Pas Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut e Serbisë, Kurti përzihet edhe në politikën e Malit të Zi - NACIONALE

Pas Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut e Serbisë, Kurti përzihet edhe në politikën e Malit të Zi

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka vazhduar “hobin” e tij të përfshirjes në politiken e vendeve të huaja. Në listën goxha të gjatë të përzierjes së Kurtit, tashmë i është shtuar edhe një emër i ri i një shtetit të vogël. Pas Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë, ShBA-së, Zvicrës, Luginës së Preshevës në Serbi e të tjera, Kurti është përfshirë edhe në politikën e Malit të Zi.

Përmes një videoje, kryeministri Kurti ka folur për politikën në Mal të Zi. Më saktë, Kurti, duke folur në emër të Lëvizjes Vetëvendosje, ka dërguar një mesazh mbështetës para nisjes së konferencës zgjedhore në Podgoricë, për Partinë Demokratike të Socialistëve në Mal të Zi, e cila është themeluar nga ish-presidenti malazias, Milo Gjukanoviq.

“Ne gjithmonë do të qëndrojmë pranë atyre që besojnë se e ardhmja jonë e përbashkët është në BE, drejt së cilës ne ndërtojmë ura së bashku të bazuara në marrëdhënie të mira fqinjësore, mirëqenien e qytetarëve tanë, sigurinë e Aleancës Veri-Atlantike, luftën kundër krimit dhe korrupsionit, si dhe luftën kundër nacionalizmit dhe shovinizmit ekstrem që tenton të na kthejë në fillim të viteve të nëntëdhjeta të shekullit të kaluar” – ka thënë Kurti.

Përfshirja në vendet e tjera

Përveç Malit të Zi, Kurti është përfshirë kohë më parë edhe në zgjedhjet në Maqedoni të Veriut, të cilët përfunduan në maj të këtij viti. Në Maqedoni të Veriut, Kurti përkrahu koalicionin e VLEN-it, i cili garoi kundër Ali Ahmetit, liderit të BDI-së, që për një kohë të gjatë ishte pjesë e Qeverisë së këtij shteti fqinj. Kurti i kishte pritur në zyrë udhëheqësit e koalicionit VLEN, që pritet të hyjë në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut.

“Përfaqësuesit e VLEN diskutuan me kryeministrin Kurti për çështjet me rëndësi për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, por edhe për marrëdhëniet ndërshtetërore mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut e për çështje të tjera të rëndësishme. Shqetësuese për palët vazhdon të jetë influenca ruse dhe serbe, e cila ndodh edhe përmes rrjeteve korruptive e kriminale. Zhvillimi i infrastrukturës që ndërlidh popullsitë e shtetet tona, ishte një ndër temat kryesore të diskutimit, bashkë me ide e projekte për gjallërimin e bashkëpunimit ekonomik, kulturor e arsimor” –thuhej në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.

Po ashtu, Kurti u përfshi edhe në zgjedhjet në Luginë të Preshevës, duke kërkuar që të votohet këshilltarja e tij, Ardita Sinanin dhe Ragmi Mustafin, që është këshilltar i Besnik Bislimit, dyshit në Qeverinë Kurti.

Së fundmi, Kurti u përfshi edhe në zgjedhjet e BE-së, duke kërkuar që të votohet e majta në zgjedhjet për Parlamentin Evropian.

“Me afrimin e zgjedhjeve për Parlamentin Evropian, u bëj thirrje të gjithë anëtarëve të diasporës sonë që të ushtrojnë të drejtën e votës. Çdo votë e vetme llogaritet në mbështetjen e politikanëve dhe partive – të tilla si socialdemokratët – që me të vërtetë mbrojnë demokracinë dhe Evropën kundër kërcënimit serioz të së djathtës ekstreme” – kishte shkruar Kurti në platformën “X”.

Sjellim ndër mend që Kurti kishte ofruar përkrahje për të majtit edhe në zgjedhjet e përgjithshme në Zvicër, ndërsa kishte përkrahur presidentin e tanishëm amerikan, Joe Biden, i cili në vitin 2020 garonte kundër kandidatit të Partisë Republikane, Donald Trump.

Ndërsa në përfshirjen e tij politike në Shqipëri, Kurti ishte përballur me kryeministrin shqiptar Edi Rama, ndërsa Dega e VV-së në Shqipëri kishte pësuar debakël elektoral në zgjedhjet lokale. Për të gjitha këto përfshirje, Kurti ishte kritikuar ashpër nga partitë politike, analistët e gazetarët.

Lajme të ngjashme