kosovë shumë etnike.” – ka thënë Kurti.
