Pas dramës disaditore, Vuçiq i tregon "masat" për Kosovën - NACIONALE

Pas dramës disaditore, Vuçiq i tregon "masat" për Kosovën

1 vit më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq ka prezantuar “masat” për Kosovën, në një konferencë të paralajmëruar para disa ditësh.

Fillimisht, Vuqiç citohet të ketë thënë se nuk ka zgjidhje të mirë për Kosovën:

“Nuk ekziston ai mrekullibërës që mund t'u sjellë serbëve një zgjidhje të mirë për Kosovën. E pranoj. Edhe pse jam presidenti që ka zhvilluar më së shumti bisedime”.

Serbia po kërkon “heqjen e pasojave kryesore të veprimeve të njëanshme dhe të pakoordinuara” të Qeverisë së Kosovës, duke e cilësuar këtë si "parakusht të domosdoshëm për një përparim të kuptimshëm".

Ndërkohë, sipas “REL”, Serbia ka dalë me këto kërkesa

  • shpalljen dhe mbajtjen e "zgjedhjeve lokale të lira dhe demokratike" në veriun e Kosovës, me pjesëmarrjen e misionit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) dhe me mbikëqyrjen e Bashkimit Evropian.
  • kthimin e serbëve në Drejtorinë Rajonale të Policisë së Kosovës për veriun dhe kthimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë në funksionet e tyre gjyqësore.
  • tërheqjen e forcave speciale të Policisë së Kosovës nga "bazat dhe pikat e kontrollit të ndërtuara në mënyrë të paligjshme" në veriun e Kosovës.
  • tërheqjen e Policisë nga të gjitha institucionet "të cilat nga viti 1999 deri në mbylljen e paligjshme në vitin 2024 ofronin shërbime vitale publike dhe administrative për qytetarët".
  • formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe
  • zbatimin e menjëhershëm të “garancive të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara nga 28 dhjetori i vitit 2022, dhe lirimin e menjëhershëm të të gjithë të burgosurve politikë" të arrestuar nga Policia e Kosovës, dhe
  • kryerjen e pagesave me shërbimeve postare me valutën serbë, dinarë.

Çka tha Kurti para konferencës?

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pak para konferencës në fjalë.

Kurti ka thënë se Vuçiq në koordinim me Rusinë, po përgatit kërcënime e ultimatum ndaj Kosovës.

“Qasja e pushtetit në Serbi ndaj Kosovës është tejet dëshpëruese. Fillimisht u normalizua pandëshkueshmëria dhe fushatat propaganduese. E tash po synohen të normalizohen sulmet paramilitare dhe terroriste (Banjska, 24 shtator 2023), kërcënimet dhe ultimatumet, të cilat arsyetohen me lajme të rrejshme dhe fushata dezinformuese, para syve të botës demokratike.

Sot, Kosova është më e fortë se kurrë më parë, nuk trembet nga kërcënimet. Ne mbrojmë të gjithë qytetarët tanë dhe liritë e të drejtat e tyre, integritetin territorial dhe sovranitetin shtetëror të vendit tonë, progresin demokratik e socio-ekonomik të popullit dhe institucioneve tona. Mirëpo, kjo që po ndodhë aktualisht, tregon se sa larg është Serbia nga vlerat demokratike dhe njerëzore dhe sa e mishëruar mbetet me gjenocidin e kryer në vitet e ‘90-ta.” – ka thënë ai.

Lajme të ngjashme