Pas gazetarëve e OJQ-ve, Abdixhiku konfirmon takime me profesorë, diplomatë e sektorin privat
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka dhënë detaje pas takimit me organizatat e shoqërisë civile, derisa ka paralajmëruar se ato të radhës do të jenë me ligjeruesit universitarë dhe diplomatë, e po ashtu, edhe me sektorin privat.
Përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook, ai tha se në takim morën pjesë mbi 20 organizata kryesore në vend.
“Diskutimet e sugjerimiet e tyre ishin jo vetëm të drejta, por edhe përmbajtësore. Ato pasuruan orientimet tona që i prezantuam aty; ato pasuruan dhe pikëpamjet tona për rrugën në vijim. Për bindjet tona, vendit tonë, shoqërisë sonë, i duhet përbashkimi i ideve që në thelb ruajnë fundamentet e shtetësisë sonë. Ruajnë demokracinë, mendimin e lirë e orientimin euroatlantik si projekt i pandryshueshëm i Republikës. Tani që këto fundamente po rrezikohen pariparueshëm, mosveprimi është anim.” – ka shtuar tutje ai.
Në fund, Abdixhiku ka konfirmuar se takimet e ardhshme janë me ligjeruesit universitarë dhe diplomatë, e po ashtu, edhe me sektorin privat.
Postimi i plotë:
Sot, në Prishtinë mbajtëm takimin e dytë konsultativ me akterë publik; këtë herë takuam organizatat e shoqërisë civile në Kosovë. Mbi 20 organizata kryesore në vend, i falënderoj për pjesëmarrjen në një takim të tillë. Të njëjtit i falënderoj për të gjitha diskutimet gati tre orëshe, mbi gjendjen aktuale në vend dhe rrugën përpara që kjo shoqëri duhet ta gjejë.
Diskutimet e sugjerimiet e tyre ishin jo vetëm të drejta, por edhe përmbajtësore. Ato pasuruan orientimet tona që i prezantuam aty; ato pasuruan dhe pikëpamjet tona për rrugën në vijim.
Për bindjet tona, vendit tonë, shoqërisë sonë, i duhet përbashkimi i ideve që në thelb ruajnë fundamentet e shtetësisë sonë. Ruajnë demokracinë, mendimin e lirë e orientimin euroatlantik si projekt i pandryshueshëm i Republikës. Tani që këto fundamente po rrezikohen pariparueshëm, mosveprimi është anim.
Përveç se i lumtur dhe mirënjohës për përgjigjet pozitive ndaj iniciaitvës sonë konsultative, jam dhe i lumtur për masën kritike që ky vend mund ta ndërtojë. Dy takimet e ardhshme janë me ligjëruesit universitarë e diplomatë; sikurse dhe me sektorin privat.