Pas dështimit fatal në zgjedhjet qendrore, KQZ-ja zotohet se platforma është përmirësuar: Rezultatet dalin shpejt - NACIONALE

Pas dështimit fatal në zgjedhjet qendrore, KQZ-ja zotohet se platforma është përmirësuar: Rezultatet dalin shpejt

10 muaj më parë

nga NACIONALE

Pas dështimit fatal në zgjedhjet parlamentare, KQZ-ja ka premtuar se platforma për rezultatet është përmirësuar.

Kështu ka deklaruar kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi.

“Kemi ndryshime në proces sipas ligjit që ka hyrë në fuqi në vitin 2023. Në këto zgjedhje kemi përmirësuar platformën, për të cilën presim të dalim me rezultatet preliminare. Gjithashtu, edhe qendrat komunale të numërimit janë të gjitha të pajisura me pajisje për numërim. Presim që në mëngjesin e së nesërmes të nisë numërimi për asamblistë,” tha Radoniqi.

Këtë deklaratë ai e bëri pasi votoi në Pejë.

Në zgjedhjet qendrore, faqja e KQZ-së kishte rënë nga sistemi për disa orë, dhe dështoi publikimi i rezultateve.

“Janë evidente probelemet teknike në platformë. Të dhënat janë duke u mbledhur nga terreni dhe më pas do të publikohen nga KQZ. Për shkak të interesimit të madh të qytetarëve për t’u qasur në platformën e rezultateve, është shkaktuar mbingarkesë në sistem. Të gjitha ekipet e KQZ-së janë duke punuar në terren dhe duke dërguar të dhënat të cilat po bëjmë përpjekje që t’i transmetojmë në kohë sa më të shpejtë. KQZ falënderon mirëkuptim të gjithë qytetarët dhe mediat!”, deklaronin aso kohe në shkurt nga KQZ-ja.

KQZ-ja ka bërë të ditur se të gjitha qendrat e votimit janë hapur në kohë.

Zëdhënësi Valmir Elezi ka thënë se materialte janë shpërndarë.

“Ju njoftojmë se në orët e hershme të mëngjesit, materiali zgjedhor, përfshirë edhe fletëvotimet është shpërndarë me kohë për në të gjitha Qendrat e Votimit. Gjithashtu, njoftojmë se duke u mbështetur në informacionet e pranuara nga KQZ, procesi i votimit për Zgjedhjet Lokale për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvende Komunale, ka nisur në të gjitha Qendrat e Votimit në Republikën e Kosovës, me përjashtim të ndonjë vonesë disa minutëshe në ndonjë vendvotim.”, tha ai.

Ai ka thënë se procesi i votimit zhvillohet në 948 Qendra të Votimit, me gjithsej 2,625 vendvotime, prej të cilave 910 qendra me 2,571 vendvotime për votimin e rregullt dhe 38 qendra, nga një për çdo komunë, me 54 vendvotime, për të mundësuar votimin me kusht.

Elezi shtoi se sipas Listës së Votuesve, numri i qytetarëve me të drejtë vote për të votuar sot është 2,025,105, të cilët janë të shpërndarë në 38 komuna.

Garë interesante pritet të jetë në disa rajone, sidomos në Prishtinë. Kryeqytetit, por edhe komunat përreth, pritet të kalojnë në garë të fortë, sidomos Obiliqi, Lipjani, Fushë Kosova e Podujeva.

Prej garave më të forta pritet në Drenas, ku Ramiz Lladrovci dhe Petrit Hajdari, do të synojnë të parin e komunës.

Ngjashëm pritet edhe në Mitrovicë mes Faton Pecit e Arian Tahirit, Prizren, Kamenicë e disa komuna të tjera.

Sipas të dhënave zyrtare, në listat e votuesve janë të regjistruar gjithsej 2,069,098 qytetarë, përfshirë 43,933 votues jashtë Kosovës.

Në mbarë vendin do të jenë të hapura 910 qendra votimi, ku do të funksionojnë gjithsej 2,571 vendvotime të rregullta, si dhe 38 qendra me kushte dhe 54 vendvotime me kushte për raste të veçanta.

Strukturimi gjinor i votuesve:

1,063,784 burra

1,005,314 gra

Komunat me numrin më të madh të votuesve:

Prishtina – 224,053

Prizreni – 191,752

Gjakova – 124,909

Ferizaj – 125,865

Peja – 122,909

Ndërsa komunat më të vogla për nga numri i votuesve janë:

Kllokoti – 4,232

Parteshi – 4,738

Ranillugu – 4,836

Pjesëmarrja e votuesve nga diaspora është gjithashtu e konsiderueshme, me gati 44 mijë votues të regjistruar jashtë Kosovës. Komunat me më së shumti votues jashtë vendit janë:

Prizren (2,866)

Prishtinë (1,715)

Suharekë (3,325)

Dragash (2,776)

Viti (1,980)

Rezultatet e para priten tek pas orës 20:00, kurse do të ketë edhe disa Exit Polle të realizuara nga tri televizione në Kosovë.

Lajme të ngjashme