‘Pas bisedave në Bruksel’: Sveçla i bindur se ura e Ibrit do të hapet shumë shpejt
Derisa presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se dialogu për urën e Ibrit me Serbinë është shkelje e sovranitetit dhe Kushtetutës së vendit, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla është shprehur se një gjë e tillë do të ndodhë me koordinim me KFOR-in dhe përmes bisedave në Bruksel.
Sveçla ka deklaruar se ura e Ibrit do të hapet shumë shpejt, dhe se është i bindur që pas bisedimeve, korodinimit me KFOR-in dhe “bisedave në Bruksel”, do të ndodhë një gjë e tillë.
“Po bashkëpunojmë ngushtë me ndërkombëtarët, KFOR e EULEX-in, kemi takime me ambasadorët, në mënyrë që realisht qëllimet tona të drejta të realizohen dhe brengat e tyre të merren parasysh.
Po ura e Ibrit do të hapet shumë shpejt, unë jam i bindur që pas bisedimeve dhe koordinimit me KFOR-in, që është present aty, por edhe bisedave në Bruksel, shumë shpejt do të kemi një situatë të tillë.” – ka thënë ai për “DW”.
Në anën tjetër, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani së fundi ka dalë kundër përfshirjes së kësaj teme në dialogun me Serbinë, duke thënë se është shkelje e sovranitetit dhe Kushtetutës së vendit.
“Sa i përket temave, për atë duhet ta pyesni kryenegociatorin se për çfarë tema është dakorduar, sepse është thënë në publik se janë dakorduar për disa tema së bashku me zotin Lajçak. Mirëpo, po e përsëris, në qoftë se dikush bën dialog për urën e Ibrit me Serbinë, kjo është shkelje e sovranitetit e Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe në asnjë moment nuk është në interes të Kosovës që kjo temë të jetë pjesë e dialogut me Serbinë.” – është shprehur ajo.
Çka tha NATO?
Pas takimeve në Bruksel, dy zyrtarë të lartë të NATO-s të martën takuan kryenegociatorin e Kosovës në bisedime, Besnik Bislimi dhe atë të Serbisë, Petar Petkoviq.
Qeveria e Kosovës nuk dha shumë detaje nga këto takime, megjithatë, NATO tha t’i ketë thënë Bislimit kështu: “Vendimet (për hapjen e urës) duhet të merren përmes dialogut, në koordinim efektiv dhe kohshëm me bashkësinë ndërkombëtare dhe në një mënyrë që nuk i vendos në rrezik komunitetet lokale dhe trupat e NATO-s”.
“Ndihmës Sekretari i Përgjithshëm për Operacione diskutoi situatën e sigurisë në Kosovë dhe adresoi shqetësimet e sigurisë në lidhje me hapjen potenciale për trafikun rrugor të urës së lumit Ibër në Mitrovicë. Z. Goffus theksoi nevojën për një zgjidhje gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme.” – thuhej në komunikatën e NATO-s.
NATO në komunikatën e saj rikujtoi se mbajnë “prani fikse” mbi Urën e Ibrit dhe se do t’i përgjigjet “çfarëdo shqetësimi të sigurisë” dhe se për këtë gjë janë “të detyruar nga mandati i OKB-së” referuar “Rezolutës 12/44”.
“Misioni i KFOR-it i udhëhequr nga NATO është i detyruar nga mandati i tij i OKB-së për të adresuar çdo shqetësim të sigurisë dhe për të siguruar një mjedis të sigurt dhe të sigurt. KFOR-i mban prezencën e tij fikse në urë dhe vazhdon të kryejë patrullime të rregullta në zonat përreth.” – u tha tutje në komunikatë.