Pas shkeljes së Kushtetutës nga Dehari, VV nxjerr kartën e Serbisë: “Llabani, bashkëpunëtor i BIA-s”
Pas vendimit të së premtes të Gjykatës Kushtetues, i cili konstatoi shkelje kushtetuese nga kryesuesi i seancës, Avni Dehari, Lëvizja Vetëvendosje ashpërsoi retorikën ndaj gjqytarëve të institucionit, duke rikthyer në qendër të vëmendjes edhe figurën e gjyqtarit Radomir Llaban.
Sipas përbërjes aktuale, pesë nga shtatë anëtarët e Gjykatës shërbenin edhe në vitin 2021, kur ky institucion shpalli të paligjshme zgjedhjen e Qeverisë Hoti, një aktgjykim që atëherë u përshëndet nga VV si triumf i rendit kushtetues dhe vullnetit qytetar. Në atë kohë, pjesëmarrja e gjyqtarit Llaban në trupë nuk u problematizua nga Vetëvendosje.
Në një konferencë për media të mbajtur sot, deputetja e VV-së, Albulena Haxhiu, artikuloi shqetësimet e subjektit të saj, duke rikujtuar letrën e vitit 2018 drejtuar ish-Presidentit Hashim Thaçi, me të cilën kërkohej mosdekretimi i Radomir Llabanit si gjyqtar i Kushtetueses, për shkak të asaj që ajo e cilësoi si “të kaluar kriminale”.
Sipas Haxhiut, letra nuk mori përgjigje zyrtare dhe, pavarësisht kundërshtimeve, Llaban u dekretua. Ajo tha se VV i ishte drejtuar më pas Gjykatës Kushtetuese për nisjen e procedurave të shkarkimit të tij, por ishte përballur me akuza për ndërhyrje në pavarësinë institucionale.
“Para ca ditëve kam shpërndarë letrën me të cilën i isha drejtuar ish-Presidentit Thaçi në vitin 2018, me kërkesën për mosdekretim të Radomir Llaban si gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese, për shkak të së kaluarës së tij kriminale. Ne nuk kishim marrë asnjë përgjigje nga ish-Presidenti Thaçi përveçse pastaj ishim njoftuar nga mediat se i njëjti, pavarësisht kërkeses sonë, e kishe dekretuar Llabanin si gjyqtar të Kushtetueses. Duke e pasur parasysh që gjyqtarët shkarkohen nga Presidenti por paraprakisht duhet që të vije propozimi nga 2/3 e anëtarëve të Kushteuteses, ne i ishim drejtaur asaj kohe Kushteuteses me kërkesën që të fillojnë procedurat për shkarkimin e tij. Në vend të një përgjigje pozitive, ne ishim përballur me akuzën që letra jonë është ndërhyrje në pavarësinë e Gjykatës.
Serbia asnjëherë nuk ka hequr dorë nga përpjekjet për ta destabilizuar Kosovën dhe penguar zhvillimin e saj në të gjitha format. Kohëve të fundit është arritur një sukses i madh i institucioneve tona të sigurisë dhe të inteligjencës në dokumentimin e aktivitetit të spiunazhit, sabotazhit të Serbisë në Kosovë.” – deklaroi ajo.
Duke e vendosur çështjen në kontekstin e sigurisë kombëtare, ajo theksoi se Serbia, sipas saj, nuk ka hequr dorë nga përpjekjet për destabilizimin e Kosovës dhe pengimin e zhvillimit të saj.
Haxhiu citoi “suksese të rëndësishme” të institucioneve të sigurisë dhe të inteligjencës në dokumentimin e aktiviteteve të spiunazhit e sabotazhit, duke pretenduar se, bazuar në informacione të “institucioneve relevante”, gjyqtari Llaban dyshohet të jetë ndër bashkëpunëtorët e Agjencisë për Siguri dhe Informim të Serbisë.
“Serbia ka përdorur historikisht dhe përdor edhe sot agjenturën me qëllim që të shtrijë ndikimin në çdo vend fqinj e sidomos në Republikën e Kosovës. Në mesin e këtyre shembujve është edhe ai i anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, Radomir Llabanit. Bazuar në informacionet që kanë institucionet relevante, gjqytari i Kushtetueses Llabani, dyshohet se është njëri nga bashkëpunorët e Agjencisë për Siguri dhe Informim të Serbisë.” – tha ajo.