Pas raportimit të Nacionales për dyshimet për dallavere, Komuna e Podujevës anulon konkursin për tutor - NACIONALE

Pas raportimit të Nacionales për dyshimet për dallavere, Komuna e Podujevës anulon konkursin për tutor

1 vit më parë

nga NACIONALE

Komuna e Podujevës ka anuluar konkursin për pranimin e tutorëve (kujdestarëve) nëpër shkolla, i cili ishte shpallur pas një memorandum të bashkëpunimit mes autoriteteve komunale dhe organizatave joqeveritare “Zëri i Romëve, Ashkalive dhe Egjiptianëve” dhe organizatës ndërkombëtare “Terres des Hommes”.

Për parregullsitë e konkursit kishte raportuar Gazeta Nacionale ditë më parë, teksa informonte se anëtarja e komisionit nga organizata joqeveritare, Dardane Shaqiri, nuk e kishte nënshkruar vendimin për rekrutim.

Ndërsa, në vendimin e publikuar nga Komuna e Podujevës theksohet se deri tek ky vendim është ardhur pasi që komisioni për shqyrtimin e ankesave ka konkluduar se nuk janë respektuar afatet ligjore.

“Ky vendim anulohet duke u bazuar në vendimin e komisionit për shqyrtimin e ankesave nr.05/289 të datës 10.06.2022, me të cilin është shfuqizuar vendimi i komisionit përzgjedhës nr.05/266 të datës 30.05.2022, anulohet konkurs nr. Për pozitën Tutor/e, me numër të protokollit Nr.05/139 i shpallur më datën 23.03.2022, për shkak se nuk janë respektuar afatet ligjore të procedurës së rekrutimit lidhur me këtë konkurs”, thuhet në vendimin e nënshkruar nga Avni Fetahu, ushtrues detyre i drejtorit të Drejtorisë Komunale të Arsimit.

Aty konfirmohet se i njëjti konkurs do të përsëritet brenda afatit ligjor.

Çka kishte raportuar Nacionale?

Në fund të majit, Komisioni Përzgjedhës kishte shpallur fituesit e konkursit për tutorë në komunën e Podujevës, e nëpërmjet të së cilit vendim, shtatë persona kishin fituar vendet e punës nga ky konkurs.

Mirëpo, ajo që ra në sy ishte mos nënshkrimi i shpalljes së vendimit nga njëri prej anëtarëve të komisionit vlerësues.

Pjesë e komisionit ishin një përfaqësues i komunës dhe nga një përfaqësues prej organizatave “Zëri i Romëve, Ashkalive dhe Egjiptianëve” dhe “Terres des Hommes”.

Dardane Shaqiri, që ishte anëtare e këtij komisioni prej shoqërisë civile, nuk e nënshkroi vendimin. Siç kishte raportuar Nacionale, ky mosnënshkrim motivohej nga fakti se konkursi ishte përshkruar nga parregullësi të ndryshme, e të cilat kulmonin me punësimin e personave që janë familjarë të udhëheqësve komunale nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.

Nga lista e 7 personave të punësuar, së paku tre prej tyre kishin lidhje me njerëz të pushtetshëm në Komunën e Podujevës.

Liridona Babatinca - Maqedonci është gruaja e kandidatit të Vetëvendosjes për asamble komunale në Podujevë, Valon Maqedoncit. Sipas konkursit në fjalë, ajo kishte fituar më së shumti pikë në intervistë (90), megjithëse jo edhe në testim me shkrim (77).

Edhe bashkëshortja e Jeton Havollit, po ashtu kanditat për asamble komunale nga VV-ja në Podujevë, Donjeta Berisha-Havolli, është pranuar në punë nga Komuna e Podujevës. Edhe znj. Berisha Havolli kishte marrë numër shumë të madh pikësh në intervistimin me gojë.

Në anën tjetër, pikët në test të shumë prej kandidatëve që nuk janë pranuar janë të përafërta, e në raste të caktuara edhe më të larta se të kandidatëve të pranuar.

Ndërkaq, Arben Hoxha – një tjetër kandidat i pranuar - është djali i tezes së drejtorit të Financave në Komunën e Podujevës.

Ndërsa, siç shkruante Nacionale, anëtarja nga organizata “Terres des Hommes” ka refuzuar të nënshkruajë vendimin për shkak të parregullsive gjatë konkursit, e që shihej edhe në vendimin e publikuar nga komuna.

Sipas konkursit, një tutor i pranuar do të kishte për detyrë që të organizonte “mësim plotësues pas orarit të rregullt të mësimit bazuar në nevoja të fëmijëve”, “ofrim të mbështetjes emocionale për “romët, ashkalitë dhe egjiptasit por edhe fëmijët e tjerë”, pastaj “sigurim të mbështetjes akademike/profesionale” për fëmijët që kanë vështirësi në mësim” dhe “motivimin e nxënësve për të arritur rezultate të mira në mësime”.

Lajme të ngjashme