Pas denoncimit të nënës, QKUK suspendon punëtorë dhe thotë se ka nisur hetimet - NACIONALE

Pas denoncimit të nënës, QKUK suspendon punëtorë dhe thotë se ka nisur hetimet

4 orë më parë

nga NACIONALE

Qendra Klinike Universitare e Kosovës ka formuar një komision ad-hoc për të hetuar administrativisht rastin e publikuar në Klinikën e Pediatrisë, pas shqetësimeve të ngritura nga një qytetare lidhur me trajtimin e fëmijës së saj.

Sipas njoftimit të QKUK-së, hetimi do të përfshijë verifikimin e pretendimeve për trajtimin e pacientit, komunikimin dhe sjelljen e stafit, si dhe lëshimet e mundshme menaxheriale dhe teknike.

Institucioni bëri të ditur se, pas verifikimeve fillestare, janë dhënë vërejtje ndaj përgjegjësve në zinxhirin menaxherial, është suspenduar përkohësisht një punëtor i shërbimeve teknike dhe janë ndërmarrë masa të përkohshme administrative ndaj katër infermierëve, deri në përfundimin e hetimit. QKUK ka paralajmëruar se do të publikojë rezultatet e hetimit dhe masat që do të ndërmerren.

Çka ndodhi?

Qytetarja Aulonë Mehmeti ka bërë publike parregullsitë në klinikën e pediatrisë, derisa po trajtohej djali i saj aty. Mehmeti faktoi me fotografi pamje të tmerrshme ku shtrihen pacientët (fëmijë), të dyshekëve të mbuluar me gjak, e mbetje të tjera të shkaktuara nga pacientë paraprak. Për më tepër ajo ka paraqitur para publikut edhe sjelljen skandaloze të punonjësve shëndetësorë. Krejt këtë shqetësim Mehmeti e publikoi të dielën.

Ndërkohë të hënën, e njejta ka bërë të ditur se është ndier nën presion pas publikimit të shkrimit të saj në Facebook, në të cilin kishte përshkruar kushtet e rënda që kishte hasur gjatë trajtimit të djalit të saj dyvjeçar në Klinikën e Pediatrisë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.

Në një reagim të dytë, Mehmeti ka shkruar se, pas statusit të saj për kushtet në Pediatrinë e QKUK-së, në vend të reflektimit kishte filluar të ndiente presion lidhur me atë që kishte publikuar.

“Pas statusit tim për kushtet në Pediatrinë e QKUK-së, fatkeqësisht, në vend të reflektimit, kam filluar të ndiej presion për atë që kam shkruar”, ka shkruar ajo.

Sipas Mehmetit, mbrëmjen pas publikimit, rreth orës 23:30, persona të cilët ajo nuk i ka identifikuar në postim e kishin vizituar në dhomën ku po qëndronte me të birin.

“Mbrëmë, rreth ores 23:30 me kanë vizituar në dhomën ku po qëndroj me djalin tim dhe më është kërkuar t’i verifikoje ato që kam shkruar në status”, thuhet në reagimin e saj.

Ajo ka deklaruar se është vizituar përsëri të nesërmen, rreth orës 10:30, kur, sipas saj, i është thënë se ato që kishte shkruar ishin të pasakta dhe i është kërkuar të përgatiste një raport për rastin brenda një afati të shkurtër.

“Sot, rreth orës 10:30 me kanë vizituar prap, me c’rast me është thënë se ato qe kam shkruar jane te pasakta dhe me është kërkuar edhe raport lidhur me rastin (dhe atë, me gisht drejtuar duke me thene se duhet ta shkruaj deri në ora 11:00)”, ka shkruar Mehmeti.

KOMF ngre alarmin për Pediatrinë: Mungesë barnash, staf i pamjaftueshëm dhe klinika të mbingarkuara

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF) ka paralajmëruar se fëmijët në Kosovë vazhdojnë të përballen me pengesa serioze në marrjen e shërbimeve shëndetësore cilësore, pavarësisht se ligji u garanton kujdes falas.

Sipas KOMF-it, përgjegjësia për zbatimin e kësaj të drejte i takon Ministrisë së Shëndetësisë, por gjendja në institucionet publike tregon mangësi të vazhdueshme. Një hulumtim i Shoqatës për të Drejtat e Pacientëve në spitalet e përgjithshme të Prizrenit dhe Gjilanit ka gjetur se repartet e pediatrisë renditen ndër më të dobëtat për nga kënaqshmëria e pacientëve.

Vërejtjet lidhen me sjelljen ndaj pacientëve, cilësinë e kujdesit mjekësor, infermieror dhe diagnostik, higjienën, infrastrukturën, furnizimin me barna dhe ushqimin. “Pacientët e Repartit të Pediatrisë u renditen ndër repartet me nivelin më të ulët të kënaqshmërisë krahasuar me pacientët e reparteve të tjera.”

KOMF vlerëson se mungesa e stafit dhe mbingarkesa në Klinikën e Pediatrisë në QKUK ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e trajtimit. Megjithëse Spitali i ri Kirurgjik Pediatrik ka përmirësuar kujdesin terciar, shumë shërbime vazhdojnë të ofrohen në objektin e vjetër, i cili nuk i përmbush standardet e nevojshme infrastrukturore.

KOMF shton se kapacitetet e kufizuara dhe numri i pamjaftueshëm i profesionistëve nuk përputhen me fluksin e pacientëve fëmijë. Kjo situatë rrit ngarkesën e klinikave dhe rrezikon sigurinë, dinjitetin dhe vazhdimësinë e kujdesit për secilin fëmijë që kërkon trajtim.

Lajme të ngjashme