Pas Marigonës e stikersave, UBT-ja e bëri Liburnin epitomën e “së majtës” në VV
Në mesditën e sotme, Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, njoftoi se ministria që ai drejton ka nënshkruar një marrëveshje, që siç e ka quajtur ai, “që përcakton kornizat e bashkëpunimit” në mes Ministrisë së Mjedisit dhe Kolgjit privat, le ta përsërisim edhe një herë “privat” të quajtur “UBT”.
Ministri Aliu nënshkroi një marrëveshje me këtë kolegj për hartimin, aplikimin dhe zbatimin e projekteve, elaborateve dhe studimeve të përbashkëta, hulumtimeve shkencore, organizimin dhe realizimin e forumeve profesionale, konferencave dhe simpoziumeve shkencore, realizimin e këshillimeve profesionale reciproke, ofrimin e mundësive për realizimin e praktikës profesionale për studentët, harmonizimin e përmbajtjeve mësimore me nevojat e tregut të punës, si dhe funksionalizimin e institucioneve të përbashkëta profesionale dhe shkencore.
Mirëpo, kjo informatë të cilën e ndau me krenari ministri, u bë shkas që të jetë tema më e rëndësishme e diskutimit të ditës, krejt kjo për dy arsye: për shkakun që ministri nënshkroi bashkëpunim me një institucion privat në të cilën vetë është i punësuar tash e disa vite, e që përbën konflikt interesi; dhe pika tjetër se ky ministër i takon një subjekti qartazi të deklaruar si të majtë, dhe qasja e ministrit qartazi bie ndesh me orientimin e subjektit dhe qeverisë të cilës i takon e cila nën ligjerimin se i takojnë publikes e publikut edhe ka marrë këtë forcë kolosale për të qeverisur. Dhe përkrahja e institucioneve private para atyre publike natyrisht që konsiderohet “tradhti”, apo thënë më butë, “devijim” nga bindjet.
Dhe pikërisht për këtë arsye, marrëveshje e ministrit me kolegjin privat “UBT”, u kritikua me tone të ashpëra edhe nga persona të cilët qartazi ndajnë bindje me Lëvizjen Vetëvendosje.
Aliu është vënë në shënjestër kritikash nga njerëz të tjerë që i kanë qëndruar afër Kurtit dhe VV-së, për faktin se veprimi i ministrit Aliu është në shpërputhje totale me konceptet e parimet që është ndërtuar dhe ka premtuar Vetëvendosje.
Aktivistë të shoqërisë civile, dhe ish-aktivistë të VV-së si Shkëlzen Gashi dhe Rron Gjinovci, e që VV ndoshta do t’i lexonte si “kritika të sinqerta” reaguan ashpër ndaj këtij vendimi të ministrit Libur Aliu.
“Përkrahja e institucioneve private, e jo publike, është shkelje e premtimeve të Vetëvendosjes”, - thotë Gashi. Madje sipas tij kjo përbën edhe konflikt të pastër interesi meqenëse Aliu është edhe punëmarrës si ligjerues i rregullt në kolegjin “UBT”. Madje ai e sheh edhe si “test për Kryeministrin”, veprimin e Aliut.
Më radikal në qëndrim për këtë çështje ishte edhe ish-aktivisti i VV-së Rron Gjinovci. Sipas tij, me këtë qasje, Qeveria Kurti 2 “po shkon drejt një dështimi kolosal”.
“Memorandum me privatët qeveria e majtë”, shkruan Gjinovci, aktivist i majtë, sikur të ndihej i tradhtuar ideologjikisht nga ish-subjekti ku bënte pjesë.
Pas kritikave të ashpra ndaj tij ministrit Aliu i cili favorizoi një kolegj privat prej të cilit i merrte 1000 euro pagë në muaj para Universiteteve Publike, reagoi edhe ky i fundit duke i falenderuar qytetarët që po shprehin shqetësim.
Aliu tha se nënshkrimi i këtij memorandimi me kolegjin privat UBT ishte planifikuar të bëhej pas nënshkrimit me Universitetin e Prishtinës, mirëpo “përkundër vullneteit të ministrit” nënëshkrimi i bashkëpunimit me UP-në është shtyrë për nesër.
“Në asnjë mënyrë, qasja jonë nuk është selektuese e as diskriminuese apo favorizuese, por në përputhje me të mirën publike dhe me strategjinë e Ministrisë, në interes të projekteve zhvillimore të cilat i kemi në plan t’i realizojmë”, shkroi Aliu.
Mirëpo, reagime të ashpra ndaj ministrit nuk munguan edhe nga shumë analistë e opinionistë në Kosovë.
Për analistin Imer Mushkolajn, sqarimi i ministrit ishte vetëm një përpjekje për tu arsyetuar, pasi sipas tij, kjo nuk e zhbën faktin se ministri nënshkroi me një kolegj privat nga i cili paguhet mbi 1000 euro në muaj.
Por, ky nuk është rasti i vetëm që veprimet e Liburn Aliut po e shndërrojnë në një paradoks Vetëvendosjen me ligjerimin dhe premtimet e tyre.
Në tetor të vitit 2020, Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës 2020 kishte nisur blerjen e një banese në lagjen “Marigona Hill”. Vlera e kësaj banese, sipas deklarimit të pasurisë që ka bërë ministri Aliu në Antikorrupsion kap shifrën e 103 mijë eurove.
“Si sqarim shtesë në lidhje me detyrimin financiar ndaj “Marigona Hill” shpk. Me këtë kompani është lidhur edhe një para-kontratë për blerje të banesës me vlerë 103,000.00€ me 19 tetor 2020, në mes të kësaj kompanie dhe mua personalisht, nga të cilat janë paguar 20,000.00€ janë paguar (pas mjeteve të marra të kompensimit për ish të burgosurit politikë) dhe 83,000.00€ kanë mbetë të papaguara me afat deri në dhjetor 2023, me mundësinë e ndryshimit të kontratës në rast të mosarritjes së realizimit të pagesës”, thuhej në sqarimet që ministri Librun Aliu ka thënë në deklarimin e pasurisë.
Kjo nuk e bënte problematike blerjen e banesës si të tillë, po lagjia “Marigona” në të cilën bleu banësë Aliu, ishte përdorur shpesh si simbolikë nga Kryeministri Kurti për të goditur kundërshtarët politik.
Edhe në atë kohë pati kritika të ashpra dhe shpërfaqje demantuese të diskursit të VV-së dhe vetë Aliut se pronat qindra mijëra euroshe duhet t’u takojnë biznesmenëve dhe jo politikanëve. Sepse Vetëvendosje na ka mësuar se si të jetojmë me modesiti, nëse jo të varfër. Mirëpo, sjelljet e Aliut si duket janë në disproporcion me atë që VV-ja ka ligjeruar më shumë se një dekadë.
Për më tepër, një ndër skandalet më të mëdha të Qeverisë Kurti është bërë pikërisht nga Ministria e Infrastrukturës e udhëhequr nga Liburn Aliu përmes tenderit për stikersa që propozohej të ngjiteshin në veturat e regjistruara – për t’i identifikuar të paregjistruarat – dhe të cilat edhe pse bliheshin për më pak se 1 centë copa, shiteshin nga 5 euro. Pas reagimeve të shumta, edhe ky tender ishte tërhequr më pas.