Pas kallëzimit penal nga Nacionale, Prokuroria fillon hetimet ndaj VisaMetric
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka filluar hetimet ndaj kompanisë VisaMetric.
Kjo pas kallëzimit penal që e dorëzuan gazetarët e Nacionales, Vullnet Krasniqi dhe Anita Nikaj.
VisaMetric nuk po e zbatonte vendimin e Gjykatës Komerciale, lidhur me 30 euro pagesë, që aplikuesit detyroheshin ta bëin për ta pranuar pasaportën.
Lajmin për nisjen e hetimeve e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë, Laureta Ulaj.
“Referuar kërkesë së parashtruar nga ana juaj, ju njoftojmë se lidhur me këtë çështje Prokuroria Themelore në Prishtinë ka pranuar kallëzim penal. Prokurori i Shtetit menjëherë ka filluar me ndërmarrjen e veprimeve sipas dispozitave ligjore të KPPRK-së, dhe atë në drejtim të veprës penale “Mosekzekutimi i vendimeve gjyqësore”, nga neni 394, paragrafi 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, ka thënë zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj.